Ambasadorët Lu dhe Vlahutin vazhduan lobimin politik për Reformën në Drejtësi edhe paraditen e kësaj të mërkure, kur vizituan kryetarin e Kuvendit në zyrën e tij.
Në njoftimin e zyrës për shtyp të Parlamentit thuhet se, kryeparlamentari Meta shprehu vendosmërinë për ta votuar pa vonesë paketën e ndryshimeve kushtetuese, që i hap rrugën zbatimit të kësaj reforme, si dhe që misionet e asistencës ligjore të EURALIUS-it dhe OPDAT-it janë garantuesit e standardeve ndërkombëtare të kësaj reforme.
Menjëherë pas përfundimit të këtij takimi, Ilir Meta ishte i pranishëm në një konferencë, ku diskutohej për Reformën në Drejtësi dhe ku artikuloi një afat për miratimet e ndryshimeve kushtetuese.
“Ka ardhur koha që kjo reformë të jetësohet, në radhë të parë përmes ndryshimeve kushtetuese, por e theksoj, në javët që vijnë dhe jo në muajt që vijnë. Njëkohësisht është koha që kjo reformë të monitorohet sesi do të zbatohet”, tha Meta.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili u shpreh i bindur se amendamentet kushtetuese do të miratohen me përparësi dhe do të hapet rruga për pjesën tjetër të legjislacionit, që është shumë e rëndësishme.
“Në ato 40 ligje fshihen të gjitha pyetjet, fshihen të gjitha shqetësimet që ngrihen, jo vetëm nga komuniteti i juristëve, por në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë. Të gjithë duan të dinë se kur fillon dhe kur mbaron gjyqi i tij”, tha Manjani.
Ministri Manjani e mbylli fjalën e tij duke theksuar se, “duhet të ndërtojmë një gjykatë të besueshme, por jo me të njëjtat fytyra, jo me të njëjtët personazhe, të cilët realisht janë pjesë e kulturës së problemit në sistemin gjyqësor”.