Emigrantët shqiptarë po sjellin gjithmonë e më pak para pranë familjeve të tyre të atdhe.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një tkurrje të mëtejshme të remitancave, ose ndryshe dërgesave të emigrantëve me rreth 10.5%.
Të tremujorët e fundit të 2015-ës, të ardhurat nga emigrantët arritën në 153.9 milionë euro, më rënie 17.1 milionë euro kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ekspertët shpjegojnë se tkurrja e këtij burimi të ardhurash do të ndihet në ekonomi.
Ilir Ciko, ekspert: Këto dërgesa lidhen shumë më tepër me shtresat më të varfra të popullsisë dhe padyshim zvogëlimi i këtij fluksi për shtresat në nevojë, ngre nevojën që një shtet edhe më social, për të trajtuar problemet e kësaj shtrese veçanërisht në zonat më të thella të vendit.
Pakësimi i të ardhurave nga emigrantët pritet t’i japë një tjetër goditje konsumit, tashmë anemi sipas bankës së Shqipërisë, për shkak të pasigurisë së shtuara në ekonomi.
Ciko: Kjo nuk është thjesht një para e munguar në xhepat e shqiptarëve, por në të njëjtën kohë edhe një para jo e konsumuar brenda Shqipërisë, gjë që ndikon edhe në kërkesën e brendshme brenda vendit, pasi edhe bizneset vendase do të kenë një treg më të kufizuar.
Tkurrja e dërgesave të emigrantëve pritet të pakësojë edhe sasinë e valutës së huaj që futet në ekonomi, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e tyre janë në euro, monedhë me të cilën kryehet një pjesë e rëndësishme e transaksioneve në vend.oranews
DËRGESAT E EMIGRANTËVE
T4 2015 153.9 mln euro
T4 2014 171.0 mln euro
Ecuria – 17.1 mln euro