Komisioni për Reformën në Drejtësi do të mblidhet pasditen e sotme në orën 16:00. Në mbledhje do të marrin pjesë vetëm anëtarët e mazhorancës, pas qëndrimit të deklaruar nga opozita për të bojkotuar punimet e Kuvendit për aq ditë sa do të jetë i përjashtuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Mbledhja e fundit u zhvillua para dy javësh. Palët vijojnë të jenë të ndarë dhe nuk dakortësohen për ngritjen e disa institucioneve të reja kushtetuese.
Demokratët shohin si problematike arkitekturën aktuale, kryesisht lidhur me mënyrën se si do funksionojë Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Tribunal Disiplinorë apo Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.
Por këtë padakortësi, Kryetari i Komisionit, socialisti Fatmir Xhafa, përpiqet ta minimizojë kur thotë se palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët vetëm për emërimet në këto institucione.
Për çështjet e padakortësuara mazhoranca dhe opozita kanë dhënë variantet e tyre të cilat do të shqyrtohen nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, të ndihmuar dhe nga ekspertët politikë.