Jeta “në pritje” e emigrantëve afganë në Turqi

0
152

download (3)

Që kur hyri ilegalisht në Turqi para katër viteve, Mostafa ka ndërtuar një jetë që shumë bashkëatdhetarë të tij e lakmojnë. Ai ka mësuar të flasë anglisht dhe turqisht, ka zënë një dhomë me qera në një lagje moderne, si dhe ka gjetur punë si kamarier. Por, ideja se ai po e jeton jetën e ëndërrave është e gabueshme, thotë 23 vjeçari, i cili ka kërkuar që të mos i publikohet mbiemri. I lindur në Iran nga prindër refugjatë afganë, Mostafa thotë se në vitin 2012 e la vendin, me ndihmën e një trafikanti, me shpresën se pas arritjes në Evropë do të regjistrohej në një universitet.

Por, gjërat nuk funksionuan ashtu siç deshti ai. Mostafa nuk mund të ikë nga Turqia legalisht, dhe nuk mund ta përballojë shumën që kërkohet nga trafikantët për ta lënë këtë vend. Ndërkohë, ai po kryen punë “në të zezën”, që paguhen pak, përderisa po pret për hapjen e mundësive më të mira për të. “Nuk mund të bëj asnjë plan”, thotë ai, duke shtuar se koha po ecën, e ai nuk i di saktë të drejtat e tij.

Një marrëveshje e nënshkruar në muajin mars në mes të Turqisë dhe BE-së ofron zgjidhje për disa sirianë që kanë ikur nga lufta, për të fituar statusin e refugjatit në Evropë, dhe Ankaraja ka miratuar masa për të lejuar 2.7 milionë sirianë që jetojnë në Turqi që të furnizohen me leje pune, si dhe përfitime të tjera sociale. Por, vetëm gjysma e migrantëve që kanë provuar të arrijnë në Evropë janë sirianë. Afganët përbëjnë grupin e dytë më të madh, të pasuar nga irakianët, pakistanezët dhe iranianët – të gjithë këta nuk janë pjesë e marrëveshjes. “Afganët me të vërtetë janë problem këtu”, tha Behlul Ozkan, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Marmara në Stamboll. Ai thotë se Turqia ka pranuar disa mijëra afganë në vitet ’80, dhe i kishte vendosur ata në një qytet të vogël në lindje të Anatolisë. Ndërsa, vala aktuale e migrantëve nga Afganistani është ndryshe, thotë Ozkan, duke shtuar se askush nuk e di se çka do të ndodhë me ta.

Vlerësimet e padokumentuara të popullatës afgane në Turqi dallojnë në masë të madhe. Sipas Kombeve të Bashkuara, janë më shumë se 103 mijë refugjatë në këtë vend, prej të cilëve, më shumë se 3,400 kanë fituar statusin e refugjatit. Afganët përbëjnë më shumë se 1/3 e gjithë migantëve jo-sirianë në Turqi. Ali Hekmat, një refugjat dhe aktivist afgan, thotë se shumica e atyre afganëve e kanë lënë Turqinë me ndihmën e trafikantëve; ai vlerëson se tani kanë mbetur vetëm 15 mijë.

Më 23 mars, organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, raportoi se Turqia ka kthyer pa vullnetin e tyre 30 azilkërkues afganë në Kabul. Disa prej tyre, sipas organizatës, kishin qenë pjesë e një grupi që po përpiqej të arrinte në Greqi me anije, dhe ishin ndalur nga autoritetet turke. Këto të fundit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë. Ato i kanë thënë Amnesty-it se asnjë nga afganët nuk kishte kërkuar azil dhe se ata janë kthyer në Kabul vullnetarisht. Natalia Banulescu-Bogdan, një partnere në Institutin për Politika të Migrimit, një organizatë me bazë në Bruksel dhe SHBA, thotë se trajtimi i migrantëve nga Turqia mund ta fundosë marrëveshjen e re për refugjatë, të nënshkruar me Evropën. “Një nga pengesat kryesore të mundshme për marrëveshjen BE-Turqi është nëse Turqia mund të konsiderohet një vend i tretë i sigurt”, ka thënë ajo. “Nëse Turqia nuk mund të konsiderohet vend i tillë, atëherë Bashkimi Evropian nuk mund t’i kthejë njerëzit në një vend ku ata nuk kanë qasje të plotë për të kërkuar azil”, ka thënë Bogdan.

Përballja me mundësinë e pagave të ulëta dhe të drejta të paqarta (me dykuptimësi) në Turqi ka bërë që afganët të shikojnë drejt Evropës. Pothuajse çereku i emigrantëve që kanë arritur në Greqi në vitin 2016 ishin afganë, sipas UNHCR-së. Një dokument sekret që kishte qarkulluar në muajin mars në BE theksonte planet për kthimin e 80 mijë afganëve.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here