Dënimet alternative/ Rregullorja e 2009 kthehet në ligj, ja çfarë ndryshon, nën mbikqyrje edhe urdhërat e mbrojtjes

0
585

 

download (1) download (2)

 

Gazeta “Standard” siguron draftin e plotë të Ministrisë së Drejtësisë. Rregullorja e miratuar nga ish –kryeministri Sali Berisha me 61 nene që vinte në funskion institucionin e  Shërbimit të Provës përgjysmohet. Drafti i ri  ka vetëm 27 nene 

 

 

Alma Çuka

 

 

Kur janë mbushur plotë 8 vite nga momenti që Kuvendi miratoi ngritjen e institucionit të Shërbimit të Provës dhe 7 vite nga hartimi i rregullores nga Këshilli i Ministrave, drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, Ministria e Drejtësisë harton një draft të ri. Më herët ishte vet Ministri Ylli Manjani që lajmëroi se ekspertët po hartonin një projektligj të ri për Shërbimin e Provës, duke mundësuar sipas tij kritere më të qarta dhe një sanksionim me ligj të këtij shërbimi. Drafti i ri i  hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë përmban 27 nene. Ndërkohë që rregullorja e mëpoarshme, ajo e vitit 2009 përmbante 61 nene. Duket se rregullorja me të cilën aktualisht është duke punuar Shërbimi i provës, ngritur pranë çdo gjykate të rretheve gjyqësore, ka qenë tepër e detajuar. Ndërkohë ekspertët e kanë parë të arsyeshme se specifikimi i praktikës në pak rreshta do të jetë më dobiprurës për punonjësit e shërbimit të shpërndarë në të gjithë vendin.  Drfati i është shpërndarë gjithë grupeve të interesit. Pas marrjes së propozimeve dhe sugjerimeve lidhur me të protet të kalojë në Qeveri e më pas në Komisione për diskutim.

 

Urdhërat e mbrojtjes për herë të parë në Shërbimin e Provës

 

Ligji për Shërbimin e Provës do të ketë fushë të gjerë zbatimi. Punonjësit e këtij shërbimi kanë për qëllim të mbikqyrin të gjithë të dënuarit me vendim të formës së prerë, por që për ta zbatohet një nga dënimet alternative. Për herë të parë pas 8 vitesh duket se në fushën e Shërbimit të Provës është shtuar edhe mbikqyrja e personave me urdhër mbrojtje. Në pikën ku flitet për fushën e zbatimit në draft thuhet qartë se: Ky ligj zbatohet për aplikimin e masave alternative të dënimit me burgim të caktuara me vendim gjyqësor të formës së prerë si dhe për urdhrat e mbrojtjes apo ndonjë masë tjetër shtrënguese, të parashikuar me ligje të veçanta. Deri tani urdhërat e mbrojtjes mbikëqyreshin nga Komisariatet e Policisë,  ku banonte personit që i ishte dhënë një masë e tillë. Por duket se ky shërbim tashmë i ka kaluar institucionit të Shërbimit të Provës.

 

Çfarë parashikon Shërbimi i Provës

 

Privimi i lirisë në vendet e përparuara të Europës, për një sërë veprash me rrezikshmëri të vogël shoqërore vlerësohet si sanksion i alternativës së fundit dhe si rrjedhojë zbatohet atëherë kur rrezikshmëria e veprës penale të kryer do të bënte të pamundur vendosjen e ndonjë mase tjetër alternative. Në mënyrë të vecantë, vendet e Europës Perëndimore përpiqen të kufizojnë sa të jetë e mundur burgimin duke tentuar drejt formave zëvëndësuese të një trajtimi jo-shtrëngues. Kjo bazohet në premisën se burgimi përvecse jep efekte negative tek shkelësit e ligjit ka dhe një kosto financiare shumë të lartë për shoqërinë. Duke marrë shkas nga përvoja e suksesshme e këtyre vendeve, alternativat e denimit me burgim janë prezantuar në Kodin Penal të Shqipërisë në vitin 1995, por me rishikimin e vitit 2008 u ndryshuan dhe u përmirësuan përcaktimet në lidhje me to, përmirësime të cilat lejojnë hapësirë më të gjerë për zbatimin në praktikë të tyre, rezultat i të cilës është dhe fillimi i funksionimit të institucionit të Shërbimit të Provës i cili mbikëqyr ekzekutimin e këtyre dënimeve. Si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë, me Ligjin nr. 10 024, datë 27.11.2008, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar kuadrin normativo-ligjor për ngritjen dhe funksionimin e institucionit të Shërbimit të Provës si organ shtetëror i specializuar për mbikëqyrjen e dënimeve alternative ndaj burgimit.

