Policia Rrugore e kishte identifikuar si “njollë të zezë” për sigurinë rrugore vendin ku ndodhi aksidenti i të shtunës, me dy viktima dhe dy të plagosur.
Ndërprerja e mbrojtëseve anësore pranë Malit të Robit, në autostradën Plepa-Golem, ishte konsideruar si e rrezikshme. Për këtë arsye, Drejtoria e Policisë Rrugore kishte kërkuar mbylljen e këtij kalimi, me anë të një shkrese drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por kjo shkresë nuk ishte marrë në konsideratë nga kjo drejtori, që varet nga Ministria e Transporteve.
“Policia rrugore e Kavajës ka bërë shkresat përkatëse, ka tentuar pranë Autoriteti Rrugor Shqiptar për të sinjalizuar këtë anomali dhe anomali të tjera, por i takon organeve të tjera të përmirësojnë sinjalizimet”, ka thënë Mithat Tola, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore.