Këto janë të dhënat e fundit nga zhdukja e aeroplanit.
Ende nuk ka raporte zyrtare për aeroplanin e zhdukur sot i cili fluturoi nga Parisi në Kajro. Autoritetet në Greqi thonë se aeroplani u zhduk në Detin Mesdhe, në afërsi të ishullit Karpathos, ndërkohë që presidenti francez ka konfirmuar se aeroplani është rrëzuar.
Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë sulmi terrorist si shkak i fatkeqësisë së zhdukjes së aeroplanit.
Mediat franceze thonë se presidenti francez, Hollande ka konfirmuar rrëzimin e aeroplanit, i cili fluturoi sot nga Parisi për në Kajro. Aeroplani ishte dashur të mbërrijë në Kajro në orën 03 të mëngjesit, mirëpo tani më shumë se nëntë orë ai ende gjendet në zhdukje.
Presidenti gjithashtu ka thënë se autoritetet franceze do të bëjnë çmos për ta gjetur aeroplanin e zhdukur, kështu në bashkëpunim me ato egjiptiane.
Në aeroplan gjithsej gjendeshin 66 pasagjerë, 15 prej tyre ishin shtetas francez.
Eksperti i njohur për terrorizëm nga Londra, Peter Neumann përmes një postimi në Twitter ka thënë se ekziston mundësia e sulmit terrorist, kështu duke iu referuar deklaratave të ish shefit të agjencisë franceze për fluturime ajrore, Jean Paul Troadec.
Nga ana tjetër, një përfaqësues i aeroportit grek tha për agjencinë e lajmeve AFP, se aeroplani është rrëzuar para ishullit Karpathos.
Edhe kryeministri egjiptian, Sherif Ismail nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndonjë sulmi terrorist. Sipas meteorologëve, nëse aeroplani është rrëzuar në det, në temperaturat aktuale të ujit, njerëzit mund të kenë shans për mbijetesë rreth 40 orë.