Shtetasi Femi Nezha, 34 vjeç, banues në Laprakë në kryeqytet është ndaluar nga Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Dibër, pasi ka simuluar një ngjarje sikur ndaj banesës së xhaxhait të tij është qëlluar me armë. “Ky shtetas kishte shkuar në Lurë tek xhaxhai i tij, shtetasi Q.N. Më datë 30.04.2016, rreth orës 23.00, dyshohet se ka simuluar ngjarjen ku vetë ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri në murin e banesës së xhaxhait të tij. Pas këtij veprimi ky shtetas ka njoftuar median dhe jo Policinë, ku më datë 01.05.2016 në orët e paradites pasi ka njoftuar median, ka marrë në telefon Policinë e Dibrës se është qëlluar me armë në drejtim të banesës së xhaxhait te tij ku ndodhej edhe ky shtetas. Nga veprimet profesionale dhe hetimore të kryera nga policia rezultoi se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është vetë shtetasi i lartpërmendur, pasi dyshohet të ketë simuluar ngjarjen me qëllim përfitimin e statusit të azilantit në vendet e BE-së. Gjithashtu po ky shtetas ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës duke fshehur gëzhojat në vendngjarje”, thuhet në deklaratën e policisë. Policia pas veprimeve të shpejta dhe profesionale mundi të gjejë dhe sekuestrojë një gëzhojë dhe një predhë plumbi në faqen e murit të banesës së shtetasit Q.N. Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga nenet 278/4, dhe 301 të Kodit Penal. Theksojmë faktin se këtij shtetasi në javën e parë të muajit Prill 2016 i është refuzuar statusi i azilkërkuesit në Gjermani dhe është kthyer së bashku me familjen në Shqipëri.
Home Aktualitet Kronikë Ndalohet nga policia 34-vjeçari, inskenoi ngjarjen sikur e qëlluan me armë, donte...