Ne gjejmë tek personazhet e famshme nga bota e artit dhe e sportit një model suksesi dhe një pamje të kuruar e perfekte, rezultat i cili është pasojë e shumë trajtimeve dhe estetistëve që kujdesen për imazhin e tyre. Por kjo nuk mjafton për të justifikuar pamjen e çdo personazhi simpatik që hasim në media. Ndaj shpesh mendojmë se atyre iu ka rënë llotaria gjenetike dhe thjesht janë me fat.
Por duhet vetëm të hetojmë pak se si këta personazhe kanë qenë në fillim të karrierës dhe si u transformuan pasi u pajisën me sukses dhe para. Në fakt ata janë me fat, me fat që patën fondet e mjaftueshme dhe takuan një kirurg të zotin, i cili iu dha një pamje të re dhe të freskët. Me të drejtë mund të pyesim veten se a do ta kishte suksesin që ka sot Cristiano Ronaldo, nëse ai nuk do t’i nënshtrohej këtyre ndërhyrjeve? Po Lady Gaga pa operacionet e saj radikale a nuk do ishte e frikshme deri në trembje fëmijësh?
Prandaj kur të dilni përpara pasqyrës mos ia vini fajin prindërve, llotarisë gjenetike, apo vetes tuaj, pasi bukuria nuk është asgjë më shumë se sa një mall që blihet. Ulni kokën, punoni me zell, pasurohuni dhe pastaj shkoni të blini një mall gjithmonë e më tepër në modë: Bukurinë. Bota ku jetojmë nuk ka njerëz të shëmtuar, por vetëm të varfër.