Nga Rudina Xhunga Marjan Rroku telefonoi në “Vizion Plus”, të nesërmen e intervistës me Ornela Canaj, motrën e vajzës që ai vrau në 29 shkurt 2001. Kërkoi të më takojë, të më tregojë gjithë të vërtetën, të më tregojë atë ditë, të më tregojë kush e ndihmoi të arratisej, të më tregojë si u fsheh, të më tregojë kush e gjeti. E pyeta pse nuk i tha këto te Arditi. Do të ta them edhe këtë, më premtoi. Marjan Rroku është një njeri që i ka mbyllur hesapet me opinionin publik. Si rrallëherë, të gjithë ishin në një mendje, kur e refuzuan rrëfimin e tij, tek e diela shqiptare. Ta pranosh të intervistosh atë përsëri, duhet t’i bësh vetes shumë pyetje. Pse, po e bëj? Ai ka vrarë dy gra, nënë e bijë, aq të pafajshme, sa nuk ka arsye ta shohësh dhe tregosh Marjanin, në një dritë tjetër. Ndaj hezitova të shkoj. Po, në zanatin tonë, kurioziteti të mban gjallë, pa të, thjesht merr rrogën. Intervista me një vrasës që pranon të rrëfehet, është shumë. Ndaj shkova. Marjani ishte gjysma e atij që kisha parë në tv. – Ti nuk dukesh fare, -i thashë. – Si, si kriminel? -më tha. U ulëm në dhomën e takimeve, me dy karrige plastike, një tavolinë plot me dosje, kodi im penal dhe kodi i tij penal. Isha përgatitur për rrëfimin e madh, për psenë e një vrasjeje, për atë çastin që çmend dhe vret, isha përgatitur për çdo pyetje, çdo ditë, që nga telefonata e parë me të. Marjani ishte shumë më shumë i përgatitur, për çdo kundërpyetje, gati çdo sekondë, të më thoshte variantin e tij, i përgatitur deri në një, ta kthente në gjyq, atë treorësh në qeli. Sepse ky që do të shikoni sonte, në orën 20:45, në “Vizion Plus”, është një gjyq, në fakt. Një gjyq me një njeri që i ka zhdukur të gjitha provat, që është gjykuar në mungesë, që nuk heq dorë nga shpresa se do të dalë, një ditë, sepse “ja vdekje, ja liri”, është motoja e tij. Intervista me Marjanin është realizuar në 17 mars. Kemi pritur deri sot, ta transmetojmë, sepse dosja e Marjan Rrokut, ndërsa ai jepte intervistën, ishte në Gjykatën Kushtetuese, për rishikim vendimi. Askush nuk pranon, qe media ndikon ligjin, por për sa kohë opinioni mendon se kjo mund të ndodhë, për sa kohë babai i vajzës së vrarë mendon se kjo mund të ndodhë, respektuam të presim. Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e rishikojë vendimin. Marjan Rroku do të vuajë dënimin e përjetshëm. Dosja Rroku u mbyll. Atëherë, pse duhet të rikthehemi te një dosje e mbyllur?, do të jetë pyetja e shumëkujt që do të shohë sonte emisionin. Secili do të ketë përgjigjen e vet. Unë e kam timen. U nisa ta bëj këtë intervistë si gazetare, por shkova përtej. Mundohem ta shoh atë çast, kur Alda dhe Mbarimja, nënë e bijë, atë ditë, si çdo ditë, po vinin nga shkolla në shtëpi. Ashtu të pambrojtura, të heshtura, duarshtrënguara, ashtu siç ikën nga kjo botë, bashkë, në përpjekje për të shpëtuar njëra-tjetrën. U nisa ta bëj këtë intervistë, për të kuptuar pse vrau Marjani dhe përfundova duke marrë një përgjigje tjetër. Duke jetuar në një botë njerëzish të pabarabartë, unë si shumëkush besoj se po të kesh para, pushtet në Shqipëri, ia del. Ia del t’i shpëtosh fatit tënd. Ndërro emrin, bëhu deputet, a kryetar bashkie, ose thjesht ndihmo pushtetin dhe ai të ndihmon ty. Por jo. Nuk është kështu. Marjan Rroku është një djalë i zgjuar, shumë i zgjuar. Që nuk ia doli t’i shpëtojë drejtësisë, edhe pse u fsheh në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme, edhe pse krijoi një jetë, bëri një familje, një oqean larg vendit të krimit. Por është e pamundur të blesh të kaluarën tënde. E pamundur ta fshehësh, e pamundur ta zhdukësh. Këtë kuptova unë, kur dëgjoja Marjanin, të fliste për orë të tëra, në atë burg të sigurisë së lartë. E dëgjoja dhe mendoja se ai djalë inteligjent i shërbimeve sekrete, mund të ishte duke punuar për CIA-n, ato momente, kur fliste me mua, ose mund të ishte duke lozur me fëmijën e vet, në vend të më tregonte mua, sekretin e një krimi. Kjo është jeta, ti do të paguash për fajet e tua, kushdo qofsh, kudo shkofsh! Ndaj, sado të mundohesh të fshehësh krimet, s’ka pushtet, s’ka para, s’ka fat që të mbron, sado i mençur qofsh, sado lart të ngjitesh, aq më zhurmë do bësh, kur të biesh. Shikojeni Marjanin, sonte dhe binduni që vjen një ditë dhe paguan.