Autoritetet franceze janë duke marrë gjithçka përsipër në mënyrë që most ë ketë asnjë incident gjatë kampionatit që do të zgjasë një muaj
Kryefjala e Europianit 2016 për autoritetet franceze është siguria në stadiume dhe zonat e tifozëve. Atentatet e muajit Nëntor në Paris kanë ndryshuar jo vetëm jetën e banorëve të kryeqytetit francez por edhe strategjinë e autoriteteve të sigurisë që kanë nisur punën për të ndërtuar një kordon të sigurt gjatë muajit të Euro 2016. Kreu i shërbimeve sekrete ka folur përpara Komisionit Parlamentar për masat që janë marrë, duke theksuar se rreziku më i madh vjen nga bombat artizanale. Stadiumi i ceremonisë së hapjes dhe i finales do të mbrohet nga një mur metali, ndërsa tifozët do të kontrollohen plot 4 herë deri në hyrje. Vendimi për mburojat prej metali nuk është pëlqyer nga tregtarët, por frika e vendosjes së bombave në vende të populluara ka detyruar autoritetet të marrin masa ekstreme. Përveç stadiumeve ku siguria do të jetë në nivelet më të larta, rreziku i atentateve është i madh edhe në zonat e tifozëve. Qeveria ka vendosur që të mos e anulojë projektin për këto zona, duke i dhënë një mesazh të qartë Shtetit Islamik se terrori nuk do të arrijë ta frikësojë evenimentin më prestigjoz të futbollit europian. Buxheti që do të siurojë europianin është dyfishuar duke arritur deri në 24 milionë Euro. Gjithsesi, tensioni politik në Paris përsa i përket kësaj çështjeje mbetet i madh pasi opozita ka vënë në dukje pikat e dobëta të planit të sigurisë. Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në një kompeticion madhor futbollistik Europianin Francë 2016. Këtë të shtunë De Biasi zbulon enigmën e parë, atë të listës së futbollistëve që do të marrë me vete në Francë, dhe deri në ndeshjet zyrtare duke filluar nga ajo e para më Zvicrën në 11 qershor gjithë vëmendja do të jetë te kombëtarja, me përgatitjet në Austri e miqësoret para Europianit me Katarin, Ukrainën si dhe përgatitjet e fundit para debutimit në Europian. Emocionet e mëdha sapo kanë nisur, kjo do të jetë një verë e jashtëzakonshme.
Rashica:Shpresoj të jem në skuadrën e De Biazit
Faqja zyrtare e klubit të Vitesses në Youtube i kushton një hapësirë të madhe sulmuesit të Kombëtares, MIlot Rashica, i cili konfirmoi talentin e tij brenda një sezoni të vetëm, duke u bërë simboli i skuadrës holandeze. Gola, asiste dhe shpërthime t e vazhdueshme nga krahu e kanë bërë Rashicën një prej talenteve më të kërkuar ët Europës. Vetë 19-vjeçari rrëfen momentet magjike të këtij sezoni. “Është një moment fantastik. Erdha në provë këtu te Vitesse ku u stërvita 2-3 javë me skuadrën e dytë ku luajta disa miqësore dhe më pas u bashkova me skuadrën e parë ku u stërvita për dy javë dhe më pas nënshkrova kontratën”. I pyetur nëse e priste ecurinë fantastike gjatë këtij sezoni, Rashica përgjigjet: “Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk e prisja se do të zhvilloja një sezon të tillë. Mendoja se pas 1 apo 2 vitesh në ekipin e dytë më pas do të luaja disa minuta në ekipin e parë, por as unë vetë nuk e prisja që gjithçka të konkretizohej brenda një periudhe kaq të shkurtër”. Rashica cilësohet një lojtar oportunist që jep shumë për ekipin por pavarësisht sezonit fantastik, ai veçon një ndeshje dhe golin që do ta mbajë mend gjatë. “Ndeshja më e mirë për mua ka qenë ajo e debutimit kundër Sauthampton në Europa League. Goli më i bukur besoj se ka qenë ai i shënuar ndaj Heracles në transfertë ku barazuam 1-1”.Që prej një viti, talenti shqiptar jeton në qytezën e Arnheim ku ai është përshtatur menjëherë me realitetin e ri. “Arnheim është një qytet shumë i mirë edhe pse jo i madh. Nëse ke nevojë për diçka e gjen shumë shpejt sepse çdo gjë është shumë pranë. Është pak më i madh se qyteti i Vushtrrisë”. Pas çdo goli, Rashica nuk ngurron të festojë me shqiponjën e flamurit kuqezi. Ai shpjegon për gazetarin holandez arsyen se përse ka zgjedhur të festojë në këtë mënyrë. “Festoj duke bërë shqiponjën sepse është simboli i vendit tim. Kur erdha këtu askush nuk më njihte dhe dëshiroja t’u tregoja se nga vija”. Edhe pse debutimin me Kombëtaren Shqiptare e ka bërë, Rashica nuk është ende i sigurt për një thirrje nga De BIasi në Euro 2016, por sulmuesi i lindur në Kosovë, ashtu si në fushën e lojës, tregohet altruist. “Shpresoj që të shkoj në Francë por nuk e di nëse do të ndodhë. Edhe nëse nuk grumbullohem, shpresoj që Shqipëria të luajë një futboll të mirë dhe të japë më të mirën. Në futboll asnjëherë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Jemi në një Grup të vështirë me Rumaninë, Zvicrën dhe Francën por ne kemi një skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim mbanë”. Në fund, Rashica flet edhe për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se aventura e tij do ta vazhdojë në Holandë. “Po shikojmë përpara për sezonin e ardhshëm. Jemi një skuadër e mirë. Nëse shkoj në Francë do të rikthehem në Korrik për të nisur stërvitjen dhe për të zhvilluar një tjetër sezon pozitiv”.