 

 

Këndvështrimi i Avokatit

 

Topalli: Dënimet me burg kosto e lartë psikologjike dhe ekonomike për taksapaguesit

 

Zbatimi i dënimeve altennative nga ana e gjykatave cilësohet mjaft e rëndësishme. Jurist të njohur, avokat të së drejtës civile dhe penale e konsiderojnë dhënien e dënimeve alternative si lehtësim për sistemin penitenciar dhe shtetin . Ndërkohë që personi i cili dënohet nga gjykata me një nga masat e dënimeve alternative ka një shans të madh të rehabilitohet pa u ndikuar nga qelitë  dhe pjesa tjetër e të dënuarve  për vepra të rënda penale. Dënimet alternative jepen klryesisht për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore dënimet e të cilave shkojnë deri në 2 vite burg.  Avokati penalist Stefan Topallie konsideron dënimin alternative një mënyrë efikase për drejtësinë. Sipas tij këto dënime do të lehtësonin dënimet me burg të cilat ai i konsideron kosto të lartë psikologjike dhe ekonomike njëkohësisht. Për mbajtjen e një të dënuari në burg shteti duhet të shpenzojë të paktën 600-700 mijë lekë të vjetra në muaj.

 

 

Avokat, cilat janë dënimet alternative dhe si aplikohen ato?

Dënimet alternative janë të gjitha llojet e dënimeve të cilat përjashtojnë burgimin e të pandehurit ose të pandehurës, duke e dënuar, por edhe duke i dhënë lirinë në të njëjtën kohe ose gjysmëlirinë siç e parashikon Kodi Penal

Këto lloje dënimesh janë të  përcaktuara në Kapitullin VII të Kodit Penal.

 

Ato kategorizohen në :

  1. Gjysmëliria neni 58 i Kodit Penal
  2. Pezullimi i ekzekutimit të vëndimit me burgim dhe venia në provë neni 59 i Kodit Penal
  3. Qëndrimi në shtëpi neni 59/a i Kodit Penal

 

 

Avokat Stefan Topalli, cilat janë kriteret që duhet të jenë që një i pandehur të dënohet por jo me burg?

 

Siç i listova edhe përpara, ligjvënësi i ka përcaktuar kategoritë e veprave penale të cilat MUND të përfitojnë (them mund sepse është në çmin të gjykatës) nga dënimet alternative. Duhet theksuar se gjithë këto dënime mund të caktohen nga Gjykata, por gjithsesi me kërkesën tonë, për atë avokatëve. Këtu nuk përjashtojmë as dënimin me gjobë.

 

 

Ndalemi pak tek neni 59 i Kodit Penal, cilat janë mundësitë dhe si vepron shërbimi i provës në këto raste?

 

Shërbimi i provës është një institucion i krijuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka për detyrë të zbatojë vendimet alternative të dhëna nga gjykatat, sigurisht vendimet e formës së prerë.

Neni 59 i Kodit Penal, ka një specifike të veçantë që të lë një hapësirë relativisht të kënaqshme për parimin e Shkollave Penale Evropiane: “ligji penal ka më shumë karakter riedukues sesa ndëshkues”

E them këtë, sepse tek po ky nen, pra 59 i Kodit Penal paragrafi 1 thotë:

“Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pes¸ vjet, mund të urdhëroj¸ që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.”

Pra, siç e shihni, ka shumë mundësira që gjykata në llojin e dënimit dhe në karakteristikat dhe rrezikshmërinë e të pandehurit, të japë një dënim alternativë. Fundja është e parapërcaktuar se për personat që kryejnë një vepër penale për herë të parë dhe dënimi i tyre i formës së prerë është i barabartë ose poshtë 5 viteve, mund të përfitojnë nga ky lloj dënimi. Ndaj duhet meshuar sa më shumë që të jetë e mundur ndaj gjykimeve alternative, gjithmonë kur jemi brenda korrnizave të parashikuara në ligj, sepse burgosja për vepra penale (ku ekziston hapësira e dënimeve alternative) është një kosto shumë e lartë, qoftë psikologjike për të atë që e vuan, qoftë ekonomike për ne taksapaguesit.

 

Shifrat  e dënimeve alternative në rritje, 2009-2014 janë 13 359 që ndiqen nga Shërbimi i Provës

 

Që prej fillimit të funksionimit të Shërbimit të Provës në vitin 2009 e deri në fund të vitit 2014, numri i personave të cilët janë vendosur me vendim gjykate në njërën prej alternativave të dënimit me burgim është 13359, mbikqyrja e të cilëve realizohet mbi bazën e programeve individuale të trajtimit. Nëse nuk do të ishin aplikuar alternativat e dënimit me burgim, atëherë këta 13359 persona do të kshin vuajtur dënimin me burg, në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP). Kështu, vetëm gjatë vitit, numri i të dënuarve me dënime alternative që iu shtua numrit të të dënuarve që mbikqyreshin nga Shërbimi i Provës, në të gjithë vendin është 4003.

