Duket se koha e zbritjes nga autobusi, duke ju referuar batutës së famshme të vetë Blushit të viteve më parë, ka ardhur për deputetin “rebel”
Gëzim Saliu
Më në fund duket se deputeti “rebel” i Partisë Socialiste Ben Blushi e ka vendosur të dalë në publik me një projekt të tijin. Në kushtet kur përplasja me kryeministrin Rama sa vjen e përkeqësohet dhe kur shanset e rikandidimit të tij për deputet nga PS në zgjedhjet e 2017-ës janë thuajse zero, Blushi ka menduar të zgjedhë rrugën e përballjes dhe ajo atë të tërheqjes. Pak kohë më parë, i pyetur lidhur me të ardhmen e tij politike, Blushi deklaroi se do vazhdonte të luftonte brenda PS-së derisa kjo forcë mos binte në greminës e “Rilindjes”. Nga ajo kohë deri më sot marrëdhëniet mes Blushit dhe kryesocialistit e pjesës më të madhe të PS-së janë përkeqësuar. Kritikat dhe kundërshtitë e tij për mënyrën se si po qeveris dhe si po drejton forcën më të madhe politike Rama kanë ardhur duke u shtuar. Në këto kushte, duket se koha e zbritjes nga autobusi, duke ju referuar batutës së famshme të vetë Blushit të viteve më parë , ka ardhur më shpejt se sa pritej.
Projekti dhe shpallja
“Nuk na mungon as toka, as dielli, por qeverisja. Nuk e kemi. Të paktën edhe për një vit jo!”. Kjo ishte deklarat e dy ditëve më parë e Ben Blushi e cila vjen si vazhdimësi e mesazheve të nënkuptuara që deputeti ka dhënë kohët e fundit lidhur me nevojën për një alternativë të re. Dhe duket se ai ka zgjedhur të jetë vetë kryesuesi i këtij projekti të ri. Burime të afërta me deputetin socialist bën të ditur për gazetën se më datë 6 qershor, të hënën e javës së ardhshme, deputeti socialist Ben Blushi do të shpallë publikisht alternativën e tij për ti dhënë zgjidhjes situatës aktuale. Burimet bënë të ditur se shpallja e projektit nga deputeti që tani për tani mbetet ende socialist do të zhvillohet në sallën e Akademisë së Arteve. Burimet nuk saktësuan nëse Blushi në këtë aktivitet do të shpallë krijimin e partisë së re apo të vetëm një projekti apo alternativë që pritet të konsolidohet në vazhdim. Por të gjithë pikat e diskutimit të kësaj çështje të çojnë vetëm në një përfundim: Projekt, alternativë apo parti, pak rëndësi ka, pasi ajo që bën lajm në këtë mes është fakti se Blushi po përgatitet t’i futet një rruge të re në jetën e tij politike. Ndonëse kishte hezituar për të marrë këtë drejtim, duke insistuar për të qenë brenda PS-së deri në fund, duket se tashmë Blushi e ka të pamundur të jetë më pjesë e partisë ku ka aderuar prej thuajse 20 vitesh. Me zgjedhjen e bërë Ben Blushi i ka dhënë përgjigje edhe dyzimit që ai vetë kishte: vazhdimin e jetës politike apo përkushtimin vetëm ndaj letërsisë duke lënë pas çdo gjë tjetër. Duket se dëshira për tu marrë ende me politikë peshon më shumë tek Blushi, ndonëse pasioni për letërsinë dhe librat ka ardhur në rritje vitet e fundit.
Mbështetësit
Një ndër mbështetësit kryesorë të Ben Blushit dhe alternativës së tij është kolegia e tij e grupit parlamentar socialist Mimoza Hafizi. Kjo e fundit ishte ndër të parat që doli haptas në krah të Blushit sapo ky i fundit nisi betejën pa kthim pas me kryesocialistin Rama. Shanset që Hafizi të ndjekë Blushin në rrugëtimin e tij të ri janë të mëdha, aq më tepër që këtë javë në Parlament ajo bëri të ditur nevojën që ka vendi për forca të reja politike. “Shteti aktual po tregon se ka shumë arriviste, servile, zhvatëse e të korruptuara edhe ndër gra. Këto dukuri nuk i kuron dot rritja e pranisë së grave në politikë. Nuk e kuron as depërtimin e oligarkisë në kupolën e shtetit. Këto dukuri janë produkte të sistemit politik që kemi ngritur, të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të partive tona politike e të shtetit për rrjedhim. Ai mund të ndryshojë vetëm nëse ky sistem ndryshon, përmes forcash të reja politike që kërkojnë të ndërtohen ndryshe”, ka pohuar ajo.
