Nga burgjet e ISIS-it në burgjet Kosovës, dëshmitari tregoi peripecitë e tij, duke pretenduar se ishte gënjyer nga imamët dhe torturuar nga terroristët. Ata i mbanin të mbyllur në qeli dhe kur hetuesit vinin, u lidhnin sytë ndërsa i merrnin në pyetje. Vazhdimisht kërcënoheshin se do t’i vrisnin.Nuk mungonin torturat psikologjike dhe nganjëherë edhe ato fizike. Këta nuk ishin hetues të zakonshëm, por pjesë e strukturave të zbatimit të variantit më ekstrem të ligjit fetar, të të ashtuquajturit Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit.Kështu kujton kosovari F. S. në një sallë gjykate në Prishtinë, i cili ishte i mitur kur u arrestua për pjesëmarrje në organizata terroriste kur u kthye në Kosovë, dhe më pas u dënua me burg për të njëjtën vepër.Bashkë me një grup tjetër kosovarësh ai kishte udhëtuar për në Siri në shkurt të vitit 2015 dhe ishte kthyer në Kosovë në maj të të njëjtit vit.Ndonëse i riu nga Ferizaj pretendon se kishte udhëtuar në zonën e konfliktit për t’i ndihmuar popullit sirian, dhe më pas kishte mbetur i burgosur në duart e ISIS, sërish sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk ngurroi ta burgoste.Kosovari, tani në moshë madhore që po vuan dënimin në burgjet e Kosovës pasi kishte vuajtur më parë keqtrajtimin në burgjet e ISIS-it, ishte thirrur në gjykatë për të dëshmuar mbi disa të akuzuar të tjerë që akuzohen për vepra që lidhen me terrorizmin.I ftuar nga Prokuroria Speciale, ai ishte dëshmitar në 29 mars, në seancën gjyqësore kundër të akuzuarve Kastriot Halimi, Hajrullah Aliu dhe Dardan Kërqeli.
“Prej Kosovës deri në Siri kam udhëtuar me personat Kastriot Halimin, Kujtim Xheladinin, Hashim Alijën, Valon Alijën dhe Florent Bajramin”, tha F. S.
“Familjen nuk e kam njoftuar për shkuarjen time ngase kam menduar që prindërit më kundërshtojnë”
Dëshmitari tha sesi ishte njohur me Kastriot Halimin, kurse për Hajrullah Aliun tha se vetëm ka lexuar nëpër gazeta që është hoxhë, ndërsa për Dardan Kërqelin tha se nuk e njehte fare.
Ai tregoi para trupit gjykues rrugëtimin nga Ferizaj deri në territorin e kontrolluar nga ISIS në Siri.
“Unë me Kastriotin fillimisht jemi takuar në Ferizaj ditën kur jemi nisë për në Siri e mandej me taksi kemi shkuar deri në Shkup dhe prej Shkupit deri në Stamboll kemi shkuar së bashku me aeroplan, pastaj prej Stambollit deri në Gaziantep, pikë kufitare në mes Sirisë dhe Turqisë, brenda zonës ku kontrollohet nga Shteti Islamik”, tregoi F.S.Dëshmitari kishte thënë se ai ka shkuar në Siri pa dijeninë dhe lejen e prindërve të tij, pasi që ai ka menduar se ata do ta ndalonin.
“Familjen nuk e kam njoftuar për shkuarjen time ngase kam menduar që prindërit më kundërshtojnë në këtë drejtim, unë nëse kam menduar që do të gjejmë dashurinë prej popullit sirian, myslimanëve, dhe ata do të na ndihmojnë që t’i kontaktojmë familjarët tanë”, tha ai.
Në gjykatë ai tha se motivi i shkuarjes në Siri “ka qenë çështje humaniteti dhe dhembshuria për çdo fëmijë dhe çdo njeri të pafajshëm që pëson prej asaj lufte”.Sipas tij, ligjërimet e hoxhallarëve në internet nga Shqipëria dhe Kosova kishin ndikuar që ai të bindej për të marrë aventurën e rrezikshme drejt zonës së konfliktit.
“Ligjërimi i hoxhallarëve përmes internetit Ahmed Kalaja i Shqipërisë dhe Fatmir Latifi nga Mitrovica, këta i kam dëgjuar unë më shumë po ashtu porositë profetike që i ka bërë profeti, të cilat i kam lexuar që thërret që toka e Shamit apo e Levantit që është një pjesë e Sirisë të jetë e mbrojtur dhe e përkrahur nga myslimanët”, tha F.S.Por dëshmitari tha se qëllimi i tij për kontribut paqësor nuk ishte realizuar sepse pasi kishin rënë në duart e luftëtarëve të ISIS, atyre u ishte kërkuar që të merrnin pjesë në luftime.