 

 

Ja drafti i plotë i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për funksionimin e Shërbimit të Provës

 

Neni 1

Objekti

 

Ky ligj rregullon organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës, si dhe veprimtarinë e tij gjatë zbatimit të masave alternative të dënimit me burgim.

 

Neni 2

Qëllimi

Veprimtaria e Shërbimit të Provës është shërbim publik që kryhet në interes të komunitetit, i cili synon rehabilitimin shoqëror të shkelësve të ligjit, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale dhe rritjen e sigurisë shoqërore. Aplikimi i masave alternative të dënimit me burgim, synon uljen e kostove sociale të dënimeve penale dhe ruajtjen e sigurisë shoqërore.

 

Neni 3

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për aplikimin e masave alternative të dënimit me burgim të caktuara me vendim gjyqësor të formës së prerë si dhe për urdhrat e mbrojtjes apo ndonjë masë tjetër shtrënguese, të parashikuar me ligje të veçanta.

 

Neni 4

Përkufizime

 

Për qëllime të këtij ligji termat e mëposhtme kanë këto kuptime:

  1. a) “Dënim alternativ” është një prej masave alternative të dënimit me burgim, të parashikuara në Kodin Penal.
  2. b) “I dënuari” është personi, për të cilin gjykata ka vendosur dhënien e një mase alternative të dënimit me burgim në përputhje me ligjin.
  3. c) “Vënia në provë” është plotësimi i kushteve të caktuara me vendim gjyqësor ndaj personit të dënuar ose të vendosur nën mbikëqyrje, për një periudhë të caktuar kohore.

ç) “Periudhë prove” është periudha kohore që fillon me marrjen e formës së prerë të vendimit gjyqësor dhe mbaron me përfundimin e periudhës së caktuar.

  1. d) “Mbikëqyrje” nënkupton aktivitetet që kryhen nga Shërbimi i Provës për të kontrolluar e siguruar zbatimin e masave alternative të dënimit me burgim, si dhe masave të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta, me qëllim asistitimin, këshillimin dhe integrimin e të dënuarit në komunitet.
  2. dh) “I mbikqyruri” nënkupton të dënuarin me vendim gjyqësor të formës së prerë me një prej alternativave të dënimit me burgim ose personin ndaj të cilit gjykata ka vendosur një urdhër mbrojtjeje apo ndonjë masë tjetër shtrënguese, të parashikuar me ligje të veçanta.
  3. e) “Përkujdesje e mëtejshme” nënkupton aktivitetet e planifikuara nga Shërbimi i Provës në bashkëpunim me të mbikëqyrurin për t’u zhvilluar edhe pas përfundimit të vënies në provë, me qëllim integrimin e tij në komunitet.

ë) “Prokurori” është prokurori i çështjes penale, në të cilën kërkohet asistenca e Shërbimit të Provës ose prokurori i ngarkuar me ekzekutimin e vendimit penal të masës alternative të dhënë ndaj një të dënuari.

 

Neni 5

Veprimtaria e Shërbimit të Provës

 

Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në përputhje me ligjin dhe vendimet gjyqësore, në respektim të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të parimit të ligjshmërisë, objektivitetit dhe mosdiskriminimit.

Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në respektim të standardeve më të larta etike dhe profesionale, dinjitetit dhe integritetit, si dhe privatësisë së personit dhe familjes së tij, si dhe të dëmtuarit prej veprës penale dhe familjes së tij.

Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në respektim të jetës private të personit dhe familjes së tij, duke kufizuar atë jo më tepër nga sa është e nevojshme për realizimin e programit individual të trajtimit.

Në veprimtarinë e tij, Shërbimi i Provës përpiqet të zhvillojë ndjenjën e përgjegjësisë së të dënuarit ndaj komunitetit dhe viktimës, si dhe të mbështesë e inkurajojë ri-integrimin social të të dënuarit nëpërmjet një qëndrimi korrekt ndaj punës, shtetit ligjor dhe rregullave të ndërveprimit social.

Shërbimi i Provës kryesisht ose në bashkëpunim me ndërmjetësues të licencuar ndërmjetëson gjatë periudhës së trajtimit të rasteve zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe pajtimin e autorit të veprës penale me të dëmtuarit  apo familjarët e tyre.

Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në mbrojtje dhe respektim të privatësisë dhe konfidencialitetit mbi informacionin e mbledhur dhe prodhuar për shkak të detyrës.

Përdorimi i këtij informacioni lejohet vetëm me pëlqimin e dhënë me shkrim nga vetë personi dhe në respektim të kuadrit ligjor në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Shërbimi i Provës bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, kombëtare ose ndërkombëtare për të promovuar përfshirjen sociale të personave që trajton me qëllim uljen e recidivizmit dhe  rehabilitimin e tyre.

 

KREU II

Institucioni i SHËRBIMIT TË PROVËS

 

Neni 6

Organizimi i Shërbimit të Provës

 

Shërbimi i Provës është person juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të Ministrit të Drejtësisë.

