Sot, besimtarët katolikë në Shqipëri dhe mbarë botën festojnë Pashkët. Në Shqipëri, në katedralet dhe kishat do të do të zhvillohen dy mesha: Një në orën 11:00 dhe tjetra në orën 18:00. Ndërsa sot në Vatikan, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku do të kryesojë Meshën e ditës, në orën 10.00 e, pas saj, në orën 12.00, mesazhi “Urbi et Orbi”, drejtuar Romës dhe Botës si dhe Bekimin Apostolik. Kulmi i Pashkës ishte e shtuna që kaloi, kur u thye nata e heshtjes dhe e lutjes së Kishës në atë që quhet e Shtuna e Madhe. Dita e Zotit në varr. Dita e heshtjes së Zotit. Papa e kujtoi kështu këtë heshtje: “Zoti hesht, por për dashuri. Në këtë ditë dashuria e heshtur bëhet pritje e jetës në ringjallje. Ta mendojmë thellë të Shtunën e Madhe! Do të na bëjë mirë ta meditojmë heshtjen e Zojës së Bekuar, ‘besimtares’, në pritje të Ngjalljes. Zoja duhet të jetë për ne, ikona e kësaj së Shtune të Madhe. Ta mendojmë si e jetoi Nëna e shenjtë këtë të Shtunë, në pritje. Me dashuri, që nuk di të dyshojë, por që shpreson në fjalën e Zotit. Shpreson e pret të bëhet dita e ndritshme e Pashkëve”. Në këtë Natë të madhe, sipas Biblës, Jezusi thotë: “Nëse do të mund të vuaja më shumë për ty, do ta bëja”. Nata e heshtjes! Heshtje, që u thye nga lajmi i madh i ngjalljes mbrëmë në të gjitha kishat e botës. Në Shën Pjetër, Mesha e natës, e kryesuar nga Françesku, filloi në orën 20.30, e paraprirë nga riti i bekimit të zjarrit, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, stolisur me një pranverë të vërtetë lulesh, ardhur nga Holanda. Kujtojmë se kremtimet do të ndiqen nga disa mjete komunikimi e më i rëndësishmi, Mondovizioni. Mund të jeni të pranishëm, nga të katër anët e botës! Edhe përmes transmetimeve të Programit Shqip pranë Radio Vatikanit.