Në 19 prill Ministri Drejtësisë Ylli Manjani ktheu mbrapsht projektin e Ministrisë së Energjitikës për të dhënë me konçesion ndriçimin e rrugëve në Bashkinë Tiranë dhe Durrës. Dje u vërtetua se firma kontraktuese për këtë projekt ka problem me ligjin
Ministria e Energjitikës kishte menduar të jepte me konçesion ndriçimin e rrugëve të Bashkisë Tiranë dhe Durrës. Projekti pasi kaloi fazën e parë i shkon ministrit të drejtësisë për miratim. Por në mesin e muajit prill, ministri Ylli Manjani përmes një shkrese zyrtare i jep përgjigje negative Minsitrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri. Për Manjanin, ndërhyrja e kësaj ministrie në ndriçimin e rrugëve të Bashkive ndërhynte në kompetencat vendore. Por nuk ka qenë vetëm kjo. Duket se Ministri Manjani i ka paraprirë një të keqe më të madhe. Të dhënat e fundit që dalin rreth firmës së kontraktuar për ndriçimin e rrugëve, thonë se ajo ka problem me ligjin. Është një firmë daneze e cila ka operuar në këtë fushë edhe në Kosovë e vende të tjera të rajonit. Por kohët e fundit mësohet se firma daneze është në proces gjyqësor në Kosovë për shkak të abuzimeve që ka bërë pas marrjes së konçesionit. Duket se Ministria e Energjitikës, e cila ka nisur këtë projekt në bashkëpunim me qeverinë nuk ka pasur informacion të plotë rreth këtij fakti. Burime nga zyra e shtypit në kryeministri bënë me dije se konçesioni ende nuk është dhënë dhe para se të përfundonte firmës fituese do t’i kërkohej edhe dokumentacioni i plotë në lidhje me gjendjen e tyre gjyqësore.
Letra e plotë e Ministrit Manjani për anulimin e konçesionit
Ministria e drejtësisë i kërkoi ministrisë së energjitikës të kthejë mbrapsht projektin për dhënie me konçesion të ndriçimit të rrugëve të Bashkive Durrës dhe Tiranë një firme daneze, pasi projekti i saj nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe se në mënyrën se si është hartuar del mbi ligjin. Në datën 1 prill të këtij viti, Ministria e Energjetikës i kishte kërkuar asaj të Drejtësisë të shprehej në lidhje me nje projekt vendim për të zhvilluar një tender ku do të jepej me konçesion një firme daneze ndriçimi publik i Tiranës dhe Durrërsit. Por Ministri i Drejtësisë duke i kthyer përgjigje e konsideron të paligjshëm zhvillimin e tij. Sipas ministrit është një cënim i autonomisë vendore në një kohë kur qeveria hyn në çështjet e administrimit të një shërbimi që i takon Bashkive. Përveç tejkalimit të kompetencave, ai vë në dyshim projektin, duke u shprehur se është e paqartë zanafilla e propozimeve të Kompanisë Daneze “HeSaLajt”A/S, që ka kryer një studim për sistemin e ndriçimit në Bashkinë Tiranë dhe Durrës. Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk duhet të jetë autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie konçesioni ndriçimin publik në territoret e Bashkive, pasi ajo është autoritet politikbërës dhe standardizues, nuk është një autoritet zbatues. Ministria e energjisë nuk është pronar i çdo çelësi dritash thuhet në letër. Ndriçimi publik në rrugët kombëtare është përgjegjësi e autoritetit rrugor shqiptar, ndërsa rrugët vendore i përkasin bashkive. Duke e sqaruar teknikisht Ministri i Drejtësisë shprehet se Projekti propozon hapësirë për përplasje të kompetencave ndërinstitucionale dhe përplasje të kompetencave me pushtetin vendor.