Struktura dhe organika e Shërbimit të Provës miratohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë.

Shërbimi i Provës përbëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, dhe zyrat vendore të organizuara pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Zyrat vendore kanë varësi administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës.

Për realizimin e detyrave, Shërbimi i Provës ka buxhetin e vet, si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

Buxheti i Shërbimit të Provës krijohet dhe përdoret sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit financiar dhe buxhetor.

  1. Të gjitha donacionet ose të ardhurat e tjera të ligjshme, përdoren sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit financiar dhe buxhetor.

 

 

Neni 7

Roli dhe detyrat e Shërbimit të Provës

 

  1. Shërbimi i Provës, gjatë veprimtarisë së tij:
  2. a) raporton pranë prokurorisë dhe gjykatës në përputhje me këtë ligj apo akte të tjera ligjore;
  3. b) përcakton mënyrën e zbatimit të alternativave të dënimit me burgim duke synuar mbrojtjen e interesave publike dhe të dëmtuarve prej veprave penale, parandalimin e veprave penale;
  4. c) mbështet të dënuarit në kapërcimin e vështirësive në riintegrimin shoqëror para, gjatë dhe pas përfundimit të periudhës së provës.

 

Neni 8

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës

 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës është përgjegjëse për:

  1. a) Organizimin dhe drejtimin e procesit të ekzekutimit të alternativave të dënimit me burgim nga zyrat vendore.
  2. b) Koordinimin dhe përgatitjen e standardeve të performancës, të metodologjisë dhe instrumenteve të punës, me qëllim unifikimin e praktikës dhe përmirësimin e veprimtarisë së punonjësve të Shërbimit të Provës.
  3. c) Vlerësimin dhe kontrollin e aktivitetit të zhvilluar nga zyrat vendore të Shërbimit të Provës.

ç) Koordinimin, menaxhimimin dhe vlerësimin profesional të punonjësve të Shërbimit të Provës në përputhje me ligjin dhe Rregulloren e Shërbimit të Provës.

  1. d) Organizimin e konkurrimit për përzgjedhjen e punonjësve të zyrave vendore të Shërbimit të Provës.
  2. dh) Organizimin e trajnimeve profesionale të personelit nga vetë institucioni dhe për koordinimin e trajnimeve dhe kurseve të trajnimit të ofruara nga donatorë ose organizata vendase apo të huaja.
  3. e) Mbajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucione të ndryshme shtetërore apo private, organizata jofitimprurëse, vendase apo të huaja, për realizimin e veprimtarisë institucionale, apo zbatimin e alternativave të dënimit me burgim

ë) Lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucione të ndryshme shtetërore apo private, organizata jofitimprurëse, vendase apo të huaja, për hapjen e  institucioneve të edukimit, apo kontraktimin e tyre, me miratimin e ministrit të Drejtësisë.

  1. f) Përfaqësimin para të tretëve dhe në proceset gjyqësore ku Shërbimi i Provës është palë.
  2. g) Koordinimin e mbledhjes së të dhënave statistikore në fushën e shërbimit të provës, përpunimin e tyre dhe administrimin e sistemeve kompjuterike të krijuara për këtë fushë.
  3. gj) Realizimin e studimeve dhe analizave të nevojshme për përgatitjen e dokumenteve strategjikë në fushën e shërbimit të provës dhe politikave penale dhe shoqërore.
  4. h) Promovimin e Shërbimit të Provës dhe të veprimtarisë së tij me qëllimin përmirësimin e praktikave profesionale në fushën e shërbimit të provës dhe rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë për masat alternative të dënimit me burgim.
  5. i) Administrimin financiar të institucionit të Shërbimit të Provës.
  6. j) Detyra të tjera të nevojshme për aplikimin e alternativave të dënimit me burgim.
  7. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës rregullohen sipas legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe të zyrave vendore rregullohen me Kodin e Punës.

 

Neni 9

Drejtori i Përgjithshëm

 

Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës  në marrëdhënie me të tretët, organizon dhe kontrollon veprimtarinë e tij dhe është përgjegjës për mirëfunksionimin e institucionit të Shërbimit të Provës.

 

Neni 10

Zyrat vendore të Shërbimit të Provës

 

Zyrat vendore të Shërbimit të Provës janë të organizuara pranë gjykatave të rretheve gjyqësore.

  1. Zyrat vendore të Shërbimit të Provës përbëhen nga:
  2. a) drejtori i zyrës;
  3. b) punonjësit e Shërbimit të Provës.

 

Neni 11

Kompetenca tokësore e Zyrave Vendore

 

Kompetente për zbatimin e alternativës së dënimit me burgim të caktuar me vendim gjyqësor të formës së prerë është zyra vendore ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin i dënuari.

