Post formulari i dekriminalizimit/ Kapllanaj zbardh çështjen, Bushi “shfajësohet”: Po doli ndryshe iki. PD protestë në Krujë: Hetim kryebashkiakut

0
189

Kapllanaj: Dënimi erdhi se bleva një makine nga një italian që kishte falsifikuar dokumentet. Bushi:  Do e çoj SHQUP-in në Strasburg. PD: A është dënuar në Itali për prostitucion, trafik dhe shpërndarje narkotikësh

 

 

Gëzim Saliu

 

 

Pas shpalljes publike të formularëve të vetë deklarimit të zyrtarëve të lartë në kuadër të ligjit të dekriminalizimit nuk kanë munguar reagimet e shumta në rradhën e politikës por edhe të vetë “aktorëve” të procesit. Dy nga kryebashkiakët e prekur nga ligji, Agron Kapllanaj i Mallakastrës dhe Artur Bushi i krujës kanë reaguar dje lidhur me formularët që kanë plotësuar. Kryebashkiaku demokrat Kapllanaj reagoi përmes rrjetit social FB duke zbardhur edhe thelbin e ccështjes për të cilën ai ka shënuar në formular se është dënuar në Itali.  Si shumë shqiptarë të tjerë, në vitin 1991, mes shumë vështirësive, emigrova në Itali, ku jetova 10 vjet, gjer në vitin 2000. Në vitin 1995, pasi kurseva disa para nga puna dhe për shkak të moshës së re që kisha, bleva një makinë të përdorur në Firenze. Sigurisht që padituria apo edhe dëshira e tepruar e moshës, për të patur makinën, më shtyu në nxitim ta blija nga një individ Italian, i cili dokumentet e makinës i kishte të falsifikuara. Iu gëzova makinës së blerë, pa ditur, për rrengun që më ishte punuar.Në datën 26.07.1995, më ka ndaluar në rrugë patrulla e policisë rrugore dhe nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi që dokumentet ishin të falsifikuara, edhe pse unë isha në posedim të mjetit me të gjitha çelësat e saj. Një ditë më vonë, u ndodha pa makinën e blerë dhe pa lekët e kursyera që kisha paguar për ta blerë këtë makinë”, shpjegoi Kapllanaj i cili theksoi më tej se në vitin 2000 u kthye në Shqipëri përgjithnjë. “Më vonë rashë në dijeni se autoritetet policore italiane më kishin proceduar për atë incident, që në vitin 1995. Më rezultoi se në vitin 2003, pra plot 8 vjet nga ai incident dhe 3 vjet pasi unë kisha lënë përfundimisht Italinë, ndaj meje ishte dhënë një vendim dënimi me dy vjet burgim të pezulluar (që nuk vuhet nëse nuk bën shkelje) dhe me 200 euro gjobë. Në çdo rast unë pranoj se është përgjegjësia ime e plotë që nuk e ndoqa personalisht procedurën gjyqësore. Është kjo një përgjegjësi totalisht e imja, për të cilën jam i gatshëm të mbaj çfarëdo mase, ligjore dhe morale”, u shpreh ai.

 

Artur-Bushi

 

Bushi

 

Ndërkohë që socialisti i Bashkisë së Krujës Artur Bushi nuk është se reagoi vetë për të detajuar arsyet e ndalimit të tij në Itali, por deklarata e tij erdhi si kundërpërgjigje ndaj një proteste që PD zhvilloi dje në qytetin që ai kryeson. Sipas demokratëve Bushi ka deklaruar vetëm një pjesë të së shkuarës kriminale.  “A ka përdorur kryebashkiaku emrin Kastriot Cakoni që nuk e ka deklaruar? A është dënuar në Itali për prostitucion, trafik dhe shpërndarje narkotikësh?”, u shpreh sekretari i PD Salianji i cili theksoi më tej se çlirimi i institucioneve nga krimi është emergjencë kombëtare dhe se të dhënat e fshehura në formularët e vetëdeklarimit do të ndiqen me prioritet nga Partia Demokratike dhe Prokuroria.  Ndërkaq  në reagimin e  kryebashkiaku Bushi u vu re një deklaratë e mbushur me akuza si edhe paralajmërimi sipas së cilit PD do të çohet në gjyq në Strasburg. “Ashtu siç kam deklaruar në formularin e dorëzuar në KQZ, jam ndaluar në 1996 dhe jam liruar në mënyrë të menjëhershme, jam arrestuar në 2010 dhe pas hetimeve 44 ditore jam liruar si i pafajshëm, dhe në dëshminë e penalitetit të Shtetit italian jam shtetas i padënuar as edhe 1 ditë me vendim gjykate. Por pas nënshtrimit të ligjit dhe verifikimit përkatës që do bëhet do të rezultojë që çdo gjë që ka shpif SHQUP-i ka mbi 2 vite ndaj meje do te rezultojë ashtu siç them dhe siç kam deklaruar unë, me çfarë kosto do me paguajnë gjithë atë baltosje dhe lum shpifjesh te qelbura qe vetëm nga goja e atyre mund te dalin, sepse i premtoj SHQUP-it që nuk do t’i lej deri ne gjykatën e Strasburgut për dem moral te përsëritur për me shume se dy vite”.

