“Dy raporte të rëndësishme ndërkombëtare kanë konfirmuar realitetin tronditës në Shqipëri për gjendjen e ekonomisë dhe të demokracisë”. Kështu ka deklaruar deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
“Freedom House dhe Dhoma Gjermane e Industrisë bashkohen tek një tregues në lidhje me përkeqësimin e situatës në vendin tonë, që është korrupsioni galopant. 56 përqind e bizneseve gjermane e vlerësojnë si negative klimën në vend. Në 1 vit bie me 9 përqind vlerësimi gjerman për Shqipërinë. Të fundit e konsideron biznesi gjerman Shqipërinë si mundësi investimi në rajon. Faktorë të vlerësuar si pengesë në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion investimesh janë mungesa e luftës kundër informalitetit dhe korrupsionit, transparencës në tendera publikë, sigurisë ligjore, parashikueshmërisë së politikave ekonomike dhe administratës publike. Nga ana tjetër, Freedom House thotë se Shqipëria është kthyer 12 vite mbrapa në gjendjen e demokracisë, pikërisht në realitetin e vitit 2004”, u shpreh Tabaku.
“Korrupsioni i Edi Ramës dhe oligarkëve të tij është i pranishëm në çdo vendim, në çdo fond, në çdo zyrë publike. Tendera me fitues të përcaktuar ofertuesin me vlerën më të madhe, sa 99 e fondit limit. Sekserë të gërbulur në vjedhje si Kokëdhima që është kthyer në adresën zyrtare të investitorëve. 340 milionë euro të shëndetësisë që u ndanë mes miqsh, ndërkohë që shëndetësia është në ditën më të keqe, pa ilaçe e pa pajisjet bazë. 400 milionë dollarë u vodhën në dogana e tatime vetëm vitin që shkoi. 970 milionë euro dëme në një vit të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Dhe ndërsa hajdutëria rritet, Banka Botërore tregon se 46.2 përqind e familjeve shqiptare janë zhytur në varfëri e jetojnë me jo më shumë se 5 dollarë në ditë”, shtoi Tabaku.