Pas shkatërrimit të “Republikës së Lazaratit”, një tjetër “Republikë” ka lindur! Shkodra i ka zënë vendin Lazaratit për kultivimin e kanabisit. Qarku i Shkodrës mbetet më problematiku për kultivimin e bimëve narkotike dhe kjo pranohet zyrtarisht edhe nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato, nga Shkodra, tha se ky qark ka riskun më të lartë të kultivimit me 35%, kjo ndihmuar edhe nga terreni malor. “Janë identifikuar 1730 parcela dhe janë asgjësuar, 285.468 bimë narkotike. Qarku i Shkodrës zë rreth 35% të totalit të bimëve narkotike. Pra, është qarkun me rriskun më të lartë”, deklaroi Qato. Altin Qato ka paralajmëruar shkarkimin e policëve që nuk zbulojnë parcelat. Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë ishte i prerë në qëndrimin e tij kur iu rikujtoi efektivëve të policisë dhe përfaqësuesve vendorë se do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse nuk bashkëpunojnë. Ai tha se përgjegjësit e territorit do të mbajnë përgjegjësi. “Çdo territor ka një përgjegjës dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi. Është porosi edhe e z. ministër dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit se, në territoret ku konstatohen aktivitete të tilla, do të mbajmë qëndrim për punonjësit që janë përgjegjës për kontroll territori. Punonjësi i policisë e ka për detyrë të kontrollojë territorin. Do të ketë ndjekje penale nëse ata nuk janë aktiv”, paralajmëroi Qato. Kultivimi i narkotikëve Drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Lorenc Panganika, tha se edhe këtë vit ka tendenca për kultivimin e narkotikëve. “Edhe këtë vit ka tendenca për kultivimin e bimëve narkotike. Shkaqet që e favorizojnë janë problemet ekonomike, terreni etj”, u shpreh Panganika. Kultivimi në masë i kanabisit është shndërruar sërish në një problem madhor. Vetëm pak ditë më parë, një 44-vjeçar është prangosur nga Policia e Beratit pasi në banesën e tij, në vazo lulesh, ai kultivonte lëndë narkotike kannabis sativa, ndërkohë që mbante edhe municione. Sipas policisë së këtij qyteti, në pranga ka rënë Artur Hoxha 44 vjeç nga Kuçova, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në banesën e tij në lagjen “1 Maj” Kuçovë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 930 fara bimë narkotike Canabis Sativa, 6 bimë narkotike kanabis Sativa të mbjella në vazo me gjatësi 15 centimetra, 15 gram lëndë natkotike marijuana, si dhe 9 pako municione me 630 copë fishekë model 54 të kalibrit 7.62 mm. Në prag të sezonit të mbjelljes së kanabisit, edhe në Durrës zyrtarët vendorë kanë diskutuar për masat parandaluese për fenomenin. Më problematikët janë zonat malore të Krujës dhe Fushë Krujës.
Home Aktualitet Kronikë Shkodra i zë vendin Lazaratit për kultivimin e kanabisit, problem për policinë...