 

 

Themelko i Pustecit e dorëzoi formularin e bardhë, nuk shënoi shoqërimin nga policia maqedonase

 

Kryetari i Bashkisë Pustec Edmond Themelko, nuk e pasqyroi në deklaratën e dekriminalizimit, hetimin dhe shoqërimin që i ndodhi në fillim të këtij viti në Maqedoni. Kryebashkiaku i bashkisë së vogël me popullsi minoritare maqedonase, në Qarkun e Korçës e dorëzoi të bardhë dëshminë e tij. “Nuk kam qenë i akuzuar, por ndaj meje ka patur dyshime në procesin e quajtur Titanik në fillim të hetimit të këtij procesi që u bë në Maqedoni. Duke parë vendimin dhe dekretin e Presidentit Ivanov, nxori një amnisti dhe e quajti të kundraligjshme këto dyshime ndaj meje”, tha ai. Themelko u shoqërua nga policia maqedonase me urdhër të Prokurorisë Speciale në Shkup i akuzuar së bashku me disa zyrtare maqedonas për çështjen “Titaniku”.  Ata u akuzuan se kishin bërë manipulime në zgjedhje sepse Prokurorisë i rezultuan që 500 shtetas shqiptarë nga Pusteci dilnin se votonin në Maqedoni.  Por sipas Themelkos, çështja u mbyll nga Presidenti maqedonas Ivanov me amnistinë.

 

 

Faza finale e dekriminalizimit, 16 institucione verifikojnë vërtetësinë e të dhënave

 

Pas zbardhjes së formularëve të vetë deklarimit, tani nis faza më e rëndësishme e ligjit të dekriminalizmit që është ajo e verifikimit të vërtetësisë së të dhënave. Sipas ligjit të dekriminalzimit, janë 16 institucionet që do të kryejnë verifikimet e para të formularëve të plotësuar nga të zgjedhurit dhe të emëruarit në poste publike.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të verifikojë deklaratat e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, Departamenti i Administratës Publike, DAP do të verifikojë formularët e vetëdeklarimit të plotesuar nga punonjësit e administratës, KLD ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, Kuvendi të drejtuesve të institucioneve kushtetuese që emërohen nga ky institucion.  Ndërkaq, Presidenca do të verifikojë ambasadorët e vendit tonë në botë, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, plus çdo funksionar tjetër publik të emëruar prej tij, me përjashtim të kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.  Në listën e  institucioneve të verifikimit janë edhe Kryeministri, Prefekti, drejtori i Shërbimit Infromativ apo ai i Policisë së Shtetit për vartësit përkatës.

 

 

download (1)

 

FRESH Voice në Shkodër, Majko: Si dhëndër i qytetit jam dyfish i emocionuar

 

Fushata e anëtarësimeve  dhe përzgjedhjes së strukturave të reja drejtuese në, FRESSH  zbriti dje në Shkodër.  Të rinjtë që aspirojnë të jenë lider të së nesërmes kanë prezantuar para jurisë së përbërë nga Pandeli Mjako, Elisa Spiropali, Gazmend Paja dhe Arlinda Dudaj idetë  e tyre që nuk lidhen vetëm më politikën. Për të larguar paksa emocionet e të rinjve, Majko e nisi komunikimin me një batutë. “Burri është nga fshati i gruas, si dhëndër Shkodre jam dyfish i emocionuar”, tha ai.  Përmes këtyre konkurseve do të përzgjidhen më të mirët ndër të rinjtë socialiste, por deputeti Majko tha se jo gjithçka varet nga kjo garë. “Jemi një juri, por nuk jemi ata që do t’iu gjykojmë në mënyrën më të plotë të mundshme, vleni apo nuk vleni. Sepse ky është një gjykim që nuk i takon 20 minutave që do të dalë 20 min e konkurrentëve. Jeta është e gjatë dhe gjithësecili e ka veten në dorë”, theksoi ai.  Ndërsa  sekretarja për rininë në PS, Elisa Spiropali theksoi se,: “Ndershmëria është politika më e mirë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here