Vasili: LSI-ja e vendosur për të votuar reformën sipas Komisionit të Venecias

0
135

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili shprehet se qëndrimi i LSI-së është i pandryshuar për të votuar draftin e Reformës në Drejtësi sipas variantit të Komisionit të Venecias.

Ndër të tjera, ai sqaron se për çështjet ku palët kanë mendime të ndryshme do të duhet të merren parasysh sugjerimet e dy misioneve, Euralius e OPDAT. Sa u përket marrëdhënieve brenda koalicionit, Vasili tha se është një “mazhorancë që funksionon në mënyrë komplementare parlament-qeveri, duke shënuar edhe një risi shumë pozitive të paverifikuar më parë në mazhorancat që kanë qeverisur vendin”.

“Mendoj që procesi i reformës në drejtësi është në fazën e tij më intensive dhe përmbyllëse. Tanimë kemi në tavolinën e punës së komisionit të gjithë lëndën e parë që mundëson vendimmarrjet për të lidhur me ndryshimet kushtetuese. Është shprehur Komisioni i Venecias dhe ndihma e mbështetja e tij ka qenë vendimtare dhe e pazëvendësueshme, si për nga cilësia, ashtu edhe për nga impenjimi i jashtëzakonshëm i tij, duke qartësuar interpretimet dhe në shumë raste dhe duke shteruar debatet e gjata për çështje të ndryshme. Gjithashtu kemi pasur një kontribut tepër aktiv dhe tepër të rëndësishëm të Euralius-it dhe OPDAT-it, përkatësisht misionet e BE-së dhe SHBA-ve, të cilat kanë ndihmuar jo pak për qartësimin e mëtejshëm të çështjeve që kanë qenë objekt diskutimi e debati, dhe kësisoj i jemi afruar një qëndrimi përfundimtar për shumë çështje. Ndaj nuk do të flisja për ngërç, por për debat që zhvillohet intensivisht dhe që dora-dorës u jep përgjigje shteruese të gjitha problemeve të debatuara. Ju e keni përcjellë mbështetjen shumë të madhe që SHBA-të dhe BE-ja i kanë dhënë reformës në drejtësi, dhe ky kontribut i tyre është një shtysë më shumë që çon drejt përmbylljes së këtij procesi të gjatë dhe tejkalimit të çdo pengese, pasi reforma në drejtësi është një çështje e gjerë dhe një shqetësim shumë i gjerë publik, i cili do përgjigje sa më të shpejtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here