Auron Tare, anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i mbetet besnik deklaratave të mëhershme të tij sa i takon monumenteve të kulturës.
I të njëjtit mendim ai është edhe sot, ndonëse qeveritë kanë ndryshuar. Një ditë pas deklaratës së bërë nga Ministria e Kulturës lidhur me dhënien me qera të monumenteve të kulturës, Tare vijon të thotë se këto modele janë testuar në Shqipëri dhe kanë rezultuar të dështuara.
“Ky koncept është eksperimentuar në Shqipëri dhe modelet që kemi pasur deri më sot kanë dështuar. Sot kemi dy restorante ku mund të haet mirë në Petrelë apo Lëkurs, por nuk kemi kontekst historik”, deklaron Tare.
Tare shton se lind nevoja për krijimin e filtrave në mënyrën e përzgjedhjes së subjekteve që do të adiminstrojnë këto pasuri, në mënyrë që monumentet të mos tjetërsohen. Një tjetër shqetësim që Auron Tare ngre është edhe konteksti historik.
“Pa filtra shumë të fortë, pa kompani të specializuara në menaxhimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, monumentet mund të kenë probleme të pakthyeshme në kontekstin historik. Shteti ka simbole dhe nuk do ishte serioze që kalanë e Shkodrës, për shembull, ta merrte një kompani serbe, kalanë e Krujës ta merrte një kompani turke, apo atë të Gjirokastrës një kompani greke. Janë disa monumente që janë simbole dhe krenaria e vendit”, nënvizon Tare.