Reforma në drejtësi/ Sot “vlon” Kuvendi, zbardhet dokumenti 10-të faqësh me qëndrimin e PD

0
145

98798

 

PD: Si konflikti interesit prek 4 institucionet e reja, modeli që shmang politikën në emërimin e funksionarëve

S’kemi kërkuar asnjëherë hetim për tre vitet e fundit për ish-ministrat, jemi kundër çdo kufizimi kohor për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve

 

Gëzim Saliu

 

 

Kur drafti i ekspertëve ndërkombëtare të EURALIUS dhe OPDAT ka marrë formë dhe pret sot diskutimin në Komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi, Partia Demokratike paraqet qëndrimin e saj të plotë lidhur me këtë çështje. Përmes një dokumenti 10 faqesh, PD bëri publik dje se cilat janë shqetësimet që opozita ka lidhur me reformën në gjyqësor, duke vënë theksin tek dy pika kryesore: rreziku i korporatizmit të sistemit si edhe tek kapja politike e tij. Për të shpjeguar edhe më qartë qëndrimin e saj lidhur me këto dy çështje të cilat forca më e madhe opozitare i ka cilësuar si kryesore për reformën por që kërkojnë zgjidhje tashmë nga palët politike, PD ka artikuluar disa piketa kryesore.

 

Korporatizmi dhe kapja politike

 

Në dokumentin e saj PD sqaron se sipas Amendamenteve Kushtetuese krijohen 4 organe (KLGJ, KLP, ILD, dhe TDD) për të qeverisur dhe proceduar disiplinarisht gjyqtarët dhe prokurorët dhe vetë anëtarët e këtyre organeve vetqeverisëse. “Mirëpo, konstatohet lehtësisht se marrëdhënia institucionale dhe funksionale midis tyre, shoqërohet me konflikt të dukshëm interesi, që kontribuon në forcimin e korporatizimit dhe mungesën e përgjegjshmërisë dhe llogaridhenies. marrëdhënia midis KLGJ dhe ILD prezanton konflikt interesi. ILD inspekton gjyqtarët, por njëkohësisht inspekton edhe anëtarët e KLGJ, të cilët presupozohen që të jenë të paanshëm dhe të painfluencueshëm gjatë vendimmarrjes disiplinore (për kërkesën e ILD për procedim të gjyqtarëve). Kjo do të thotë që praktikisht, KLGJ në procedimet disiplinore nuk është e paanshme as në dukje e as në thelb. Ky është një nga problemet thelbësore të Skemës së re Institucionale të propozuar”, theksonin demokratët në qëndrimin e tyre. Nga ana tjetër, PD nënvizon se zgjidhja e mbrojtur nga mazhoranca për emërimin e të gjithë funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë (anëtarëve të GJK, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, 5 anëtarëve të jashtëm të KLGj-së dhe KLP-së, anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe anëtarëve të Kolegjit të Posacëm të Kualifikimit pranë GJK) me 3/5 e votave që zotërohen prej saj aktualisht në Kuvend, ka qenë dhe mbetet e papranueshme për opozitën. “ Ne kemi konfirmuar qëndrim e vet më datë 17 Shkurt 2016, se pranon njërin nga modelet e propozuara nga ekspertët ndërkombëtar të EURALIUS dhe OPDAT më datë 10 Shkurt 2016, dhe të sugjeruar më vonë edhe nga Komisioni i Venecias. I mbetet mazhorancës tashmë që të pranojë zbatimin e Opinionit të Komisionit të Venecias dhe modelin e propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë”. Po ashtu demokratët në dokumentin e tyre komentuan edhe qëndrimet sipas së cilave ekspertët nuk përfshinë në draftin e tyre asnjë prej shqetësimeve të opozitës duke theksuar se,: “Qartësisht ekspertët në hyrje të draftit kanë shprehur pozicionin se propozimet e tyre nuk përfshijnë asnjë vendimmarrje politike që pritet të arrihet mes palëve dhe as nuk kanë për synim të kërkojnë përzgjedhjen/favorizimin e një vendimi politik kundrejt një tjetri. Kjo është edhe arsyeja se përse në këtë draft nuk kanë marrë ende adresim disa shqetësime politike të pranuara të opozitës parlamentare”.

