Policia e Durrësit dhe grupi hetimor vijojnë hetimet për të zbardhur autorin (ët) e vrasjes së 39-vjeçarit Shpëtim Shala, krim i ndodhur dje në zonën e plazhit në qytetin e Durrësit. Burimet bëjnë të ditur se viktima është ekzekutuar nga afër, dhe 6 plumba ka marrë vetëm në kokë. Deri tani janë shoqëruar mbi 20 persona, mes tyre dhe një person nga Durrësi me të cilin viktima dyshohet se ka pasur një konflikt fizik për shkak të një gërvishtjeje makine në rrugën “Taulantia”. Kjo është një nga pistat e hetimit të ekzekutimit në makinë të Shpëtim Shalës. Por nuk përjashtohen pistat e tjera. Mësohet se viktima është ndjekur prej kohësh nga vrasësi, ndërsa pak para se të qëllohej Shpëtim Shala ka qenë duke luajtur futboll. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë pranë vendit ku ndodhi vrasja e babait të tre fëmijëve, pronar i 2 lokaleve në Durrës.