Ka startuar me dy ndeshjet e para, Vllaznia-Teuta dhe Tërbuni-Bylis, java e 29 e Superligës. Në ndeshjen e luajtur në Shkodër, skuadra e Teutës ka fituar 0-2 duke shfrytëzuar mjaft mirë rrezikshmërinë me kundërsulme.
Goli i parë u shënua në minutën e ‘17 nga Musta, ndërkohë që në pjesën e dytë skuadra e drejtuar nga Magani gjeti golin e dytë pikërisht me djalin e trajnerit, Artur Maganin.
Me këtë fitore Teuta ngjitet në kuotën e 48 pikëve, aq sa edhe Kukësi, i cili do ta luajë të dielën ndeshjen e tij të kësaj jave.
Ndërkohë, sa i përket duelit të mbijetesës mes Tërbunit dhe Bylisit, skuadra ballshiote ka arritur ta fitojë minimalisht atë, 0-1.
Kjo fitore, falë golit të Bilalit në minutën e ’21, nuk e nxjerr dot Bylisin nga zona e ftohtë, por megjithatë e afron 3 pikë me Flamurtiarin, që është në vendin e tetë dhe me një ndeshje më pak.