Basha para deputetëve: Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është “terrorizëm kushtetues”. Ristani kërkon që të bojkotohet përfundimisht Parlamenti
Sava Sota
Partia Demokratike vendosi që të kushtëzojë angazhimin e saj për reformën në drejtësi, me kërkesat për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatet e dy deputetëve socialistë Valentina Leskajt dhe Rakip Sulit. Vendimi u mor në mbledhjen e parë të grupit parlamentar demokrat pas kthimit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha nga vizita në SHBA, ku u diskutua për konsensusin politik për reformën në drejtësi. “Eksperimentet me Reformën në Drejtësi janë të papranueshme dhe se, nuk ka asnjë kuptim të ndryshohet Kushtetuta, kur qeveria nuk pranon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është “terrorizëm kushtetues “- mësohet të jetë shprehur kryeopozitari Basha. Ky qëndrim i liderit të opozitës si rrallë herë do të gjente përkrahjen e deputetes më kritike të tij, ish-nënkryetares Jozefina Topalli. Po ashtu në këtë takim u diskutua mbi kushtet për reformën, që sipas PD-së, është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dialogu politik, sipas PD-së, ndërpritet nga mandati i Sulit dhe nënkryetares së Kuvendit Leskaj, për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ata e kanë quajtur të papajtueshme këtë sjellje të mazhorancës. Burime nga selia e Partisë Demokratike u bën me dije dje se opozita do të kushtëzojë reformën në drejtësi me zbatimin e kërkesave për dërgimin e mandateve të deputetëve në Gjykatën Kushtetuese. “Dialog me kusht për Reformën nëse zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetueses. Konsensus politik do të bazohet mbi zbatimin e vendimeve Kushtetueses për mandatet e deputetëve. Është paradoks të diskutosh ndryshimet Kushtetuese kur nuk zbaton vendimet e saj”, theksuan burimet. Nga të njëjtat burime mësohet se vetë Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, teksa ka kërkuar që demokratët të mos shkojnë në Komisionin e Drejtësisë pa zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në mbledhje gjithashtu, mësohet se Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, ka kërkuar që të bojkotohet përfundimisht Parlamentin, por ky nuk është mbështetur nga shumica e deputetëve, përfshirë edhe ish-kryeministrin Berisha.
Opozita kërkoi shumicë absolute
Në kuadër të vendimit të grupit parlamentar demokrat, mbledhja e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi është shtyrë për të tretën herë brenda ditës, pasi opozita nuk ishte e pranishme. Në komision pritej të diskutohej mbi formulën e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve kushtetuese, dhe Partia Demokratike ka kërkuar shumicë absolute prej 2/3, ndërsa për mazhorancën janë të mjaftueshme 3/5 si shumicë e cilësuar. Deputetët e opozitës kanë munguar në mbledhjen e lajmëruar për në orën 18:00, duke bërë që të shtyhet pa afat. Edhe pas mesdite, mbledhja e komisionit të reformës në drejtësi nuk u zhvillua për shkak të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike në ambientet e selisë blu. Palët ranë dakord që mbledhja e komisionit të zhvillohej në orën 18:00, me qëllim që PD të kishte konkretizuar qëndrimet e saj në raport me Kuvendin. Mungesa e opozitës në komision ka bërë që takimi të shtyhet javën e ardhshme, kjo edhe me kërkesë të demokratëve. Nga ana tjetër, ish – kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i kërkoi Presidentit Bujar Nishani shpërndarjen e Kuvendit për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuse lidhur me mandatet e deputetëve Rakip Suli e Valentina Leskaj. Ndërkohë, deputeti demokrat, Eduart Halimi tha dje se palët kishin rënë dakort për Byronë e Hetimit dhe se sot pritej firmosja e marrëveshjes mes palëve.