Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi gjatë një interviste për Blendi Fevziun në emisionin “Opinion” u shpreh se asnjë nga gjërat për të cilat PS erdhi në pushtet nuk është bërë ende. Duke folur për të ardhmen e tij politik tha se ai nuk është më pjesë e kësaj shumice qeverisëse dhe foli për nevojën e një alternative të re. “Raporti im nuk është më me Rilindjen, është me të vërtetën. Rilindja është projekt personal, unë nuk mund të jem pjesë e një projekti personal. Në qoftë se Shqipëria ka nevojë për një gjë sot është një opozitë e re. Shqipëria ka nevojë për një ofertë të re, për një projekt të ri. Dy partitë e mëdha po degradojnë më keq sesa ishin 10 vjet më parë”, tha Blushi. Duke iu rikthyer vitit 2009 kur mes tij dhe Ramës pati një pakt, Blushi tha se këtë herë nuk mund të ketë më asnjë rekuperim në marrëdhënien e tyre. “Nuk kam ndërmend të bëj marrëveshje me asnjë njeri. Rama dhe Berisha përfaqësojnë të shkuarën. Njëra kërkon legalizim armësh, tjetra kërkon legalizim kanabisi. Mes meje dhe Rilindjes nuk ka më asnjë lloj rekuperimi”, u shpreh deputeti i PS-së.