Rektori i ri i Universitetit të Tiranës është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me kërcënimin që iu bë gjatë garës për postin e rektorit. I dyshuari kryesor është Emiljano Shullazi. Koni, në deklarimin e tij në polici nuk e ka përmendur emrin e Shullazit. Ai ka thënë se është kërcënuar nga disa persona me makinë, të cilët nuk i njeh. Pritet që në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ai të ballafaqohet me foto të Emiljano Shullazit, Gilmando Danit e Blerim Shullazit, të cilët dyshohet se kanë qenë autorët e kërcënimit, në rrugën Fortuzi. Prokuroria ka administruar edhe pamjet e disa kamerave të sigurisë në këtë rrugë. Gjatë zgjedhjeve në UT u kërcënua edhe ish –rektori Dhori Kule. Edhe ai ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por nuk dihet nëse ka përmendur Emiljano Shullazin dhe bandën e tij. Një ditë më parë kryeministri Rama i falenderoi publikisht Kulen e Konin që nuk u tërhoqën nga gara pavarësisht kërcënimeve, duke pranuar kështu publikisht se ata u kërcnëuan. Ish -kryeministri Berisha, i pari që e denoncoi publikisht kërcënimin, denoncim që çoi në shoqërimin e Shullazit, akuzoi kryeministrin Rama se qëndron pas kësaj ngjarjeje. Dy ditë më parë Shullazi u tranferua nga burgu i sigurisë së lartë në Tiranë në një burg të një sigurie më të ulët, në Elbasan.