“Gjërat qëndronin ndryshe atje, militantët e shtetit islamik na kanë thënë se ju nuk mundeni me ndejtë këtu vetëm t’i ndihmoni popullit, por domosdoshmërisht të merrni pjesë në luftë, dhe si çdo mendje racionale unë vendosa të kthehem në Kosovë”, tha ai.Dëshmitari shpjegoi se në momentin që ai kishte shprehur dëshirën që të kthehet në Kosovë, iu nënshtrua torturave nga pjesëtarët e ISIS, pasi që ata dyshonin se mos ishte ndonjë agjent sekret i shtetit, ndaj dhe e kishin dërguar në burgun e tyre në qytetin Raka.
“Torturave iu nënshtroheshim sepse ne nuk donim që t’u bindemi urdhrave të tyre, respektivisht që të dalim të luftonim”
“Nga zona e tyre nuk ishte e lehtë të largoheshe sepse personat që dëshironin të largoheshin për ata kanë qenë të dyshimtë mendonin se është ndonjë agjent sekret i shtetit dhe prej momentit që jam ndarë nga Kastrioti, mua me disa persona të tjerë të nacionaliteteve të tjera më kanë dërguar me vetura me sy të mbyllur në burgun e militantëve në qytetin Raka të Sirisë, ku kemi qëndruar rreth 4 muaj, ku aty iu kemi nënshtruar të gjitha torturave psikike e rrallë herë edhe fizike”, tregoi F.S.
Dëshmitari tha se torturave iu ishte nënshtruar pasi që ai nuk iu është bindur urdhrave të militantëve që të jetë pjesë e luftimeve.
“Vazhdimisht na i mbyllnin sytë kur na merrnin në pyetje, duke na e potencuar faktin se ‘a e dini se jeni nën kontrollin tonë, a e dini se kur të ktheheni në shtetet e juaja ju arrestojnë, a e dini se ne ju ekzekutojmë’ e në forma të tjera, ka pas raste kur na kanë tërheq zvarrë për arsyeje se nuk u bindeshim urdhrave të tyre”, tha ai.Sipas dëshmive në fjalë, F.S. ishte i vetmi shqiptar në atë burg të ISIS dhe merrej në pyetje në gjuhën angleze.
“Unë nuk e di se të gjithë militantët sirianë a e dinin gjuhën angleze por ata që më kanë marrë në pyetje e kanë folur në mënyrë perfekte gjuhën angleze”, tha F.S.Ai nuk e dinte nëse do të arrinte të dilte gjallë prej duarve të luftëtarëve të organizatës terroriste, dhe gjithçka varej nga vendimet që ata do të merrnin.
“Pas katër muajve militantët e panë që nuk ka kurrfarë përfitimi nga ana ime, gjetën mëshirë në zemrën e tyre dhe na liruan”, tha dëshmitari.
Dëshmitari rrëfeu edhe vështirësitë e kthimit për në Kosovë pas lirimit prej burgut të ISIS-it.
“Pasi që na kanë lëshuar militantët islamikë, na kanë dëbuar na zona e tyre me turmën e refugjatëve civilë sirianë. Kam dal në shtetin e Turqisë në mënyrë ilegale ndërsa pasaportën, gjërat personale dhe telefonin tim e kanë ndalë militantët”, tregoi ai.
Por të udhëtoje pa para, pa letërnjoftim dhe mjete komunikimi ishte tepër e vështirë: “Prej kufirit të Turqisë e deri në Stamboll kam arritur duke kërkuar lëmoshën e njerëzve”.
“I falënderohem Zotit që kam shpëtuar gjallë dhe të gjitha këto raste të merren me kujdesëshmëri të lartë”, përfundoi dëshmitari.Peripecitë e tij ligjore janë të ngjashme me ato të disa të të dyshuarve të tjerë për pjesëmarrje në organizata terroriste, të cilët po gjykohen në sistemin e Kosovës, ku aktakuzat e Prokurorisë Speciale mbështeten mbi vetë dëshmitë e të akuzuarve, të cilët tregojnë se kishin shkuar në Siri për të ndihmuar popullin Sirian, por pastaj kishin mbetur peng në duart e ISIS