Puna për ndërtimin e këndit të lojërave në parkun e Liqenit Artificial vijon, por në ndryshim nga fillimi punëtorët nuk bezdisen nga askush. Duket se edhe shoqëria civile është dorëzuar duke lënë në “fushën e betejës” vetëm pankartat dhe batanijet…. E dielë, data 8 mars, parku i Liqenit Artificial gumëzhin nga zërat e fëmijëve, një gumëzhimë që ndërpritet nga zhurma kumbuese e betoniereve që vijojnë të derdhin beton në këndin që kryebashkiaku e Tiranës e premtoi pa rërë dhe çimento. Duket se një ndër premtimet e kryetarit është duke u përmbushur, ai i përfundimit të këndit më datë 1 qershor, në ditën e fëmijëve, tashmë plotësisht e mundur, pasi kundërshtarët më të “egër” të këtij parku, shoqëria civile pasi e humbi kauzën e saj, duke ia “marrë” opozita, duket se janë tërhequr. Në vendin e protestës të kap syri vetëm disa batanije, me të cilat aktivistët mbuloheshin gjatë natës dhe disa pankarta të cilat duket se e kanë përmbushur më së miri punën e tyre dhe tashmë janë pluhurosur. Afrohemi aty ku dikur ishte një zonë e minuar, e bllokuar nga policët e Tahirit dhe të Veliajt, aty ku “fluturonte” kapela dhe kërciste shpulla. Disi me një farë ndrojtje pasi, ajo zonë dikur ka qenë e rrezikshme, por sot dëgjohet vetëm goditja e çekanit dhe gërmimi i eskavatorëve. Ashtu si edhe në me një farë ndrojtje afrohen edhe qytetarët, “a të lënë të afrohesh” na thotë dikush prej tyre”, duke vënë disi buzën në gaz. Tashmë edhe punëtorët nga krahu tjetër i “murit të Berlinit” janë më të qetë, punojnë dhe pse jo hedhin edhe ndonjë shikim të shtensionuar. Puna vijon, beton ende derdhet, pemë edhe është prerë ndonjë tek tuk, por e rëndësishme është se këndi do të bëhet. Do të ketë të drejtë shoqëria civile, opozita po ashtu, do të bëjë dorëheqje kryebashkiaku Veliaj pas deklaratave pa beton dhe pa pemë të prera, apo do të presë shiritin ballë lart më 1 qershor dhe do ua plasë në fytyrë të gjithë mosbesuesve, këtë ia lëmë kohës, duhet të presim edhe 23 ditë. Ndërkohë më mirë shijojmë natyrën, pse jo edhe të peshkojmë në ujërat e Liqenit Artificial…