Një listë me 130 emra të dyshuar nga Partia Demokratike se kanë rekorde kriminale u dorëzua në Ministrinë e Brendshme për verifikim. Opozita dyshon se këta njerëz kanë fshehur të shkuarën e tyre, pavarësisht se kanë qenë të dënuar apo proceduar për akuzat që renditen në ligjin për dekriminalizimin. Panorama raporton sot se në listën e drejtuesve të institucioneve, në pushtetin qendror dhe atë lokal, Partia Demokratike ka kërkuar informacion të detajuar edhe për Klement Balilin, i cili ka qenë drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë dhe Klodian Xhelilin, djali i ish- kryebashkiakut të Dibrës. Në shkresën zyrtare, figurojnë emra drejtuesish të Policisë së Shtetit, Tatim-Taksave, drejtues të autoriteteve portuale, kryetar njësish administrative, deri tek specialistë të thjeshtë të ministrive.
Në dokumentin zyrtar, kërkohet që informacionet të vendosen në dispozicion brenda një afati 20-ditor.
“Kërkojmë nga institucioni që Ju drejtoni: Materialet që disponon Ministria e Brendshme apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që vërtetojnë se shtetasit e përfshirë në listën e mëposhtme janë dënuar me vendim gjykate në Republikën e Shqipërisë apo të gjykatave të shteteve të tjera, duke specifikuar numrin e vendimit të gjykatës, gjykatën që ka marrë këtë vendim, llojin e veprës penale për të cilën është dënuar nga gjykata, kohën kur është dënuar dhe masën e dënimit, të shoqëruara me fotokopje të vendimit të Gjykatës. Gjithashtu, ju rikujtojmë detyrimin ligjor, mbështetur në nenin 17, pika 2, të ligjit nr. 8891/2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit’, detyrim i cili kërkon që organet kompetente, të cilat disponojnë këto të dhëna dhe dokumente janë të detyruara t’ia përcjellin zyrtarisht komisionit, sipas kërkesës së tij. Kurdoherë, mosplotësimi i këtij detyrimi mund të përbëjë edhe vepër penale sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresën e Genc Pollos.