Ngërçi i konsumit:Shifrat për ndërtimin, 9.000 apartamente të pa shitur, 22% e tyre janë të pabanuara

0
168

70 për qind e pronave të paluajtshme që janë tjetërsuar, janë blerë duke përdorur kredinë bankare

 

Ervin Kaduku

 

 

Situatën kritike që po përjetojnë qytetarët shqiptarë e tregon më së miri një fakt tejet domethënës në sektorin e ndërtimit: 22% e apartamenteve në shkallë vendi mbeten të pabanuara, një rritje e konsiderueshme kjo, duke marrë në konsideratë se, në Censusin e vitit 2001, ky raport ishte 11.3% e tregut. Nga të dhënat e fundit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, rezulton se stoku i banesave të pashitura në shkallë vendi është mbi 9 mijë. Por, edhe kur blihen, janë bankat që huazojnë. 70 % e pronave të paluajtshme të shitura në vend janë blerë me hua. Kështu bën të ditur Banka e Shqipërisë, në Raportin e Stabilitetit Financiar të gjashtëmujorit të dytë të 2015, nga informacionet e marra nga agjentët. Banka nënvizon se ky tregues përbën dhe nivelin më të lartë të raportuar që nga fillimi i këtij pyetësori. Agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në Tiranë tregojnë se kredia është burimi nr.1 i financimit për të blerë një pronë, madje të shumtë janë ata që pa u interesuar ende për një pronë të caktuar, pyesin për pronat e vlefshme të cilat mund të blejnë me kredi (a është i gatshëm pronari për të pritur gjersa të mbarojnë procedurat e kreditimit). Nga ana tjetër, pohohet se një arsye tjetër e blerjes me kredi, sipas tyre është edhe se grupi më i interesuar për blerje apartamentesh në Tiranë janë kryesisht çifte të reja që nuk kanë mundësi tjetër financimi.

Edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se ka pasur një rritje të vazhdueshme të kredisë për pasuri të paluajtshme për individë, e dukshme kjo në monedhën vendase. Stoku i huasë për shtëpi arriti në 41.8 miliardë lekë në shkurt 2016, me një rritje prej 8% me bazë vjetore. Ndërsa disa vite më parë ishte euro preferenca e kredimarrësve për shtëpi, tashmë bankat i kanë orientuar individët drejt lekut, me synim uljen e riskut të këmbimit, që do i përballte huamarrësit (që kanë të ardhurat në lekë) me rritje të kësteve në rast të zhvlerësimit të monedhës vendase.

 

Të pashiturat

 

Që nga viti i fundit kur është bërë Censusi, rezulton që 22% e apartamenteve janë të pabanuara, një rritje e konsiderueshme duke marrë në konsideratë se në Censusin e vitit 2001 ky raport ishte 11.3% e tregut. Nga të dhënat e fundit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, rezulton se stoku i banesave të pashitura në shkallë vendi është mbi 9 mijë. Banesat e pashitura ndodhen kryesisht në bregdetin e Durrësit, të Vlorës dhe Sarandës. Ndërsa, për kryeqytetin, në zona periferike si Kashar, Linzë etj., bëhet fjalë për apartamente pa dokumentacionin e rregullt dhe në zona pa infrastrukturën e duhur.

N.q.s. u referohemi banesave brenda Unazës në Tiranë, sasia e apartamenteve të pashitura është thuajse e papërfillshme. Objektet brenda unazës shiten të gjitha dhe çmimet për to janë rritur. Duke qenë se kërkesa është e lartë dhe sasia e ulët, janë rritur çmimet. Kjo pasi shumë pak leje janë dhënë në këto zona. Ndërkohë, ajo që po shihet si diçka e re në sfondin e tregut të shtëpive të banimit është rritja e kërkesave të shqiptarëve: duan shërbime, infrastrukturë, kushte të mira. Dhe për këtë, jo pak syresh po bëjnë “kurban” investime të mëparshme në zona jo të mira dhe po drejtohen drejt shtëpive me të gjitha kushtet, sidomos në bregdet. Sa i përket zonës së Durrësit, stoku i madh i pashitur ka ardhur nga mungesa e infrastrukturës dhe i ndërtimeve krejtësisht pa kriter. Sot nuk po shesin vetëm investitorët në këtë zonë, por edhe blerësit e parë, të cilët kanë nxjerrë në shitje apartamentet e tyre. Bëhet fjalë më tepër në zonën e Plazhit dhe atë të Golemit. Shumica prej shitësve janë emigrantë që kishin investuar kohë më parë për blerjen e një shtëpie të dytë dhe që tashmë e shohin si jo efektive këtë banesë.

Ndonëse fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë, arsyeja kryesore se pse shqiptarët sërish blejnë apartamente dhe dëshirojnë të kenë shtëpi të dyta është mungesa e alternativave të investimeve.

 

Çmimet

 

Në vitin 2015, sipas agjencive imobiliare, çmimet e pasurive të patundshme arritën të stabilizohen, kërkesat për shtëpi në bregdet lëvizën drejt fshatrave turistikë, ndonëse një pjesë e madhe e apartamenteve ofruan edhe çmime të mira. Por, problematikat e tregut qëndronin te ndalimi i lejeve të ndërtimit, infrastruktura e dobët dhe mungesa e dokumentacionit hipotekor. Këtë vit, të njëjtët aktorë tregu raportojnë rritje në kërkesat për blerje shtëpie në bregdet, sidomos në zonën e Durrësit, që çmimet e ulëta joshin më tepër. “Në krahasim me vitin 2015, tregu i pasurive të paluajtshme do të marrë një rritje për shkak të lejimit të ndërtimeve, të cilat kanë qenë të bllokuara për një afat të tejzgjatur”,- pohojnë nga agjencia Century 21, duke shtuar se një dukuri që vihet re këtë vit më tepër është rritja e numrit të agjencive imobiliare që operojnë në Shqipëri, kryesisht në vijën bregdetare, që e bëjnë tregun e pasurive të paluajtshme me produktiv.

Nga e njëjta agjenci raportojnë për një rënie të çmimeve të apartamenteve në zonën e Durrësit, por diferencat në çmim vihen re sipas ndarjes: vija e parë – vija e dytë pranë bregdetit. Ndërsa zyrat e Century 21 në Sarandë tregojnë se rritja e taksës së shitjes në vlerën 15% rrjedhimisht pati ndikim në rritjen e çmimit të pasurive të paluajtshme, megjithatë, sipas tyre Saranda dhe Riviera në përgjithësi vijon të jetë atraktive, madje më shumë për të huajt, kryesisht europianoveriorët. “Interesi më i madh për blerje pronash vjen kryesisht nga vendet nordike duke mos përjashtuar këtu dhe interesin që kanë treguar shtetasit rusë dhe ukrainas për bregdetin e Sarandës dhe jo vetëm. Me çeljen e sezonit turistik pritet që të ketë rritje të kërkesave gjithashtu nga shtetasit e Kosovës, të cilët preferojnë kryesisht Sarandën, Vlorën dhe Durrësin, për të kryer investime të ndryshme në fushën e real estate dhe të turizmit”,- tregojnë agjentët e Century 21.

Më tepër rritje për kërkesa në apartamente ka në zonat bregdetare të Vlorës dhe Sarandë. Duke qenë se stoku i apartamenteve është i konsiderueshëm, çmimet për metër katror edhe për këtë vit nuk kanë shënuar rritje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here