Militantët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar se do të sulmojnë Europën dhe Shtetet e Bashkuara në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Lajmi është njoftuar nga një militant i kësaj organizate terroriste përmes një mesazhi në rrjetin social twitter.
Ekstremisti i identifikuar si Abu Muhamadd Al-Adnani, i cili njihet edhe si zëdhënësi i ISIS, shprehet se muaji i Ramazanit do të jetë muaji i sulmeve dhe i Xhihadit.
Muaji i Ramazanit këtë vit nis më datë shtatë qershor, vetëm tre ditë përpara se çeljes së Kampionatit Europian të Futbollit.
Një gjë e tillë mund të jetë mjaft problematike, pasi turmat me mijëra njerëz mund të jenë një shënjestër mjaft e lehtë për militantët.
Qeveria franceze vetëm pak ditë më parë miratoi në Parlament zgjatjen e gjëndjes së jashtëzakonshme me qëllim rritjen e masave të sigurisë dhe mundësimin e zhvillimit normal të evenimentit më të madh futbollistik në kontinentin e vjetër.
Në alarm ndodhen edhe vendet e tjera të Europës, të cilat e kanë rritur ndjeshëm vigjilencën e tyre ndaj sulmeve terroriste.
Në bazë të deklaratave të bëra nga ekspertët dhe përfaqësuesit e Agjensive Inteligjente, shtete që rrezikohen gjithashtu janë Italia, Gjermania, Belgjika, por edhe Britania e Madhe.