 

Antikorrupsioni

 

Ndërkohë demokratët komentuan edhe ato që u cilësuan në disa media si anashkalim i opozitës nga hetimi për ish-zyrtarët e saj duke theksuar se në asnjë prej kërkesave të saj nuk ka pasur një citim të tillë. “Komponenti antikorrupsion- Në (nenin 25)është parashikuar se subjekt i hetimit do të jenë ndër të tjerë “ish ministrat gjatë 3 viteve të fundit”. Duam të theksojmë fort se kjo pikë nuk është kërkuar ASNJËHERË, as nga ekspertët e opozitës dhe as nga ndonjë anëtar i opozitës në Komision. Ne e kemi shprehur dhe e ripërsërisim qëndrimin tonë për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe se kemi qenë, jemi dhe do të jemi KUNDËR çdo kufizimi kohor për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, sepse korrupsioni duhet të dënohet pavarësisht nga koha kur apo nga kush është kryer”.

 

Thirrja e PD për të gjetur zgjidhje politike për dy çështjet kryesore

 

Për demokratët pas qartësimit të çështjeve teknike nga ana e ekspertëve ndërkombëtare, çështjet që kërkojnë vendimmarrje politike që janë evidentuar edhe nga Komisioni i Venecias në Opinionin e tij Final duhet të vendosin anëtarët e Komisionit të Posacëm Parlamentar.  “Të trajtojmë dhe gjejmë zgjidhje sa më parë për çështjet që mbeten ende të pazgjidhura dhe për të cilat ekspertët ndërkombëtar presin vendimmarrje politike nga ana jonë, me qëllim adresimin e tyre në draftin e rishikuar të Amendamenteve Kushtetuese. Në veçanti, përpara nesh shtrohen për vendimmarrje politike dy çështje themelore që nuk kanë gjetur ende pasqyrim në draftin e rishikuar të Amendamenteve Kushtetuese, që kanë të bëjnë me garantimin e moskapjes politike të sistemit të drejtësisë si dhe luftën ndaj korporatizmit”.

 

Piketat kryesore të qëndrimeve të PD-së mbi draftin e ekspertëve ndërkombëtarë

 

Skema e re institucionale

 

Opozita ka ngritur prej Shtatorit 2015 dy shqetësime kryesore: (i) mungesën e zbatimit të parimit të kontrollit e balancës mes pushteteve dhe luftën ndaj korporatizmit, si dhe (ii) kapjen politike të këtyre institucioneve duke parashikuar emërimin e të gjithë funksionarëve me votat vetëm të mazhorancës aktuale parlamentare (84 vota).

 

Lufta ndaj korporatizimit në sistemin e drejtësisë

 

Sipas Amendamenteve Kushtetuese krijohen 4 organe (KLGJ-, KLP, ILD, dhe TDD) për të qeverisur dhe proceduar disiplinarisht gjyqtarët/prokurorët dhe vetë anëtarët e këtyre organeve vetqeverisëse. Mirëpo, konstatohet lehtësisht se marrëdhënia institucionale dhe funksionale midis tyre, shoqërohet me konflikt të dukshëm interesi, që kontribuon në forcimin e korporatizimit dhe mungesën e përgjegjshmërisë dhe llogaridhenies. marrëdhënia midis KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) dhe ILD (Inspektorati i Lartë i Drejtësisë) prezanton konflikt interesi. ILD inspekton gjyqtarët, por njëkohësisht inspekton edhe anëtarët e KLGJ, të cilët presupozohen që të jenë të paanshëm dhe të painfluencueshëm gjatë vendimmarrjes disiplinore (për kërkesën e ILD për procedim të gjyqtarëve). Kjo do të thotë që praktikisht, KLGJ në procedimet disiplinore nuk është e paanshme as në dukje e as në thelb. Ky është një nga problemet thelbësore të Skemës së re Institucionale të propozuar.

 

Konflikt/ Korporatizimi midis ILD(Inspektorati i Lartë i Drejtësisë) dhe TDD (Tribunali Disiplinor i Drejtësisë)

 

Nëse TDD është e përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët hetohen nga ILD, atëherë çështjet e inspektuara nga ILD dhe të prezantuara para TDD për vendimmarrje, i nënshtrohen një procesi difektoz, sepse gjyqtarët dhe prokurorët e TDD, subjekt hetimi nga ILD, nuk mund të jenë kurrsesi të paanshëm dhe të painfluencueshëm prej këtij organi. Aq më tepër, gjyqtarët dhe prokurorët që janë subjekt hetimi nga ILD, do të luajnë edhe rolin e gjykatës për shkeljet disiplinore të ILD. Kjo për faktin se një gjyqtar apo prokuror nuk mund të jetë njëkohësisht edhe “i hetuar” edhe “vendimmarrës”, përballë “hetuesit” të vet. ). Po kështu, marrëdhënia midis TDD dhe ILD është korporatiste (shyrtojnë çështjet e njëra-tjetrës reciprokisht. ILD i nënshtrohet vendimmarrjes disiplinore prej TDD, kurse gjyqtarët anëtarë të TDD i nënshtrohen inspektimit disiplinor prej ILD. Edhe kjo situatë mund të krijojë pakte mos-sulmimi reciprok).

