Gjyqtari i arrestuar Ibrahim Hoxha deklaroi në prokurori se 600 mijë lekët, që do të merrte i biri, ishin për shitjen e një makine tip Volkswagen furgon. Veçmas tij është pyetur edhe i biri, Ledioni përgjigjet e të cilit janë kontradiktore nga i ati. Djali i gjyqtarit ka thënë se do të shiste një makinë tip “Benz”, dhe kjo sipas hetuesve përbën provë se deklaratat e tyre janë të pabesueshme.
Gjyqtari ka mohuar që paratë e kapura djalit të tij mbrëmjen e së hënës (600 mijë lekë) të kenë qenë ryshfet.
Para prokurorisë në dhomat e izolimit, gjyqtari ka pranuar se njihej me shtetasin Novruz Gajde, ish-polic në Berat.
Gjyqtari i arrestuar ka bërë me dije se Novruz Gajde (të cilin e kishte njohur si polic kur punonte në Berat) ka ndërhyrë tek ai për gjyqin e pronësisë që kishte biznesmeni Dritan Jazexhiu me atë afërmit e tij për pronësinë e disa lokaleve, banesave e dyqaneve në Tiranë.
Gjyqtari ka pretenduar se pavarësisht ndërhyrjeve, ai nuk ka pranuar të kryejë veprime të parregullta për çështjen e konfliktit të pronësisë ku vendimi gjyqësor do të shpallej ditën e djeshme.
Alibia e dhënë nga gjyqtari për paratë e makinës, është rrëzuar nga prokuroria. Ndërkohë, sekseri Novruz Gajde është përgjuar teksa fliste me biznesmenin Dritan Jazexhiu, ku i thoshte “ky i do lekët përpara vendimit. Do një gjashtëshe. Pas vendimit, do një dyshe. Ti e di, ky i ka qejf xhixhat”.