Ja si e ka arsyetuar Presidenti Nishani dekretin për faljen e Nazime Vishës

0
158

Mbështetur në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, vendosa të shqyrtoj kërkesën dhe dokumentacionin ligjor, për faljen e të dënuarës Nazime Beqir Visha, paraqitur nga Ministri i Drejtësisë, së bashku me propozimin e tij, për pranimin e kësaj kërkese ( Nr.1345/4 prot, dt.26.02.2016). Nga dokumentacioni rezultoi se kërkuesja Nazime Beqir Visha është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me 10 (dhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/1 e 278/2 i Kodit Penal, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim nr.918, datë 18.10.2013. E dënuara rezulton, gjithashtu, se ka kryer më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë, dhe sipas akteve të Ministrit të Drejtësisë i mbetet për të vuajtur edhe 3 (tre) vite, e 9 (nëntë) muaj, e 21 (njëzetenjë) ditë burgimi (data e llogaritjes deri më 17.02.2016). Në llogaritjen e vuajtjes së dënimit janë konsideruar dhe uljet e dënimit të fituara nga paraburgimi, nga ligji  nr. 8328 , datë 16.04.1998  “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar si dhe nga ligji nr.22/2014 “Për dhënie amnistie”. Pas shqyrtimit të dokumentacionit në ushtrimin e të drejtës së faljes, për të dënuarën  Nazime Beqir Visha, kam mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret e ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për faljen”, si dhe faktin sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues. Tek kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen. Për të gjitha këto arsye vendosa që në mbështetje të nenit 92 gërma “b” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 11 dhe 12, të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për  Faljen”, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, të dekretoj faljen e pjesës së dënimit të mbetur, të të dënuarës Nazime Beqir Visha

 

 

D E K R E T

PËR FALJE DËNIMI

Në mbështetje të nenit 92 gërma “b” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 11 dhe 12, të ligjit nr. 10295, datë 1.7.2010 “Për Faljen”, me propozim të Ministrit të Drejtësisë,

D e k r e t o j

Neni 1

Nazime Beqir Visha, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim nr.567, datë 08.05.2013, me 10 (dhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/1 e 278/2 i Kodit Penal, lënë në fuqi me vendimin nr.918, datë 18.10.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë,  i falet pjesa e dënimit të mbetur.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 9488

Tiranë, më 25.03.2016

 

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here