 

Emërimi i funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë (anëtarëve të GJK, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, 5 anëtarëve të jashtëm të KLGj-së dhe KLP-së, anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe anëtarëve të Kolegjit të Posacëm të Kualifikimit pranë GJK)- Votimi i tyre  me 3/5 e votave që zotërohen prej mazhorancës aktualisht në Kuvend, ka qenë dhe mbetet e papranueshme për ne. Opozita parlamentare, që përpara se të bëhej i njohur Opinioni Final i Komisionit të Venecias mbi këtë çështje, bazuar në standardet ndërkombëtare, ka konfirmuar qëndrim e vet më datë 17 Shkurt 2016, se pranon njërin nga modelet e propozuara nga ekspertët ndërkombëtar të EURALIUS dhe OPDAT më datë 10 Shkurt 2016, dhe të sugjeruar më vonë edhe nga Komisioni i Venecias. I mbetet mazhorancës tashmë që të pranojë zbatimin e Opinionit të Komisionit të Venecias dhe modelin e propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Mbrojtja me fanatizëm e versionit për emërimin e të gjithë funksionarëve të sistemit të drejtësisë me votat vetëm të mazhorancës parlamentare, në vlerësimin tonë ka qenë dhe mbetet, qëllim i fshehur i mazhorancës parlamentare për të bllokuar miratimin e shpejtë të Reformës në Drejtësi.

 

Shkolla e Magjistraturës

Parashikimi për rekrutimin në masë në sistemin gjyqësor të kategorive të paracaktuar individësh jashtë Shkollës së Magjistraturës (këshilltarëve ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësve ligjor pranë gjykatave administrative si dhe ndihmësve ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme, ish gjyqtarëve ose ish prokurorëve dhe ish këshilltarëve ligjor të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të cilët kanë të paktën tre vjet), për ne sjell me vete riskun e lartë për politizimin e sistemit të drejtësisë në vend.

 

Roli i ILDKPKI-së

Roli që i njihet ILDKPKI-së në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve/prokurorëve, kërkon domosdoshmërisht forcimin e pavarësisë nga politika të këtij organi, drejtuesi i të cilit aktualisht kontrollohet dhe është emëruar vetëm me mbështetjen e mazhorancës parlamentare.

Dekriminalizimi

Kjo dispozitë kushtetuese është dakordësuar midis palëve politike vetëm 4 muaj më parë, dhe për pasojë për ne as që mund të merret në konsideratë mundësia e rishikimit të saj, apo ridiskutimit të përmbajtjes së kësaj dispozite kushtetuese.

 

Sqarim termash

 

ILD- Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.

TDD- Tribunali Disiplinor i Drejtësisë vendos në lidhje me masat disiplinore për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe anëtarët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë

KLGj- Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron funksionet e: a) Emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; b) Vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; c) i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative, sipas procedurës së caktuar me ligj;

 

 

Sot mbledhja e Komisionit, mazhoranca kërkon votim në parim, PD: Vendimmarrje politike

 

Ashtu siç u parashikua pak ditë më parë, sot mblidhet sërish Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi me synim për të votuar draftin e ekspertëve ndërkombëtarë. Por nëse mazhoranca ka shprehur dakordësinë për ta votuar në parim këtë draft, opozita nga ana e saj kërkon një vendimmarrje politike për çështjet e mbetura pezull.  “Propozimi i Kryetarit të Komisionit të Posaçëm në mbledhjen e fundit, se nga ana jonë duhet të ndiqet procedura e votimit të draftit “në parim”, njëlloj siç bëjnë Komisionet e Përhershme Parlamentare për projektligjet, është ekstra kushtetuese/parlamentare.  Ajo që duhet të ndodhë nga sot e në vijim është vendimmarrja politike për çështjet e nënvizuara nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe nisja e punës për shqyrtimin e thelluar nen për nen të Amendamenteve Kushtetuese të hartuar nga ekspertët, të cilat duhet të hartohen në mënyrë përfundimtare nga ana e Komisionit të Posacëm. Paralelisht duhet të nisë dhe të përfundojë puna për paketën e plotë ligjore që do të shoqërojë Amendamentet Kushtetuese”, thuhej në qëndrimin e djeshëm të opozitës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here