Kompetente për vlerësimin e të dënuarve që kërkojnë lirimin me kusht është Zyra Vendore pranë rrethit gjyqësor kompetent për vlerësimin e kërkesës për lirim me kusht.

Kompetenca tokësore e zyrave vendore të Shërbimit të Provës në rast konflikti midis tyre përcaktohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, brenda 5 ditëve nga lindja e konfliktit.

 

Neni 12

Drejtori i Zyrës Vendore

 

Drejtori i Zyrës Vendore emërohet, transferohet dhe lirohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës pas një konkurrimi të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.  Mënyra e organizimit të konkurrimit përcaktohet në Rregulloren e Shërbimit të Provës që miratohet me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

Drejtori i Zyrës Vendore është përgjegjës për drejtimin, bashkërendimin dhe kontrollin e përmbushjes së detyrave nga punonjësit e shërbimit të provës të zyrës vendore.

 

Neni 13

Punonjësi i Shërbimit të Provës

 

Punonjësi i Shërbimit të Provës është personi i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe asistimin e të dënuarit në zbatimin e alternativave të dënimit me burgim  në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës për realizimin e detyrave, ka të drejtë të njihet me informacionin e administruar gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor, gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burgim, si dhe me informacionin e administruar nga institucione të tjera shtetërore në respektim të kushteve dhe kërkesave ligjore.

Punonjësit të Shërbimit të Provës përgjegjës për realizimin e detyrave ka të drejtën e aksesit në sistemin elektronik TIMS në respektim të kushteve dhe kërkesave ligjore.

Punonjësi i Shërbimit të Provës në ushtrimin e veprimtarisë së tij, udhëhiqet nga ndershmëria, paanësia dhe profesionalizmi.

Emërohet punonjës i Shërbimit të Provës shtetasi që plotëson këto kushte:

  1. a) të jetë shtetas shqiptar;
  2. b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. c) të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

ç) të zotëroj një diplomë të nivelit “Master Shkencor”/ “Master i Arteve” apo të barasvlershme me to sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, në degët psikologji, punës sociale, sociologji ose drejtësi;

  1. d) të gëzojë figurë të pastër morale.
  2. dh) të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale me vendim gjyqësor të formës së prerë.
  3. e) të ketë aftësi të mira komunikuese dhe organizative.

Punonjësi i Shërbimit të Provës nuk mund të kryejë funksione të tjera, publike apo private, të cilat bien ndesh me detyrat e tij funksionale dhe ligjore.

 

Neni 14

Rastet e konfliktit të interesit

 

Punonjësi i Shërbimit të Provës, gjatë detyrave të tij për mbikëqyrjen dhe asistimin e të dënuarit, deklaron të gjitha rastet e rënies së tij në konflikt interesi sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Punonjësi i Shërbimit të Provës është i detyruar të kërkojë heqjen dorë nga mbikëqyrja dhe asistimi i të dënuarit në rastet e konfliktit faktik dhe të vazhdueshëm të interesit me të dënuarin ose me përfaqësuesit e institucioneve të kryerjes së dënimit alternativ nga i dënuari.

Deklarimi i konfliktit të interesit dhe kërkesa për heqjen dorë i paraqitet për vendim drejtorit të zyrës përkatëse të Shërbimit të Provës. Në rastet kur konflikti i interesit deklarohet nga drejtori i zyrës vendore përkatëse, aktet i paraqiten për vendim Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës.  Përmbajtja e kërkesës dhe e vendimit i njoftohet palëve në çdo rast, brenda afateve ligjore.

 

KREU III

MBËSHTETJA E SHËRBIMIT TË PROVËS GJATË PROCESIT GJYQËSOR

 

Neni 15

 

Shërbimi i Provës, me kërkesë të prokurorit ose gjykatës, paraqet një raport vlerësues për personin nën hetim, për të pandehurin ose për të dënuarin në këto raste:

  1. a) gjatë fazës së hetimeve paraprake;
  2. b) gjatë gjykimit përpara dhënies së vendimit penal;
  3. c) gjatë fazës së ekzekutimit të alternativës së dënimit me burgim:
  4. i) në rastin e mbikëqyrjes së personit të dënuar;
  5. ii) në rastin e shqyrtimit të kërkesës për lirimin me kusht;

iii) në përfundimin para kohe të periudhës së vënies në provë;

  1. iv) në përfundim të dënimit alternativ apo në përfundim të përmbushjes së detyrimeve të caktuara.

Shërbimi i provës paraqet në raportin vlerësues  sipas paragrafit të parë të këtij neni,  rekomandime të arsyetuara për masën alternative të përshtatshme apo detyrime të tjera për riintegrimin në shoqëri të personit të vlerësuar, për të gjitha rastet kur e vlerëson të realizueshëm.

Shërbimi i Provës paraqet kryesisht raport vlerësues për gjykatën në përfundim të dënimit alternativ apo në përfundim të përmbushjes së detyrimeve të caktuara.

