Të gjitha pronat e lujtshme dhe të palujtshme shtetërore të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpërthimet do ti kalojnë në pronësi bashkive. Në mbledhjen e djeshme të këshillit të ministrave janë bërë disa ndryshime në vendimin nr.1691, DATË 10.10.2007. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 4, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, të pikës 1, të nenit 53, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V endimi:
- Transferimin, nga Ministria e Punëve të Brendshme, prefektët në qarqe, nënprefektët dhe administrata e tyre, te bashkitë, në territorin e të cilave është vendndodhja e tyre, të:
- a) pronave të paluajtshme shtetërore të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëthimit, sipas formularëve bashkëlidhur. Lista e inventarit përbëhet nga 16 (gjashtëmbëdhjetë) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
- b) aktiveve të tjera të qëndrueshme (autozjarrfikëse dhe mjete të tjera transporti, pajisje, inventari ekonomik etj.) dhe aktive qarkulluese (materiale të shërbimit të zjarrfikëseve dhe objekte të tjera inventari).
- Prefektët në qarqe dhe kryetarët e bashkive të ngrenë komisione të përbashkëta për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit teknik dhe inventarit fizik përkatës, për pronat e transferuara sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, brenda datës 25 maj 2016.
- Bashkive, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, u ndalohet tjetërsimi, ndërrimi i destinacionit apo dhënia në përdorim të tretëve të pronave të përcaktuara në këtë vendim.
- Pronat, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, miratuar me vendimin nr.1691, datë 10.10.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për prefektët në qarqe dhe nënprefektët, administratën e tyre, për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, (Drejtorinë e PMNZSH-së)”, të ndryshuar.
- Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, prefektët në qarqe, kryetarët e bashkive respektive dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.