Edhe gjatë muajit prill ekonomia shqiptare nuk tregoi shenja gjallërimi ndërsa inflacioni ka mbetur 0.3% i njëjtë me muajin mars.
Raporti i INSTAT konstaton se për të tretin muaj radhazi inflacioni vijon të jetë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%.Inflacioni shumë pranë afër zeros tregon tendenca deflacioniste ku çmimet e konsumit zbresin sa kostot e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 5,3 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 2,3 %.Krahasuar me muajin Prill 2015, rritja më e madhe e çmimeve konstatohet në nëngrupet “Shërbimi arsimor” me 4,8 % pasuar nga grupi, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0 %, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” dhe “zarzavate pësuan rritjen më të madhe .
Qeveria dhe banka e Shqipërisë argumentojnë se ulja e inflacionit është pasojë e ecurisë së çmimeve në bursa të naftës dhe mineraleve si dhe rënies së çmimeve të lëndëve të para. Ndërsa për ekspertët, shkaqet kryesore janë tkurrja e konsumit, si rezultat i kombinimit të dy faktorëve: pakësimit të të ardhurave dhe pasigurisë për të shpenzuar dhe investuar.
Pavarësisht se Banka e Shqipërisë por edhe institucionet shqiptare shprehen se nuk ka asnjë rrezik deflacioni dhe se janë duke monitoruar të gjitha zhvillimet ekonomike vetëm pak kohë më parë Banka Botërore pranoi se ky rrezik ekziston duke vënë në pikëpyetje edhe rritjen ekonomike te parashikuar për këtë vit prej 3.4%.