Ndërkohë që mbështetës i qëndrimeve të Blushit në tërë këto kohë ka qenë edhe ish-Presidenti i vendit Rexhep Mejdani. Ky i fundit ishte ndër të parët që foli katër vite më parë për pamundësisë e mbajtjes së premtimit ndoshta kryesor të socialistëve në programin e tyre për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës. Më tej në kohë Mejdani ndonëse ka folur rrallë ka shprehur kritikët për disa nga vendimmarrjet e politikat e qeverisë së drejtuar nga Rama. Mbështetja me firmë e kërkesës së Blushit ndaj organit të Garancive Statuore tregoi se Mejdani beson tek qëndrimet kritiket të deputeti rebel socialist lidhur me qeverinë dhe situatën brenda PS-së. Ndonëse shanset e rikthimit në jetën aktive të Mejdanit janë të pakta, mundësia e aktivizimit të tij me një post honorifik për ti dhënë më shumë vlera projektit të Blushit janë reale.
Nga ana tjetër Blushi ka pasur këto kohë mbështetjen edhe të disa pjesëmarrësve në LMN-në e famshme të 2009-ës. Marko Bello është një prej tyre që firmos shkresën e iniciuar nga Blushi duke i dhënë të drejtë kauzës së tij për situatën brenda PS-së. Ndërkohë që Blushi ka marrë mbështetjen edhe të ish-ëve me potencial në PS si Ndre Legisi, Maqo Lakrori, Petrit Ago apo Tritan Kalo. Nuk dihet nëse këto emra janë gati për tu bashkuar me projektin apo alternativën e Blushit, por mbështetja e tyre publike për qëndrimin e tij kundrejt situatës së brendshme në PS lë shteg të hapur për mundësinë e bashkëpunimit.
Ndërkaq një rikthim surprizë në jetën politike aktive do ishte ai i ish-kryeministrit dhe liderit historik të së majtës Fatos Nano. Ky i fundit u bë i “gjallë” pak ditë më parë ku komentoi një shkrim të analistit Artur Zheji, ku edhe një herë bëri të ditur kritikën e tij ndaj kreut socialist Rama. Por ky rizgjim i Nanos ndoshta mbetet thjesht tek ky koment dhe asgjë më shumë. Por ripërfshirja e tij, edhe pse indirekt, në zhvillimet e fundit të jetës politike i lë jo pak vend imagjinatës. Ndonëse nga njëra anë shanset e rikthimit të tij dhe aq më tepër mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Blushin janë fare të pakta në kushte aktuale, askush nuk mund të mohojë nga ana tjetër efektin e ndonjë lëvizje surprizë.
Alternativa
Deviza e Blushit: Qeveria kritike me të shkuarën, realiste me të tashmen e idealiste me të ardhmen
Lufta ndaj varfërisë, rritja e shpenzimeve për arsimin si edhe mbrojtja e pasurisë publike në qendër të projektit të Blushit
Por çfarë përfaqëson alternativa e Blushit? Ndonëse për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje do të duhej të pritej zbardhja e plotë nga ana e vetë deputetit të projektit të tij, mund të themi se një pjesë të kësaj alternative ai e ka tashmë të publikuar përmes fjalimeve të tij në Parlament. Shpeshherë përmes fjalës së tij Blushi përveçse ka kritikuar e ka kundërshtuar formën dhe mënyrën e qeverisjes, ka shprehur edhe idetë e alternativat e tij për të ndryshuar gjendjen. Një prej këtyre fjalimeve të Blushit është pikërisht ai i ditëve të para të qeverisjes së majtë, të 16 shtatorit 2013, ku shprehte disa kërkesa për ekzekutivin. Deviza e Blushit në këtë fjalim ku shpallte tre kërkesa kryesore për qeverinë ishte: “qeveria e mirë duhet të jetë kritike me të shkuarën, realiste me të tashmen dhe idealiste me të ardhmen”. “Unë do thosha se ne nuk kemi ditur asnjë ditë të kemi një shtet që punon për publikun. Për atë që është e përbashkët. Për atë që na takon të gjithëve, pa përjashtim, pa dallim dhe pa përzgjedhje. Shteti ynë punoi çdo ditë kundër publikes dhe vetëm, vetëm për privaten. Në këta 20 vjet, ajo që u shkatërrua ishte ajo që ishte e përbashkët. Privatja rrënoi publiken, e përbashkëta humbi garën me të përveçmen. Shteti është pasuria më e madhe që kemi, sepse deri më sot është instrumenti më i fortë që njeriu ka krijuar për t’u mbrojtur nga njeriu. Unë jam për shoqërinë e individëve të barabartë në të drejta, por të ndryshëm në pasuri. Ne kemi sot një shoqëri të pabarabartë në të drejta dhe të deformuar në pasuri. Ky polarizim është një sëmundje që e kemi krijuar vetë dhe na takon ta shërojmë vetë”, theksonte Blushin në fjalimin e tij. Duke u treguar specific Blushi vinte theksin në tre kërkesa kryesore, të cilat edhe sot tre vite më pas janë aktuale: borxhi, koncensionet dhe arsimi. Po i listojmë si më poshtë:
-Së pari qeveria të mos marrë më borxh në emrin tonë. Jam kundër marrjes së borxheve për të larë borxhet. Shqipëria nuk i paguan dot borxhet e veta. Unë besoj se Shqipëria mund të jetojë pa marrë borxh të ekzagjeruar sepse, megjithëse është një vend i vogël, mbetet një vend i pasur për popullsinë që i duhet të ushqejë.