 

Neni 16

Raporti i shërbimit të provës

 

Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës, harton raportin vlerësues duke analizuar rrethanat sociale që lidhen me personin nën hetim, të pandehurin apo të dënuarin.  Ky raport paraqet një ekspertim të personit nën hetim, të pandehurit apo të dënuarit brenda kompetencave të shërbimit të provës.

Raporti i vlerësimit përmban të dhëna për:

familjen;

mjedisin shoqëror të personit;

formimin arsimor dhe profesional;

ç) sjelljen e përgjithshme dhe  analizën e sjelljes në lidhje me veprën e kryer;

rrezikshmërinë për përsëritje, si dhe

  1. dh) çdo të dhënë që vlerësohet si e dobishme.

Shërbimi i Provës raporton në mënyrë objektive dhe të paanshme, pavarësisht qëndrimeve të prokurorisë apo të mbrojtësit mendimin e tij për llojin e alternativës së dënimit me burgim të aplikueshëm.

Shërbimi i Provës jo më vonë se 21 ditë pune nga marrja e kërkesës, njofton prokurorin ose gjykatën për pamundësinë e hartimit të raportit të vlerësimit në rastet kur nuk arrin të vendosë kontakte me personin.

Raporti i vlerësimit dhe raporti përfundimtar përpilohet sipas modeleve të standardizuara dhe të miratuara me Rregulloren e Shërbimit të Provës.

 

 

KREU iv

zbatimi i aLTERNATIVAVE të denimit ME BURGIM

 

Neni 17

Zbatimi i Urdhrit të ekzekutimit

 

Shërbimi i Provës zbaton alternativat e dënimit me burgim bazuar në Urdhrat e Ekzekutimit  të lëshuara për vendime gjyqësore të formës së prerë dhe urdhërimet e tjera ligjore  në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

 

Neni 18

Administrimi i të dhënave gjatë zbatimit të masave alternative

 

Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës hap për çdo të dënuar dosje personale. Në dosjen personale të të dënuarit administrohen të gjitha aktet e prodhuara nga shërbimi i provës për të dënuarin gjatë procesit penal dhe ekzekutimit të vendimit gjyqësor përkatës.

Të dhënat personale të administruara gjatë periudhës së provës përpunohen dhe trajtohen në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe vetëm në rast se këto informacione kanë lidhje me ushtrimin e detyrave të autoritetit që e kërkon atë.

Dosja personale dhe përmbajtja e saj, pas përfundimit të periudhës së provës, trajtohet në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat.

Çdo zyrë vendore e Shërbimit të Provës, në përmbushje të detyrave funksionale, mban në formë shkresore regjistrat e mëposhtëm:

  1. a) regjistrin themeltar të personave të dënuar;
  2. b) regjistrin e kërkesë- ankesave;
  3. c) regjistrin e shkeljeve të planit individual të trajtimit;

ç) regjistrin e ngjarjeve të rënda;

  1. d) regjistrin e OJF-ve dhe institucioneve shtetërore ose jo shtetërore që ofrojnë këshillim dhe asistencë të çdo forme për të dënuarit me alternativa të dënimit me burgim.

Formati i regjistrave të parashikuar në paragrafin 4 të  këtij neni,  përcaktohet në Rregulloren për Shërbimin e Provës.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës është përgjegjëse për administrimin e regjistrit elektronik ku pasqyrohen të përditësuara të gjitha të dhënat e administruara nga zyrat vendore.

Përmbajtja e të dhënave të administruara nga veprimtaria e Shërbimit të Provës, niveli i aksesit, dhënësit e informacionit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Të dhënat trajtohen në respektim të kushteve dhe kërkesave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi që rregullon mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 19

Mbikëqyrja e zbatimit të masave alternative

 

Drejtori i Zyrës Vendore, pas administrimit të urdhrit të ekzekutimit dhe verifikimit të kompetencës territoriale, cakton punonjësin përgjegjës për mbikëqyrjen e të dënuarit.

Punonjësi Shërbimit të Provës përgjegjës për mbikëqyrjen sipas pikës 1 të këtij neni, brenda pesë ditëve kalendarike nga administrimi i Urdhrit të Ekzekutimit verifikon përmbushjen e detyrimit të të dënuarit për të vendosur kontakt me Shërbimin e Provës.

Në rastin kur i dënuari nuk ka përmbushur detyrimin për të vendosur kontaktin me Shërbimin e Provës, punonjësi i ngarkuar njofton të dënuarin  mbi detyrimin për të vendosur kontakt. Në njoftim  tregohet vendi dhe adresa e Shërbimit të Provës, data dhe ora e kontaktit, kontakti telefonik dhe elektronik i punonjësit të Shërbimit të Provës përgjegjës për mbikëqyrjen,  si dhe pasojat që rrjedhin nga mos përmbushja e detyrimit.

