Policia Kufitare e Kapshticës ka sekuestruar 20 kg kanabis sativa, ka arrestuar një person dhe ka proceduar penalisht një tjetër. U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Renis Kasapi, 32 vjeç, banues në fshatin Karbunar, të rrethit Lushnjë, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases me iniciale S.C., 21 vjeç, banuese në Tiranë, pasagjere në mjet. Këtyre personave iu gjetën në automjetin tip “Mercedes-Benz”, me targa AA 049 NF, që drejtohej nga shtetasi Renis Kasapi, 40 pako me kanabis, me një peshë 20 kg. Gjithashtu, u sekuestruan 3 aparate celular, shuma prej 1150 euro si edhe automjeti ku u gjet lënda narkotike.