-Së dyti, do t’i kërkoja të mbronte atë që është dhe duhet të jetë e përbashkët. Rentabiliteti nuk prevalon mbi të drejtën e publikut për të përfituar nga pasuritë dhe pronat e veta. Në këtë Parlament kam ardhur të mbroj të përbashkëtën nga e përveçmja, të mbroj solidaritetin nga mizoria dhe interesin shtetëror nga interesi privat.
-Së treti, do t’i kërkoja ta kthente arsimin në një qëllim strategjik. E kemi pyetur veten çfarë do jetë Shqipëria pas 10 apo 20 vitesh me këtë nivel arsimi që ka? Unë po ju them që do jetë një vend jo vetëm i konkurrueshëm nga fqinjët e vet, por i dominuar prej tyre kulturalisht dhe jo vetëm ekonomikisht, siç është sot. Dijet shtojnë paratë, por paratë nuk i shtojnë dot dijet. Jam i bindur, pra, se investimi strategjik duhet të jetë arsimi, si e vetmja mundësi për të dalë nga mjerimi dhe varfëria.
Ndërkaq në atë që mund ta cilësojmë si projekti “Blushi” duke marrë shkas nga piketa e fjalimeve të tij qëndron si pjesë kryesore dallimi mes qeverisë së mirë dhe asaj të keqe. “Kriticizmi, realizimi dhe idealizmi. Një qeveri e keqe nuk bën asnjërën nga këto, siç e kemi parë. Ajo ka vetëm një tipar: e gjen gjithmonë fajin jashtë saj. Një qeveri e mirë sipas meje duhet të jetë kritike me të shkuarën, realiste me të tashmen dhe idealiste me të ardhmen. Pra, ajo duhet të jetë kritike me masë, realiste me gjasë dhe idealiste pa masë”, thekson Blushi.
Ajo që vihet re në fjalimet e Blushit që përbëjnë në fakt një alternativë ndryshe nga ajo e PS-së është fakti se në qendë rtë tyre vendoset lufta me varfërinë. Në thuajse ccdo fjalim Blushi vë theksin tek domosdoshmëria e përkushtimit të qeverisë për zvogelimin e varfërisë në vend. “Ne jemi shoqëri liberale, nuk persekutojmë njeri se je nga jugu, apo nga veriu, por persekutojmë për shkak të varfërisë. Je i varfër, nuk ke shkollë, nuk merr të drejtën në gjykatë, nuk blen dot ilace, diskriminohesh. Ky është problemi, po ngremë një standard të keq n% Shqipëri, po diskriminojmë të varfërit”, pohon Blushi. Më tej në tezat e Blushit vihet re se flitet shpesh për pesimizmin, gjë të cilin ai e pohon edhe për veten. “Pesimizmi që ka kapur Shqipërinë është armiku ynë më i madh. Është pesimizimi ajo që i bën të largohen. Shqiptarët janë pesimist, dhe kjo është fatalitet. Duhet ta ndryshojmë këtë fatalitet. Të rrisim pagat, asistencën sociale, duke investuar më shumë në zonat e varfra, duke luftuar korrupsionin. Duke bërë një shoqëri më të drejtë”, nënvizon Blushi në fjalimet e tij.
Propozimi për partitë duke marrë shembull “PS-në e Rilindjes”
Në fjalimet e shumta të Ben Blushit vihet re se ai ka folur shpesh lidhur me situatën e brendshme të partive në vend duke marrë shkas nga zhvillimet e këtyre tre viteve të fundit në Partinë Socialiste ku edhe ai bën pjesë. “Partitë tona tani janë një ndërmarrje fitimprurëse. Kështu janë edhe partitë e mëdha, edhe të voglat. Ato nuk ndryshojnë nga programet, sepse nuk kanë programe për fat të keq. Konkurrenca e tillë i ka shtyrë partitë që të thërrasin nën armë të gjithë ata që shkelin ligjin. Kjo do vazhdojë, për sa kohë partitë tona nuk do jenë demokratike, parti europiane të vërteta. Kjo është arsyeja pse drejtësia pengohet dhe do vazhdojë të pengohet”, ka theksuar Blushi. Ndërkohë në fjalimin e fundit të mbajtur në Kongres Blushi vuri theksin tek ajo se si duhet të jetë PS-ja, e cila sipas tij në drejtimin e Ramës në këto vite ka humbur shumë nga demokracia e brendshme. “Duhet të bindim Shqipërinë se Shqiptaria bëhet nga shqiptarët dhe ajo bëhet më e mirë nga socialistët se nga të tjerët. Por si mund ta bëjmë ne këtë? Si mund ta ndryshojmë në vendin tonë? Si mund të bindim mijëra djem dhe vajza se Shqipëria është dhe duhet të jetë një vend që nuk duhet të braktiset? Ka vetëm një mënyrë: duke mos i ikur vetes sonë. Duke mos ia fshehur Partinë Socialistë socialistëve dhe duke mos ia mohuar Partinë Socialiste shqiptarëve. Dhe natyrisht duke mos e rrëmbyer Partinë Socialiste”, ka deklaruar ai.