Totozani në Tropojë: Është fatkeqësi për banorët të jenë kaq të varfër, jetojnë në në një mjedis të pasur me burime natyrore

0
135

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ndodhet në Bashkinë e Tropojës i shoqëruar me një grup ekspertësh të institucionit. Në kuadër të Ditëve të Hapura, Avokati i Popullit zhvillon inspektime në institucione ku orfohen shërbime për qytetarët, si dhe regjistron dhe ndjek ankesat e tyre apo problemet që hasin në ofrimin e shërbimeve nga ana e administratës publike, si nga pushteti qendror e ai vendor.

Avokati i Popullit Igli Totozani, ndoqi me shqetësim ankesat e familjarëve, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike, që nuk i kalon 4.000-5.000 lekë të reja në muaj. Ata i thanë Totozani se pavarësisht nivelit shumë të ulët të pagesave të ndihmës ekonomike Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ua mban paratë e faturave të energjisë elektrike nga kjo ndihme. Ndërsa në rastet kur këto familje duan të lidhin kontrata të reja me OSHEE-në, ato duhet të paguajnë tarifën prej 18.000 lekësh të reja.

Avokati i Popullit tha se ndihma ekonomike jepet nga shteti për mbijetesën e këtyre familjeve, ndonëse 5.300 lekë të reja në muaj janë krejtësisht të pamjaftueshme për të garantuar një jetë normale dhe dinjitoze. Ndaj z. Totozani siguroi se do të vazhdojë të insistojë për deklarimin e minimumit jetik në Shqipëri, gjë që do të përcaktonte koston reale që i duhet një familje për të jetuar. Z. Totozani u shpreh se është e pamundur për këto familje, që mbijetojnë me 5.300 lekë të reja në muaj, për invalidët e punës apo personat e tjerë me aftësi të kufizuar, që të paguajnë faturat e dritave dhe të ujit, apo shërbimet e shtrenjta që ofron OSHEE si në rastin e hapjes së kontratave të reja. Këto janë detyrime që cdo shtet social ka ndaj shtresës më vulnerabël të shoqërisë.

Në Bashkinë e Tropojës aktualisht janë 2.438 familje, që trajtohen me ndihmë ekonomike, nga të cilat 911 familje kanë persona me aftësi të kufizuar. Investimet për këtë vit janë zero, ndërkohë që papunësia mbetet tepër e lartë dhe nuk ka asnjë program për nxitjen e punësimit.  Shqetësim për banorët mbetet edhe furnizimi me ujë të pijshëm.

Në Bashkinë e Tropojës numërohen 179 familje të pastreha. Vetëm 10 familje kanë përfituar trajtime me kredi lehtësuese, ku e fundit është dhënë në vitin 2012. Por edhe nëse do të kishte ndonjë program për strehimin me kredi të buta, Totozani konstaton se familjet e varfra përjashtohen nga kjo skemë strehimi, pasi nuk kanë aftësi likujduese për kreditë.

“Është fatkeqësi për këta banorë, të cilët jetojnë në varfëri të tejskajshme në një mjedis kaq të pasur me bukuri dhe burime natyrore”, tha Avokati i Popullit Igli Totozani, duke i drejtuar një apel hartuesve të politikave zhvillimore që të rivitalizojnë këto qytete të lëna në harresë, që vazhdojnë të braktisen masivisht, për shkak të mungesës së burimeve të jetesës dhe mungesës së të ardhmes.

Një përfaqësuese e shoqërisë civile në këtë zonë, paraqiti pranë Avokatit të Popullit një ankesë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, në mënyrë që të mos shkatërrohen këto pasuri natyrore dhe ekosistemi mjaft i pasur që ekziston aty, por të ndiqen politika zhvilluese dhe subvencionuese për investime në fushën e turizmit, ato agro-ushqimore apo bimëve medicinale. Nga ana e tij Avokati i Popullit vlerësoi angazhimin e shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Një tjetër shqetësim mbetet mungesa e fondeve nga ana e Bashkisë së Tropojës për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave për indeksimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuar.

Avokati i Popullit Igli Totozani, në një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tropojës Besnik Dushaj,  diskutoi me shqetësim mbi këto çështje dhe problematika me të cilat hasen qytetarët e kësaj zone.  Ndërsa, ekspertët e Avokatit të Popullit zhvilluan edhe një inspektim në mjediset e paraburgimit të Tropojës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here