Një gruaje iu sekuestruan 30 mijë euro me vendim të gjykatës pasi dyshohet se bashkëshorti i saj i kishte fituar nga trafiku i drogës. Llogaria bankare u vu nën sekuestro me kërkesë të prokurorisë.
Hetimet mbi shtetasin me inicialet R.Dh, 35 vjeç, zbuluan se këto para i kishin kaluar gruas së tij në llogari me anë të disa transfertave bankare të kryera nga një kompani në Zvicër.
Me anë të katër transfertave ajo kishte marrë 56 900 euro nga kompania zvicerane “Tunimara SA” me përshkrimin “financim”.
Tre transfertat e para në shumën prej 36 927 euro janë tërhequr për t’u investuar në një biznes të regjistruar në Tiranë, ku gruaja rezulton ortake me 100 % të aksioneve dhe përfaqësuese ligjore e saj.
E pyetur mbi transferat, gruaja ka deklaruar se i ka marrë borxh tek kompania zvicerane me qëllim për të investuar.
Por policia dyshon se këto para janë përfituar nga trafiku i drogës, për të cilin bashkëshorti i saj është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg në Itali.
R.Dh është arrestuar me 29 mars 2009 pasi u kap me 5.1 kg heroinë.
Më 11 prill 2016, pasi kishte dalë nga burgu, ai ka derdhur 30 mijë euro në një bankë. Këto para ai ka deklaruar se i ka marrë nga një person në Milano.
Më pas këto para janë sjellë dorazi në Shqipëri dhe janë deklaruar edhe në doganë.
Prokuroria dyshon se 30 mijë eurot janë produkt i trafikut të drogës.