Për realizimin e njoftimit sipas pikës 3 të këtij neni nëpërmjet shërbimit postar, Shërbimi i Provës ka të drejtën e aksesit në bazat elektronike të adresave.

I dënuari vendos kontakt me punonjësin përgjegjës të Shërbimit të Provës brenda pesë ditëve kalendarike nga marrja e  njoftimit sipas pikës 3 të këtij neni. Në rast se i dënuari nuk paraqitet brenda 10 ditëve kalendarike nga dërgimi i njoftimit, i dërgohet një njoftim i dytë të nesërmen e përfundimit të afatit nëpërmjet punonjësit të policisë kompetent për territorin dhe shërbimit të policisë gjyqësore.

Në njoftimin e dytë i dënuari njoftohet lidhur me dërgimin e Raportit të Mospërmbushjes pranë gjykatës kompetente pas pesë ditëve kalendarike nga data e njoftimit të dytë.

Punonjësi i shërbimit të provës përgjegjës për mbikqyrjen e të dënuarve të mitur, njoftimet sipas këtij neni i realizon nëpërmjet kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të dënuarit të përcaktuar në vendimin gjyqësor.

Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës vlerëson arsyet e dokumentuara që kanë penguar vendosjen e kontaktit për të dënuarin. Për vlerësimin e arsyeve të dokumentuara punonjësi i shërbimit të provës në rastet kur e vlerëson të nevojshme, ka të drejtën të kërkojë konfirmim zyrtar nga institucionet shtetërore ose jo shtetërore që kanë lëshuar aktin.

Punonjësi i Shërbimit të Provës në kontaktin e parë me të dënuarin verifikon identitetin e tij dhe e informon në gjuhë të kuptueshme prej tij për qëllimin dhe objektivat e mbikëqyrjes, për të  të drejtat dhe garancitë ligjore, për  detyrimet ligjore dhe gjyqësore, si dhe për pasojat që rrjedhin nga mospërmbushja e tyre.

Në rastin e të dënuarve të mitur, kontakti realizohet në prani të kujdestarit ose përfaqësuesit të tij ligjor. I dënuari merr pjesë në përcaktimin e mënyrës së zbatimit të alternativave të dënimit me burgim dhe ka të drejtë të kërkojë rishikimin apo ndryshimin e saj kur e lejojnë kushtet.

I dënuari ka të drejtën e ankimit administrativ kundër veprimeve të punonjësit të Shërbimit të Provës të caktuar me mbikëqyrjen e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të drejtat dhe garancitë e parashikuara për të dënuarin, zbatohen për aq sa janë të pajtueshme edhe për personin nën hetim dhe të pandehurin. Ndaj personit nën hetim dhe të pandehurit shtrihen edhe të drejtat dhe garancitë që janë parashikuar për të dënuarin.

Punonjësi i Shërbimit të Provës në kontaktin e parë me të dënuarin, siguron informacionin e nevojshëm për vlerësimin e situatës ekonomike, sociale, gjendjen shëndetësore, varësive nga substancat si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për vlerësimin paraprak të të dënuarit.

Veprimet e realizuara gjatë takimit të parë regjistrohen në procesverbal, i cili nënshkruhet prej punonjësit të shërbimit të provës dhe të dënuarit. Kur i dënuari është i mitur, procesverbali nënshkruhet edhe nga kujdestari ose përfaqësuesi i tij ligjor.

 

 

Neni 20

Programi i realizimit të mbikëqyrjes

 

Punonjësi i Shërbimi i Provës përgjegjës, harton  programin e realizimit të mbikëqyrjes të përshtatshëm me alternativën e dënimit me burgim të caktuar, brenda 15 ditëve kalendarike nga kontakti i parë me të dënuarin.

Programi hartohet në bashkëpunim me të dënuarin dhe bazuar në kushtin dhe detyrimet e ngarkuara në vendimin gjyqësor, informacionin e administruar gjatë të gjithë procesit, si dhe vlerësimin individual të të mbikëqyrurit.

Në rastin e të dënuarve të mitur në hartimin e programit mund të përfshihet edhe kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i caktuar në vendimin gjyqësor nëse kërkohet nga i mituri.

Programi i realizimit të mbikëqyrjes mund të ndryshohet në varësi të kushteve apo rrethanave që verifikohen gjatë procesit të mbikëqyrjes edhe me kërkesë të të dënuarit. Kur mendimi i të dënuarit nuk vlerësohet nga punonjësi i shërbimit të provës përgjegjës,  veprimet e tij mund të kundërshtohen te Drejtori i Zyrës Vendore.

Drejtori i Zyrës vendore mund të kërkojë informacion lidhur me hartimin dhe ndryshimin e programit të realizimit të mbikëqyrjes nga punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës dhe të caktojë detyra për punonjësin e Shërbimit të Provës dhe të dënuarin.

