Ish kryetari i bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili është kontaktuar vetë fillimisht nga 20-vjeçarja Anisa. Pasi ajo i ka shkruar disa herë në Facebook, Shukri Xhelili i ka premtuar punë duke i propozuar një lidhje sekrete mes të dyve. Panorama ka zbardhur dëshminë e vajzës në polici, ku ajo ka treguar si nisi kontaktet me qëllim punësimin.
Dëshmia
Para rreth tre vitesh kam mbaruar arsimin e mesëm të përgjithshëm në gjimnazin Peshkopi. Në muajin shkurt 2016, duke qenë se isha e papunë, mendova që të kërkoj punë në Bashkinë Dibër. Duke qenë se e kisha të vështirë takimin e drejtpërdrejtë me kryetarin e Bashkisë, Shukri Xhelili, pasi ai pranonte që të takohej me njerëz të rëndësishëm, vendosa që t’i shkruaja në faqen e tij në “Facebook”.
Konkretisht, me sa më kujtohet, i kam shkruar nga fundi i muajit shkurt 2016. Mund t’ju them se në faqen e “Facebook”-ut i kam shkruar pak a shumë këto fjalë: “Përshëndetje zoti kryetar. Jam Anisa, jam me arsim të mesëm. Di edhe gjuhë të huaja, anglisht, spanjisht, italisht dhe jam e aftë që të ambientohem në çdo lloj pozicioni pune që mund t’ju duket juve e arsyeshme që të më ofroni. Unë jam e gatshme që të pranoj çfarëdolloj pune që më ofroni ju, sepse kam me të vërtetë nevojë”.
Nuk i kam shkruar gjë tjetër. Po atë ditë që unë i shkruajta dhe kryetari i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, më ka kthyer përgjigje menjëherë në faqen time të “Facebook”-ut duke më shkruar pak a shumë këto fjalë:
“Përshëndetje Anisa. Mund të vini të më takoni te zyra ime”. Gjë tjetër nuk më shkruajti. Me sa më kujtohet, nga fillimi i muajit mars 2016 jam paraqitur në zyrën e kryetarit të Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, i cili nuk ndodhej për momentin në zyrë. Jam larguar që aty. Më pas kam gjetur numrin e telefonit të kryetarit të Bashkisë, Shukri Xhelili, nuk e mbaj mend përmes kujt.
Të nesërmen, nëpërmjet numrit tim të telefonit e kam telefonuar në numrin e tij zyrtar të Bashkisë dhe kemi bërë një bisedë të shkurtër telefonike me këtë përmbajtje:
“Përshëndetje. Kush jeni, më ka thënë Shukriu. I thashë që jam ajo goca që kemi komunikuar në ‘Facebook’. Shukriu më tha se nuk mbaj mend se sa goca më shkruajnë në ‘Facebook’. Pasi i tregova kush isha, Shukriu më tha që mund të vish te zyra ditën e enjte, që ishte ditë takimesh ose mund të plotësosh një CV”. Me kaq biseda u mbyll.
“Më pyeti nëse isha beqare”
Pas rreth dy apo tri ditësh, muaji mars 2016 ka qenë, kam shkuar te zyra e kryetarit të Bashkisë, Shukri Xhelili, i cili ndodhej aty. Kam komunikuar me sekretarin e Bashkisë, O. S., i cili më futi te zyra e kryetarit të Bashkisë.
Aty ndodhej Shukri Xhelili, me të cilin bëmë pak a shumë këtë bisedë: “Pasi u prezantohem, kryetari i Bashkisë, Shukri Xhelili, më pyeti nëse isha beqare apo e martuar. Ju përgjigja që jam beqare. Pastaj më tha: Pse nuk martoheni ju të rinjtë, apo keni frikë nga martesa? Për punën time fliste shumë pak, vetëm kur ia përmendja unë.
