Vendimet e të treja shkallëve të gjyqësorit janë konsideruar të parregullta nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, provat nuk janë marrë në mënyrën e duhur ligjore, eksperimenti jo rregullt, deklarimet e të pandehurit janë cilësuar inkriminuese për të, pasi janë marrë pa praninë e mbrojtësit ligjor në polici. Kjo dëshmi është përdorur kundër të pandehurit Luan Mara
Alma Çuka
Masakra e Kozarës e cila tronditi mbarë opinionin publik në vitin 2006, rikthehet për rigjykim. Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e saj të arsyetuar , ku rëndit të gjith afaktet që bënë shumicën e anëtarëve të votonon pro kërkesës së të pandehurit Luan Mara për prishjen e tre shkallëve të gjykimit, kundër tij. Ai u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2012, në 2012 i njëti vendim u la në fuqi nga shkalla e dytë, ajo e apelit dhe në 2014 vendimi u vulos nga Gjykata e Lartë. Sipas vendimit të Kushtetueses, Mara do të do të rigjykohet sërish nga Shkalla e Parë në Berat. Ai akuzohet për vrasjen e trefishtë atë të vëllait Shpëtimit, bashkëshortes së tij, Flories shtatzënë dhe djalit të çiftit Artiolit. Në vendimin e saj gjykata shprehet për herë të dytë se ka gjetur shkelje kushtetuese për mënyrën sesi janë marrë provat, sesi është kryer eksperimenti hetimor dhe sesi u mor dëshmia vetë-inkriminuese e të pandehurit.
Sipas gjykatës autoritetet duhet të kryenin një hetim të plotë, ndërkohë që Gjykata e Lartë, nuk i ka kontrolluar vendimet e shkallëve të tjera në mënyrë që të konfirmohej një proces i rregullt ligjor. Sipas Gjykatës Kushtetuese, megjithëse kjo çështje është kthyer edhe një herë prej saj, gjykatat duhet të ishin korrigjuar dhe të sqaroheshin rrethanat sesi janë marrë provat gjatë hetimit paraprak. Menjëherë pas vendimit, avokati i Luan Maras i bën apel ministrit të Brendshëm që të marrë masa për oficerët e policisë që dhunuan klientin e tij e që sipas avokatit e detyruan të jepte një dëshmi kundër vetes. Kundër Luan Maras, që njihet si autori i masakrës së Kozares, prokuroria ka dy prova kryesore, ekspertimin hetimor dhe pohimin e krimit nga i dyshuari.
Disa nga argumentet e zbardhura të Gjykatës Kushtetuese
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese thonë se në vendimin e saj nr. 14/2011 Gjykata ka nënvizuar se “[…] është provuar në rrugë gjyqësore se i pandehuri Luan Marra është marrë në pyetje në mjediset policore pa praninë e mbrojtësit ligjor dhe se ky i fundit, i thirrur pas përfundimit të pyetjes, më pas ka nënshkruar një deklaratë sipas të cilës i pandehuri kishte pranuar para punonjësve të policisë autorësinë për veprën e kryer. Gjatë gjykimit në shkallën e parë i pandehuri ka pretenduar se është detyruar të nënshkruante deklarimin, në të cilin pranonte fajin, si pasojë e dhunës së vazhdueshme të ushtruar ndaj tij nga punonjës policie. Prokuroria ka paraqitur para gjykatës si prova në ngarkim të të pandehurit procesverbalin e pyetjes së tij dhe një eksperiment hetimor, nga të cilat, sipas prokurorisë, provohet fajësia e të akuzuarit. Gjykata çmon se mbrojtësi ligjor duhet të jetë i pranishëm gjatë marrjes në pyetje të të ndaluarit dhe mbi të gjitha, duhet që në çdo rast të kujdeset për interesat e të ndaluarit. Pjesëmarrja e mbrojtësit është një garanci serioze jo vetëm për mbrojtjen e interesave të të ndaluarit ose të pandehurit, por edhe për të garantuar një proces të rregullt ligjor në funksion të dhënies së drejtësisë. Gjykata, për sa më sipër, vlerëson se ndaj kërkuesit është cenuar standardi kushtetues i parashikuar nga neni 31 i Kushtetutës.
Dyshimi për mënyrën se si është pranuar fajësia
Gjykata vlerëson se në çështjen në shqyrtim vërehen dyshime serioze për kushtet dhe rrethanat në të cilat kërkuesi ka pohuar fajësinë e tij për veprën për të cilën akuzohet, për rrjedhojë edhe në përmbushjen e standardeve për një proces të rregullt ligjor lidhur me mënyrën e marrjes së provave. Në rastin konkret jo vetëm që ka dyshime serioze se ndaj kërkuesit është ushtruar dhunë për të marrë pohimin e tij, por pretendohet nga ky i fundit se është detyruar të dëshmojë kundër vetvetes, në kundërshtim me ndalimet që burojnë nga nenet 25 dhe 32 të Kushtetutës. Gjykata çmon se në çështjen objekt shqyrtimi si nga Prokuroria, ashtu dhe nga gjykatat nuk janë përmbushur, gjithashtu, detyrimet që burojnë nga konventa në fjalë për një hetim të plotë dhe të pavarur të të gjitha pretendimeve të kërkuesit për ushtrim dhune ndaj tij. Standardi kushtetues në lidhje me procesin e rregullt ligjor gjatë hetimit penal kërkon që organi procedues të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri e ka kryer veprën penale që i atribuohet”.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/f dhe 134/1, shkronja “g”, të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash vendosi pranimin e kërkesës. U vendos shfuqizimi i vendimeve nr. 123, datë 02.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat; nr. 328, datë 27.06.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë; nr. 00-2014-1593, datë 06.11.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor berat.