Akademia e Shkencave/ Sot votimet, pse te “kulti i dijes” po flitet për “klub stalinist”. Fuga: Grusht anti-institucional

0
169

 

majko-c1200x600

 

PD i qëndron idesë së saj për thjeshtimin e numrit të institucioneve nga 11 në 7 gjithsej, me qëllim mos kapjen politike të sistemit. PS kundër: Kthehet procesi nga fillimi

 

Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi do të  mblidhet ditën e sotme për të diskutuar çështjet që mbajnë ende pezull miratimin e saj. Ndërkohë që kanë ngelur vetëm kapitujt e fundit për tu diskutuar, pas propozimeve të opionion drafit të PD – së në lidhje me çështjet politike, demokratët vazhdojnë të këmbëngulin në pikat e tyre. Nga ana tjetër socialistët paraqiten të ngurtë në raport me palën tjetër, duke shprehur kundërshti për kërkesat kryesore të demokratëve që lidhen me çështjet politike të reformës. PS kundërshtuar sidomos propozimin e PD për eliminimin e Këshillit të Emërimeve, duke folur për dy  qëndrime të kundërta. Sipas socialistëve propozimet e opozitës e kthejnë procesin nga e para.  Por PD i qëndron idesë së saj për thjeshtimin e numrit të institucioneve nga 11 në 7 gjithsej, me qëllim moskapjen politike të sistemit në drejtësi.

 

Propozimet e PD

 

Propozimet e PD lidhen kryesisht me shkrirjen e 4 instutucioneve nga 11 të propozuara nga mazhoranca, ku përfshihet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi,kompetencat e të cilit i kalojnë Gjykatës Kushtetuese si dhe 3 Institucioneve të tjera, KPK(Komisionit të pavarur të Kualifikimit), TDD(Tribunalit disiplinor të Drejtësisë),dhe Kolegjit të posaçëm të Kualifikimit. Në diskutimin në parim që u bë të  premten e shkuar, në lidhje me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi demokratët përforcuan mendimin e tyre, duke deklaruar se këto ndryshime në arkitekturën e sistemit të reformës janë të nevojshme për të mos  presionionuar drejtësinë. “Ne bëmë propozimet tona, ndërkohë që mazhoranca vazhdon ti qëndrojë sistemit kompleks që garanton kapjen dhe gjithashtu një presion afatgjatë mbi sistemin e drejtësisë,” –  u shpreh Nënkryetari i reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, pas mbledhjes së të premtes. Në tryezën e komisonit të reformës mazhoranca nuk dha dakortësinë edhe me një tjetër propozim të partisë Demokratike për  ruajtjen e mandateve të funksionarëve që kanë kaluar provën e rivlerësimit, e njohur si (procesi i Vetingut). Propozim tjetër  i të djathtëve është zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, prokurorit të Përgjithshëm, anëtarëve të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë me 3/5  e deputetëve të Kuvendit pas datës 1 shtator 2015 kur të jetë zgjedhur qeveria e re. Demokratët kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me kompenentin e sistemit prandaj paraqitën draftin e ndërtuar nga ekspertët e tyre, më synimin për të thjeshtëzuar arkitekturën e reformës, bazuar mbi rekomandimet  e Komsionit të Venecias. Ata i cilësuan të nevojshme këto propozime, sepse shprehen se ka çështje që duhet të vendosen me konsensus nga aktorët poltikë  në vend, përndryshe reforma nuk mund të kalojë.

 

 

download

 

Votimet në Akademinë e Shkencave

 

PD: Tentativë për uzurpimin e çdo hapësire, kolektivizimi i votës nga “klubi stalinist”

 

Partia Demokratike reagoi dje lidhur me procesin zgjedhor që pritet të zhvillohet sot në Akademinë e Shkencave duke e cilësuar atë si tentativë për uzurpim të hapësirës nga “klubi stalinist”.  Prej disa kohësh ndjekim me shqetësim atë që shumëkush e ka quajtur “farsë zgjedhore” për zgjedhjen e kryesisë së komunitetit më të rëndësishëm shkencor në vend. Ajo që po ndodh me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është e pafalshme dhe e papranueshme. Kemi të bëjmë me as më shumë dhe as më pak me një tentativë për uzurpimin e çdo hapësire për vendim-marrje demokratike në institucionin që duhet të rrezatonte dije dhe demokraci për të gjithë Shqipërinë. Përdorimi i metodave staliniste të votimit, trajtimi i personaliteteve më të larta të shkencës shqiptare sikur të jenë një tufëz bagëtish, është një atentat i tmerrshëm që i bëhet dinjitetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Më tej PD thekson se ajo që pritet ti shkaktohet Akademisë së Shkencave, ndodh në vazhdën e atentateve ndaj lirisë së vetëadministrimit të institucioneve universitare. “Nëse “klubi stalinist” që synon të shkatërrojë demokracinë akademike ia arrin me sukses qëllimit të tij, atëherë çfarë mund ti kërkojmë ne votuesit të zakonshëm shqiptar? Nëse korruptohen proceset demokratike në majën më të lartë intelektuale shqiptare, si mund të jetë e mendueshme dhe e imagjinueshme që zgjedhjet vendore dhe kombëtare të mos cenohen?”, theksoi PD, duke shtuar kërkesën për KLSH që të nisë procedurën për verifikimin e kritereve statutore për kryesimin e Akademisë së Shkencave.

