Shkodra së shpejti çel Muzeun e Fototekës Kombëtare Marubi
Restauratori Stamati shpjegon punën që po kryhet me mjetet e punës të përdorura nga Familja Marubi të cilat do të ekspozohen në muzeun e ri të Shkodrës. Sipas tij gjatë rrugës dalin shumë vështirësi të cilat kërkojnë edhe më shumë kohë dhe më shumë fonde për materiale të vecanta të cilat duhet të blihen jashtë vendit.
Një muze kushtuar dinastisë së Marubit do të çelet në Shkodër. Muzeu i Fototekës Kombëtare Marubi do të përurohet së shpejti dhe në të do të ketë ekspozohen të gjitha mjetet e punës të përdorura nga Marubët. Për ti risjellë në gjendjen sa më të mirë këto pajisje po kujdeset restauratori më me eksperiencë në këtë fushë, Frederik Stamati. “Së shpejti në Shkodër do të përurohet Muzeu i Fototekës Kombëtare Marubi. Do të jetë një ekspozim interesant i aparateve mbi njëqind vjeçarë të përdorur nga Marubi, si dhe të mjeteve të tjera të punës. Gjthashtu foto domethënëse, të realizuara me këtë teknologji, do të plotësojnë kuadrin e muzeut. Nuk është vetëm çështje e përgatitjes së objekteve për ekspozim, por edhe se si punonin këto “kuti” prej druri, me të cilat janë realizuar ato foto artistikisht të mrekullueshme, por edhe me vlerë historike, pa të cilat vështirë se do të mund ta njihnim jetën reale të shqiptarëve gjatë atyre kohërave.”, kështu është shprehur restauratori Stamati teksa ndodhet ende mes këtyre veprave duke punuar. Puna që po kryhet me restaurimin e aparatet e fotografike të dinastisë Marubi, është cilësuar mjaft profesionale edhe nga zv.Ministri i Kulturës Zef Cuni, i cili po ndjek nga afër edhe ecurinë e punës për hapjen e këtij muzeu.
Duke e shkëputur për disa minuta nga puna e tij, Gazeta Standard pyeti Z.Stamati lidhur me punën restauruse që ai po kryen mbi pajisjet e përdorura nga familja Marubi. “Unë po merrem me restaurimin e aparateve fotografike. Janë ata origjinalë të studios. Ka nga ata mbi 100 vjeçarë. Janë nga ata që punonin me xhama dhe jo me filma. Dy gjëra kemi vendosur si orientim të punës. E para- ata të jenë në gjendje të ekspozueshme, duke ruajtur gjurmët e përdorimit gjatë viteve . E dyta- mundësisht të jenë në gjendje pune. E gjithë kjo nuk është aq e lehtë. Jo vetëm që duhet të kuptosh teknologjinë e prodhimit, por të përballesh edhe me llojin e materialeve të përdorura. Nuk janë si materialet e sotëm, plus që kanë pësuar ndryshime gjatë kohës.”, në rrëfen restauratori Stamati. Më tej Frederik Stamati thotë se për të përmbushur procesin duhet ende shumë punë, pasi gjatë rrugës dalin shumë vështirësi të cilat kërkojnë edhe më shumë kohë dhe materiale të vecanta të cilat duhet të blihen jashtë vendit e për të cilat momentalisht nuk ka fonde për to. “P.sh të gjitha bojërat janë të paqëndrueshme, vjellin gjatë kontaktit me ujin, ose me tretsa organike. Kështu që duhet të gjesh rrugën e ndërhyrjes, se si do ta stabilizosh objektin, çfarë do të bësh tani dhe çfarë do të lesh për të ardhmen, kur të kesh kohë të mjaftueshme në dispozicion, sepse janë ndërhyrje që duan bazë materiale speciale, pra duhet ta blesh diku jashtë, të praktikosh ndërhyrjen, të kesh në gjendje punë aparaturën e përshtashme, etj. Kjo gjë kërkon kohë dhe fonde dhe të dyja këto aktualisht nuk i kemi. Pra, dalin vështirësi të shumta që duhen kaluar.”, thotë Frederik Stamati.
Marubi ekspozitë në Berlin, shfaqet fytyra evropiane e Shqipërisë
Shqipëria moderne e shekullit të XIX dhe XX prezantohet në Berlin përmes 35 fotografive të vyera të dinastisë Marubi. Është çelur ekspozita “499 965” e cila prezanton pionerët e parë të fotografisë për vendin tonë në një ekspozitë të parë për nga lloji i saj. Vlerat historike, social kulturore dhe ato antropologjike prezantohen përmes fotove të bëra në një kohë kur në Shqipëri fotografia nuk njihej duke treguar një fytyrë tjetër të Shqipërisë së atyre viteve, e lidhur ngushtësisht me Evropën kulturalisht ndër shekuj. Këto foto të pazakonta përcjellin mesazhe të një tjetër natyre për Shqipërinë që njihej në ato vite nga të ndërkombëtarët dhe evropa. Kjo ekspozitë realizohet në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin kulturor. Çelja e kësaj ekspozite ka si objektiv të saj që të dëshmojë këto fakte të sipërpërmednura dhe të rregullojë imazhin stereotip të krijuar për shqiptarët në Gjermani lidhur me fluksin e tanishëm të refugjatëve. Italiani Pietro Marubbi u largua nga vendi i tij për arsye politike. Ai erdhi së bashku me pajisjet e tija fotografike dhe u vendos në veri të Shqipërisë duke ndërtuar kështu një perandori fotografike, e cila është një thesar unik për Shqipërinë. 500.000 imazhe të Shqipërisë së vjetër janë shkrepur në disa dekada. Pa këto dokumente historike, vështirë se do të dinim sot sesi dukej Shqipëria në periudhën gjatë viteve 1858-1940. Fotografi Pietro Marubi ka bashkëpunuar me dy shqiptarë të rinj e të talentuar, që e vazhduan punën edhe pas vdekjes së tij: Kel dhe Gegë Marubi të cilët arkivuan në studio, mbi tre breza të Shqipërisë, në shekullin e XIX dhe të XX.