Ja kush është Renato Tsepa, Arben Frroku i vodhi identitetin

0
178

Policia e ka identifikuar Renato Tsepan e vërtetë. Ai është nga Korça. Personi të cilit Arben Frroku i vodhi  identitetin është banor i lagjes nr. 3 të Korçës. Emri, mbiemri, datëlindja dhe vendlindja janë të njëjtat me ato që kishte shënuar Arben Frroku në pasaportën dhe patentën greke. Por a ka lidhje i dënuari me burg përjetë me 49 –vjeçarin korçar?Mediat kanë mësuar se ai ka jetuar për shumë vite me radhë në Greqi. Por nuk dihet nëse ai ka qenë i pajisur ndonjëherë me pasaportë greke. Edhe Arben Frroku ka patur lidhje me Greqinë. Pas vrasjes së komisar Dritan Lamajt ai u kap në Selanik. U gjet në një hotel së bashku me dy persona të tjerë, duke festuar. Policia po e kërkon për ta marrë në pyetje Renato Tsepan për të kuptuar nëse ai ka lidhje me Frrokun apo nëse i është vjedhur identiteti pa dijeninë e tij. Marrja e tij në pyetje pritet të shërbejë edhe për të hedhur më shumë dritë mbi faktin se si u pajis Frroku me pasaportën false greke dhe përse u përdorën pikërisht të dhënat e shtetasit Renato Tsepa, baba i tre fëmijëve që jeton mes Greqisë dhe Shqiperisë. Grupi hetimor ka dyshime se dy personat mund të kenë njohje, por asgjë nuk është e vërtetuar.

Arben Frroku u ndalua më 6 mars në Shipol, pranë Amsterdamit, pasi policët që e kontrolluan dyshuan se pasaporta që ai mbante ishte e falsifikuar. Pasaporta në të cilën ai kishte vendosur foton e tij, ishte me emrin Renato Tsepa, i datëlindjes 15.11.1967. Ajo ishte lëshuar më 14 qershor 2011 dhe ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2031. Policia holandeze ka kërkuar në sistem emrin Renato Tsepa dhe të dhënat e pasaportës greke, por nuk ka gjetur asnjë të dhënë. Për më shumë se një muaj e gjysmë Arben Frroku është mbajtur i izoluar, në pritje të dënimit të tij nga Holanda. Autoritetet, në mungesë të gjetjes së identitetit të tij të vërtetë, i kishin vënë afat 17 majin që ai të largohej vullnetarisht nga Holanda, sapo të lihej i lirë. Në të kundërt, do ta dëbonin. Në këtë mënyrë Frroku mund ta kishte fituar sërish lirinë, nëse ish –kryeministri Berisha nuk do ta bënte publik lajmin e ndalimit të tij. Menjëherë pasi ai tha se kishte informacione se Frroku ishte ndaluar në Amsterdam, policia shqiptare ka kërkuar informacione me emrin e tij. Ka rezultuar se në Holandë nuk kishte asnjë të ndaluar me këtë emër dhe autoritetet atje kanë kërkuar më shumë të dhëna mbi Frrokun. Me dërgimin e fotografive dhe të gjurmëve të gishtave, policia holandeze ka zbulaur se Renato Tsepa ishte në të vërtëtë Arben Frroku, i dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, për vrasjen e komisar Dritan Lamaj, në shkurt të vitit 2013.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here