Epidemia më e rrezikshme sot në vend, është mungesa e ilaçeve, sidomos për sëmundjet e rënda, çfarë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, ndërkohë që 340 milionë euro Edi Rama dhe Ilir Beqa kanë ndarë me miqtë e tyre, ndërkohë që qindra milionë lekë jepen çdo muaj për Vilmën, e megjithatë, medikamente nuk ka. Fondi për shëndetin po vidhet çdo ditë, dhe Ilir Beqaj injoron thirrjet për ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre. Në spitalin Onkologjik, edhe pas denoncimeve të pacientëve, vizitës së deputeteve te PD te Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, gjendja është katastrofike. Akseleratori linear nuk është vënë në funksionim ende. Njëra prej aparaturave të kobaltit nuk e ka burimin e energjisë të përshtatshëm e nuk funksionon ashtu siç duhet. Ilaçet mungojnë. Në pjesën më të madhe të rasteve, qytetarët nuk e përballojnë dot faturën e kripur të këtyre medikamenteve të shtrenjta që duhet ti marrin nëpër farmaci. E në këto raste, jo vetëm shëndeti por edhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë. Për ta përditësuar kampionin e korrupsionit, po ju sjellim disa dëshmi, të publikuara ditët e fundit në gazetën Shendet Plus. – Qerimi nga Kukësi, i papunë ka dy fëmijë hemofilik, një djalë 10 vjeç dhe një vajzë 12 vjeç. Ai thotë se në QSUT nuk ka ilaçe, mungon prej kohësh faktori VIII. Mungesa e mjekimit të pështatshëm shkakton hemorragji dhe jeta e fëmijëve është në rrezik.