Gjykata e Fierit ka dënuar me 33 vjet burg në total dy personat e akuzuar nga Prokuroria se kanë vjedhur dhe dhunuar nën kërcënimin e armëve një djalë dhe një vajzë dhe kanë përdhunuar vajzën. Ngjarja për të cilën akuzohen Endri Goga dhe Shaban Skeja ka ndodhur më 20 tetor të vitit 2014 në pyllin e Semanit.
Endri Goga është dënuar me 24 vjet burg, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Shaban Skeja, me 9 vjet. Procesi ndaj tyre është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe për këtë arsye, ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit.
Hetimet kanë zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes. Më 20 tetor 2014, çifti V.M dhe E.A. kishin dalë për shëtitje në zonën e plazhit të Semanit. Në një moment intim, pranë makinës së tyre janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë ushtruar dhunë, me qëllim marrjen e portofolëve dhe sendeve me vlerë që kishin në posedim.
Skeja ka nxjerrë nga makina shtetasin V.M., duke e shtrirë në tokë nën kërcënimin e armës, ndërkohë që Goga ka ushtruar kontroll për sende me vlerë në automjetin e çiftit, ku gjendej edhe e dëmtuara E.A.
Gjatë kontrollit të mjetit, Goga ka kërcënuar me armë vajzën, duke ushtruar ndaj saj edhe dhunë seksuale. Pas akteve të dhunës, dy të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të dëmtuarit kanë bërë kallëzim në Polici.
Goga dhe Skeja u arrestuan pak kohë pas ngjarjes.