Dy shqiptarë u arrestuan nga policia italiane pasi akuzohen për posedime të madhe të drogës me qëllim trafikimin.
Në pranga përfunduan Milvan Mina dhe Arjon Veli, 35 vjeçarë, të cilët jetojnë në San Benedetto.
Arrestimi i tyre u bë në mënyrë rastësore, pasi policia po qarkullonte në periferi të qytetit Giulianova për të shënjestruar grabitësit e banesave, kur pikasën një Audi A3 të zi.
Makina u largua disa herë nga e njëjta shtëpi, çka ngriti dyshime tek forcat e rendit.
Makina u vendos nën vëzhgim dhe u pa që shkonte në brendësi të qytetit.
Menjëherë u vunë në aksion, duke ndaluar automjetin në një zonë të paasfaltuar.
Shqiptarët tentuan të largoheshin, por u neutralizuan nga policia. Nga kontrolli në makinë u gjetën 7 kg heroinë, e paketuar në formë të bukës.
Gjithashtu, u sekuestrua edhe 800 gr kokainë. Vlera totale e drogës sipas medieve italiane është 250 mijë euro. Lënda narkotike do të shpërndahej në Teramo.
Shqiptarët dolën sot përpara gjykatës, ku u vlerësua masa e arrestit. Trupi gjykues e quajti të ligjshëm arrestimin.