Kreu i PD-së, Lulzim Basha i shoqëruar nga deputetë dhe aleatë të opozitës ishte sot në Shkodër për të përkujtuar 25-vjetorin e 2 Prillit, ku gjatë protestave antikomuniste u vranë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ndër të tjera Basha hoqi edhe paralele mes regjimit të kaluar dhe qeverisë aktuale.
“Njësoj si regjimi komunist edhe këta duan pushtet me çdo kusht dhe çdo çmim, ashtu si 25 vite më parë. Vjedhin votën, shkelmojnë ligjin. Modeli i tyre është e shkuara, krimi që vrau Shkodrën, modeli i tyre është pasurimi i qeveritarëve dhe varfërimi i qytetarëve. Këtë mendje kanë patur paraardhësit e tyre politikë, të njëjtën mendje kanë edhe sot se pushteti është mbi ligjin, jo ligji, se pushteti është dhuna dhe dajaku. Janë jashtë sistemit demokratik që Shkodra dhe Shqipëria përqafoi 25 vite më parë”, tha Basha.
Më tej ai shprehur zotimin e opozitës për të protestuar kundër asaj që ai e quajti sërish “aleancë e qeverisë me krimin, që ka marrë nën këmbë shtetin si ortakë të Edi Ramës”.