Një përdorues i Reddit gjeti një mënyrë brilante, duke përdorur arkat e kursimeve (piggy banks), garderobat dhe një mama të zemëruar për të shpjeguar Panama Papers, si dhe kur është e gabuar të përdorësh llogaritë offshore
Me nxjerrjen e Panama Papers, zbulimet për botën e errët të llogarive bankare offshore po vijnë njëri pas tjetrit. Po si mund ta shpjegosh sa më thjeshtë? Dhe si mund të shpjegosh se ndonjëherë ka arsye të mira për të përdorur llogaritë bankare offshore? Përdoruesi i Reddit, DanGliesack gjeti një mënyrë shumë interesante për ta përcjellë kompleksitetin e skandalit në një rrëfim të thjeshtë për ata që janë pesë vjeç, apo ndoshta edhe pak më të rritur.
Kur të japin para xhepi, ti i fut në arkën tënde të kursimeve. Arka në formë derrkuci ndodhet në një raft në dollapin tënd. Mamaja jote e di, dhe ajo e kontrollon herë pas here, me qëllim që ta dijë se sa para fut brenda, apo sa shpenzon.
Një ditë, ti mund të vendosësh që “nuk dua që mami të më shohë paratë”. Kështu që shkon tek shtëpia e Xhonit me një tjetër arkë kursimi në formë derrkuci, që do e mbash në shtëpinë e tij. Shkruan mbi të emrin tënd dhe e vendos në dollapin e Xhonit. Mamaja e Xhonit është gjithmonë shumë e zënë, kështu që nuk e kontrollon asnjëherë arkën e tij të kursimeve. Kështu që ti mund ta mbash arkën tënde atje, dhe sekreti do të ruhet.
Të gjithë fëmijët e pallatit mendojnë që kjo është ide shumë e mirë, dhe të gjithë shkojnë tek shtëpia e Xhonit me arka kursimi shtesë. Tani dollapi i Xhonit është e mbushur me arka kursimi nga fëmijët e pallatit.
Por një ditë, mamaja e Xhonit shkon e sheh brenda në dollap, dhe shikon aty të gjithë arkat e kursimit. Ajo zemërohet shumë dhe thërret prindërit e të gjithëve për t’ua bërë të ditur.
Tani, jo të gjithë e bënë këtë gjë për një arsye të keqe.
Vëllai më i madh i Erikut vjedh nga arka e tij e kursimeve, kështu që ai donte një vend më të mirë për ta fshehur. Tami donte që të kursente për t’i blerë mamasë një dhuratë për ditëlindje, pa e ditur ajo. Azimi thjeshtë e donte sepse ishte argëtuese.
Por shumë fëmijë e bëjnë për një arsye të keqe.
Elisabeta po vidhte paratë e drekës së njerëzve dhe nuk donte që prindërit ta zbulonin. Risi vidhte lekë nga kuleta e mamasë. Dhe prindërit e Bobit e kanë futur në dietë, kështu që ai nuk donte që ata ta zbulonin se po blinte ëmbëlsira.
Tani në jetën reale, shumë njerëz të rëndësishëm u kapën duke fshehur arkat e tyre të kursimeve në shtëpinë e Xhonit në Panama. Sot, mamatë e të gjithë atyre e zbuluan. Shumë shpejt, do të dijmë më shumë, se cilët njerëz të rëndësishëm e bënin për arsye të këqia dhe cilët për arsye të mira. Por sido që të jetë, të gjithë janë në hall.
Eshtë një analogji shumë e mirë.
Duhet ditur që jo të gjithë e kanë bërë këtë gjë për arsye të këqia. Si pjesë e mbulimit të Panama Papers, “Fusion” ka botuar një listë të arsyeve përse mund të përdorësh një korporatë në parajsa fiskale.
Disa arsye legjitime mund të jenë:
- Për të ruajtur sekretet tregtare – pra të mos lejosh që konkurrentët të pikasin që po investon në materiale për një linjë të re produktesh.
- Për të mos u zhvatur – ofruesit e shërbimeve apo hotelet mund të përpiqen të fusin një shtesë në cmim nëse zbulojnë se kanë të bëjnë me një emër të madh, një kompani të madhe apo një njeri të famshëm.
- Për të qenë i sigurtë – nëse po ofron shërbime si përkthime për ushtri të huaja dhe diplomatë në zona lufte, mund të jetë e këshillueshme të mos lësh gjurmë.
Disa arsye më pak legjitime mund të jenë:
- Kur duket se ka një konflikt të padeklaruar interesi – si për shembull me Kryeministrin e Islandës.
- Kur kompania është regjistruar në momentin kur vendi ku ti je president, përballet me një rrezik ushtarak.
- Kur si Kryeministër i Britanisë ti ke thënë se shmangia e taksave është “moralisht e gabuar”, por zbulohet se familja jote ka patur një llogari në parajsa fiskale, që shmangte pagimin e taksave në Britani.
- Kur duket sikur kompania jote mund të jetë përdorur nga diktatorë për të blerë armë.
Por këto nuk dimë si t’ia shpjegojmë një 5-vjecari. Ndoshta duhet të kthehemi tek pjesa e arkës së kursimit në formë derrkuci.