Në pjesën më të madhe të bisedës fliste për mua personalisht. Gjithashtu, Shukriu më tha se kush nuk do ta merrte në punë një vajzë si unë. Në lidhje me punën më tha që nuk kishte vende bosh dhe se kur të lirohen, do të të lajmëroj. Në momentin që po dilja nga zyra, kryetari i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, më tha që do të flisnim në Facebook ose në telefon. Dy ditë pasi kisha takuar Shukriun, i kam shkruar në Facebook dhe i thashë nëse ishte liruar ndonjë vend pune. Shukriu më shkruante që të duroja edhe pak se nuk ishin liruar vende. Që nga ajo ditë komunikimet me Shukriun ishin të shpeshta si në Facebook, ashtu edhe në telefon.
“Më kërkoi lidhje”
Gjatë komunikimeve, Shukriu shfaqte interes të vazhdueshëm ndaj meje. Më thoshte që je shumë e bukur, do të ta gjej një punë. Më thoshte të kam primare për të të gjetur punë.
Gjithashtu më tha që do të ma gjente një punë, nëse unë do të bëhesha mikesha e tij. Vazhduan komunikimet e vazhdueshme duke biseduar edhe rreth gjërave të tij personale, si dhe interesave që kishte ndaj meje. Kur isha herën e dytë te zyra, më tha “A je e gatshme që të kemi një lidhje bashkë, që të mos e marrë vesh askush?”.
Ilva Tare, gazetarja që e ndihmoi të filmonte Shukriun:
Pas këtij komunikimi kam shkuar në zyrën e tij me mendimin që ta filmoja. Në zyrën e Shukriut hura me telefon me kamerë të ndezur dhe filmova gjithë atë që ndodhi në zyrën e tij, e cila u publikua në ‘’Ora News’’. Telefonin me të cilin filmova Shukri Xhelilin në zyrën e tij, pasi kam nxjerrë me USB materialin filmik e kam përplasur nga nervat dhe është thyer dhe e kam hedhur. Ndërsa USB-në e kam dërguar te ‘’Ora News’’. Pra videoja e publikuar është realizuar nga ana ime. Dua të theksoj që në momentin që më firmosi kontratën , kryetari i bashkisë kërkonte favore seksuale ndaj meje. Pas këtij momenti, kryetari i bashkisë firmosi emërimin tim dhe unë këtë dokument ia dërgova drejtorit të Qendrës Së Kulturës, V.V, e më pas fillova punë si magaziniere. Edhe pas vazhdimit të punës, kryetari i bashkisë, Shukri Xhelili, më kërkonte takime private dhe favore seksuale duke më thënë që do të më rregullonte në një vend më të mirë pune. Nga fundi i muajit mars 2016, vendosa që të shkoja në televizionin ‘’Ora News’’ për të denoncuar publikisht këtë skandal të kryetarit të Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili. Aty kam marrë kontakt me gazetaren Ilva Tare, së cilës i kam shpjeguar gjithçka kishte ndodhur. Duke qenë se kryetari i bashkisë, Xhelili më kishte kërkuar që të takoheshim në ambiente private në Tiranë, për këtë shkak gazetarja Ilva Tare më ofroi mundësinë e bashkëpunimit që të filmonim përsëri. Më dhanë një kamera të vogël, të cilën ma montuan në kuletën time. Me kryetarin e bashkisë, Shukri Xhelili, jemi takuar tek ishStacioni i Trenit në Tiranë dhe aty hipëm në automjetin e tij për të shkuar te një hotel i quajtur ‘’R…’’. Aty më pak kemi hyrë në dhomën e hotelit ku ai u zhvesh dhe kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale me mua. Pas disa tentativash i kam thënë Shukriut, që do të iki pasi më kërkonte mami dhe më pas jam larguar nga hoteli. Pas momentit të hotelit, i cili u publikua në televizionin ‘’Ora News’’, nuk kam pasur komunikime të tjera me kryetarin e bashkisë, Shukri Xhelilin.