Pas aksidentit të ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy persona si dhe u plagosën 4 të tjerë, policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit.
Sipas policisë së Durrësit është ndaluar Adis Barzezi, 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte konsumuar alkool. Gjatë testit rezultoi se ai kishte konsumuar alkool në masën 0.53 mg / l.
Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 49-vjeçarit Hamza Islamaj, banues në Tiranë, administrator i subjektit kontraktues për mirëmbajtjen e aksit rrugor ku ndodhi aksidenti.
Subjekti kontraktues nuk ka zbatuar me përpikmëri kushtet teknike dhe nuk ka zëvendësuar barrierat mbrojtëse të sigurisë, të cilat kanë qenë të dëmtuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale: “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ” drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt ” në ngarkim të shtetasit Adis Barzezi dhe “shpërdorimi i detyrës ” në ngarkim të Hamza Islamaj.
Ngjarja e ndodhur një ditë më parë:
Me datë 21.05.2016, rreth orës 05:20, në rrugën urbane kryesore Plepa-Mbikalimi i Shkozetit, mjeti tip Peugeot me targa TR 4863 R, ka dalë nga rruga.
Për pasojë kanë humbur jetën 2 pasgjerët Ardian Sallaku 37 vjeç e Vito Mehmeti 25 vjeç, të dy banues në Shkozet, Durrës.
Gjithashtu janë plagosur dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve:
B.D. 29 vjeç, banues në Shkozet, Durrës, pasagjer;
O.Sh. 30 vjeç, banues në Shkozet, Durrës,pasagjer;
K.K. 20 vjeç, banues në Shkozet, Durrës, pasagjer;
Adis Barzezi 28 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet drejtuesi i mjetit./tvklan.al