 

Neni 21

Detyrimet e tё dёnuarit nё rast ndryshimit tё vendbanimit

 

I dënuari në provë njofton me shkrim punonjësin përgjegjës për mbikëqyrjen e tij për ndryshimin e vendbanimit apo vendqëndrimit. Në raste urgjente i dënuari në provë njofton paraprakisht nëpërmjet telefonit dhe më pas me shkrim. Brenda 15 ditëve nga ndryshimi, i dënuari në provë i paraqet punonjësit të caktuar të dhënat e detajuara rreth situatës së re.

Në rastin e udhëtimeve që i tejkalojnë 8 ditë, i dënuari në provë informon Shërbimin e Provës për adresën e vendit ku do të qëndrojë, numrin e telefonit dhe ditën e kthimit nga udhëtimi.

Nëse vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i personit ndodhet në një zonë jashtë kompetencës tokësore të zyrës vendore të Shërbimit të Provës të ngarkuar fillimisht me çështjen, kjo e fundit brenda 3 ditëve i dërgon zyrës vendore të Shërbimit të Provës, në kompetencën tokësore të së cilës gjendet vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i të dënuarit, dosjen personale të të dënuarit në prove. Zyra kompetente për mbikëqyrjen e të dënuarit pas ndryshimit të vendbanimit apo vendqëndrimit, njofton prokurorin për ndryshimin e kompetencës së verifikuar.

Në rastin e ndryshimit të vendit të punës, i dënuari në provë njofton me shkrim Shërbimin e Provës dhe e informon atë për arsyet e ndryshimit, vendin e ri të punës, natyrën dhe veprimtaritë e punës.

 

Neni 22

Përkujdesja për të dënuarit

 

Punonjësi i Shërbimi i Provës përgjegjës, ndihmon dhe mbështet të dënuarin për ri-integrimin social të tij, bazuar në informacionin e administruar gjatë të gjithë procesit dhe vlerësimin e personalitetit dhe të mjedisit social të  të dënuarit.

Punonjësi i Shërbimi i Provës përgjegjës mban kontakte të vazhdueshme me të dënuarin dhe/ose të mbikëqyrurin gjatë gjithë periudhës së vënies në provë dhe kur kërkohet nga i dënuari ofron mbështetje për përkujdesjen e mëtejshme pas përfundimit të periudhës së provës.

 

Neni 23

Mbështetja për të dëmtuarit

 

Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës mbikëqyr zbatimin e detyrimeve për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga i dënuari gjatë kryerjes së veprës penale.

Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës mund të ndërmjetësojë midis të dënuarit dhe të dëmtuarit gjatë të gjitha fazave të procesit penal. Gjatë procesit të ndërmjetësimit punonjësi i Shërbimit të Provës respekton kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Punonjësi i Shërbimit të Provës gjatë procesit të ndërmjetësimit, nuk ka detyrimin të informojë lidhur me fakte apo ngjarje për të cilat merr dijeni, me përjashtim të rasteve kur informacioni shërben për parandalimin e një vepre penale.

 

Neni 24

Mospërmbushja e kushteve dhe detyrimeve

 

Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës, kur konstaton mos përmbushje të programit të realizimit të mbikëqyrjes,  ka detyrimin të verifikojë faktet dhe rrethanat penguese. Kur faktet dhe rrethanat penguese qëndrojnë, ka detyrimin të ndryshojë në bashkëpunim me të dënuarin programin e realizimit të mbikëqyrjes. Kur faktet dhe rrethanat e parashtruara nga i dënuari nuk qëndrojnë, paralajmëron me shkrim të dënuarin mbi pasojat e mospërmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në vendimin gjyqësor.

Kur i dënuari i paralajmëruar, brenda 15 ditëve kalendarike nga paralajmërimi, me veprime ose mosveprime nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në programin e realizimit të mbikëqyrjes, Punonjësi i Shërbimit të Provës përgjegjës, i kërkon prokurorit, duke informuar njëkohësisht gjykatën për nevojën e  ndryshimit të pjesshëm a të plotë të dënimit alternativ ose revokimin e tij.

 

KREU V

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 25

Bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë

 

  1. Në rastet kur Shërbimi i Provës vlerëson se në raste të veçanta duhen zbatuar rregullat e Konventës Evropiane “Për mbikëqyrjen e personave të dënuar ose të liruar me kusht” apo sipas rregullave e ndonjë akti tjetër ndërkombëtar të ratifikuara, atëherë njofton dhe bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë.
  2. Procedurat e bashkërendimit të punës me Ministrinë e Drejtësisë përcaktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 26

 

Punonjësit që ushtrojnë detyrën para hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë detyrimin të plotësojnë kërkesat e paragrafit 5 të nenit 13 të këtij ligji, brenda dy vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

Neni 27

Shfuqizime

Çdo akt nënligjor që bie ndesh me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohet.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here