 

Grusht anti-institucional në Akademinë e Shkencave

Nga Artan Fuga

 

Ka dalë krejt nga shinat institucionale. Akademia e shkencave e Republikës të Shqipërisë po përgatitet nga kryesia të kryejë një shkelje madhore të Statutit të saj, që e ka të përcaktuar me ligj, pra të kryejë një “atentat” juridik, duke organizuar zgjedhje antistatutore të pesë anëtarëve të saj në datën 23 maj 2016. Ky është një akt që e deligjitimon përfundimisht akademinë e shkencave, nëse nuk ndalet ! Nëse nuk e ndalin vetë akademikët, as autoritetet, atë duhet ta ndalin opinioni publik dhe gazetarët e medias. Kërkohet mbështetje qytetare. Zgjedhjet mund të bëhen vetëm nëse një korum akademikësh janë të pranishëm në sallë, kurse po kërkohet zyrtarisht dhe me shkresa të çohen me zarfa vota edhe me postë, si edhe të votohet përpara ditës të caktuar, jashtë kushteve të fshehtësisë dhe jo në prani të komisionit të votimeve.

Kanë të drejtë rregullisht të votohen edhe kandidatura nga jashtë akademisë, por ata nuk janë njoftuar dhe me shkresë zyrtare njoftohen për kandidim vetëm akademikët e asociuar. Ruhen privilegjet vetëm për vete. Statuti kërkon që kandidatët të kenë vepra madhore për vendin, por akademia nuk ka përcaktuar asnjë parametër për të matur se çfarë quhet vepër madhore. Po ashtu statuti, pra ligja e akademisë, kërkon që kandidaturat më parë të shqyrtohen dhe votohen në seksione, pastaj të votohen përfundimisht, pra për t’u debatuar dhe marrë madje nëse duhet edhe mendimin e specialistëve të jashtëm, kurse kryesia e akademisë duke dhunuar çdo ligj dhe normë statutore krijon mundësinë për trafiqe influencash duke i çuar akademikët, jashtë çdo shqyrtimi kolektiv dhe të specializuar kompetent, drejt e në kutinë e votimit. Kështu : biologu do të votojë për juristin,  inxhinjeri për historianin,  filozofi për mjekun,  letrari për kimistin. A ka vend në botê që mund të ndodhi kjo???  A ka njeri me mend që nuk i duket absurde kjo? Epo ja në akademi kjo quhet normale, racionale. Ata atje nuk duket se ka forcë që i ndal për ta kryer këtë veprim absurd! Veç qytetit, opinionit, medias. ( shkrim i publikuar nga autori në 20 maj në kuadër të votimit të sotëm në AKSH)

 

Zgjedhjet  në PDIU

Idrizi rikonfirmohet kryetar: Bashkimi kombëtar, busulla jonë

 

Shpëtim  Idrizi është rizgjedhur përsëri në krye të partisë Drejtësi, Itegrim dhe Unitet. Ai ka fituar me një avantazh të dukshëm duke siguruar 72% të votave kunderjt 26% që mori rivali i tij, Halil Hyseni. Ndërkohë, pas rikonfirmimit si kryetar i PDIU-së, gjatë fjalës së tij, Idrizi u zotua edhe njëherë për të çuar deri në fund  zgjidhjen e çështjes çame, duke theksuar se bashkimi kombëtar . “ Nuk është fitorja që më gëzon, madje as gara. Nuk është rezultati që më mahnit e as pjesëmarrja mbrësëlënëse. Dje, isha dëshmimtar i një vullneti të përbashkët, një dëshire për t’u angazhuar, një qëllimi të patundur për të çuar përpara nismën tonë disavjeçare. Unë zotohem solemnisht përpara anëtarësisë së re dhe asaj të vjetër, para gjithë brezave të anëtarëve dhe simpatizantëve të PDIU-së, para dhëndurëve të Çamërisë, si i quaj unë të moshuarit që kanë ende shpresë të shohin vatrat e tyre. Se bashkimi kombëtar do të jetë busulla jonë politike e pandrysheshme, se zgjidhja e Çështjes Çame do të jetë objektivi ynë i palëkundur, derisa të kemi frymë, se amanetin nuk e tret dheu,”- deklaroi Shpëtim Idrizi. Në qëndrat e votimit u drejtuan rreth 81% e anëtarëve të kësaj partie, ndërkohë që u votua edhe për kryetarët e rinj të degëve në vend si dhe për 100 delegatët që do marrin pjesë në kongresin e 4 qershorit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here