Kosova priste një lajm historik, por ndodhi diçka krejt tjetër.
Siç ishte paralajmëruar, sot pritej të merrej vendimi i UEFA-s për Kosovën, të cilës pritej t’i përcaktohej grupi për në kualifikimet e Botërorit 2018, që do të mbahet në Rusi.
Mirëpo, për momentin nuk ka ndodhur asgjë. Kështu së paku thotë zëvendës-presidenti i UEFA-s, Hryhoriy Surkis.
“Vendimi për pjesëmarrjen e Kosovës dhe përfshirja e Gjibraltarit në kualifikimet për Botëror nuk është marrë. Është krijuar një komision special, i cili do të vendos për këtë temë”, ka thënë Surkis për agjencinë ruse, TASS, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të mbajtur sot në Basel, përcjell Zëri.
Nuk dihet saktë se kur do të mbahet mbledhja e radhës, e cila do të vendos nëse Kosova do të jetë në grupin H apo I, në kualifikimet për Botëror.
Në Grupin H gjenden Belgjika, Bosnja e Hercegovina, Greqia, Estonia e Qipro, kurse në atë I janë Kroacia, Ukraina, Islanda, Turqia e Finlanda.