Pianoja e Tefta Tashkos do të rikthehet në parametrat e instrumentit
Pianoja e aritistes së shquar Tefta Tashko Koço do të kthehet në parametrat e funksionit të saj, atë të një instrumenti muzikor, por ajo do të mbetet në objekt muzeal. Kjo do të ndodhë pas përfundimit të procesit të restaurimit që do të kryhet nga ekspertët e Muzeut Historik Kombëtar. Vetëm pak ditë më parë pianoja e lirikes sonë Tefta Tashko është zhvendosur nga Liceu Artistik ku qëndronte prej disa vitesh i lënë në harresë në ambientet e muzeut. Ajo do të kalojë për restaurim dhe më pas, ashtu siç shprehet edhe vetë drejtori i Muzeut Historik, Melsi Labi, pianoja nuk do të jetë jo thjesht një objekt dekorimi, por do të kthehet brenda parametrave operativ të një instrumenti muzikor. Për dirigjentin e njohur Eno Koço, që është dhe djali i sopranos së famshme, nxjerrja e pianos nga harresa, restaurimi dhe ekspozimi i saj, merr shumë vlera pas kaq vitesh. Eno Koço falenderon Muzeun Historik, këmbëngulja e të cilit bëri të mundur rievidentimin e këtij objekti. Sipas Koços, kjo piano është blerë në vitin 1942, por është përdorur fare pak nga Tefta Tashko, pasi ajo u sëmur rëndë dhe disa vite më pas, pikërisht në vitin 1947, kur u nda nga jeta. Eno Koço thotë gjithashtu se piano ka shkuar në Liceun Artistik në vitin 1935 dhe është përdorur deri në fillimet e viteve ’90, por më pas ka dalë nga qarkullimi. Nga ana e tij Melsi Labi shprehet se ardhja e pianos në Muze është bërë i mundur pas negociatave me Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë u bë e mundur që ky instrument me vlera muzeale të zhvendoset në bazë të rregullave nga lista e inventareve të Liceut Artistik. Labi shton se vendosja e pianos së një sopranoje të madhe si Tefta Tashko, do tu tregojë vizitorëve të shumtë që vizitojnë Muzeun Historik që Shqipëria nuk ka vetëm një histori lufte, por dhe një histori kulture. Pianoja është përdorur nga sa shumë breza mësuesish dhe nxënësish në shkollën e muzikës “Jordan Misja”. Tefta Tashko Koço është sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë. P. Stafa